Krijimtari

'Gjurmë në avull'-nga Artan Gjyzel Hasani

Nga: Artan Gjyzel Hasani

për arsye të panjohura kurrë
unë lind çdo mëngjes para diellit
e teje që akoma fle atje larg
dhe më duhet ta përtyp ngadalë,
larg syve të të tjerëve
këtë ditë të rrumbullakët e të bardhë
që e lëmuar shpaloset para meje
si një vezë e zierë
e qëruar lehtë dhe bukur…

dhe do të përvidhem rrugicave poshtë
në kafenenë ku një grua e buzëqeshur 
do ma shërbejë të ngrohtë kafenë
(ndoshta një cliché kjo e do më duhet një varg i ri
se makinë e espressos mund të jetë akoma e pandezur
e akullt, e ftohtë pasi zonja ka ardhur me vonesë
pas një debati rutinor me të shoqin nevrik
për çorapet që kurrë nuk gjenden në atë shtëpi…)

do të ec trotuarëve mbushur gjethesh të verdha
me vjeshtën ndër këmbë dhe mungesën tënde përdore,
që e vesh gjithnjë bukur, herë grua, herë fëmijë
do ndaloj, do kërkoj xhepave cigaren e fundit
dhe do te tymos vështrimin e saj 
që më turbullon sytë
ndërsa i rrëfej përralla për të rritur…

këmbët më çojnë në një stacion trenash që nisen drejt teje
se patjetër do jetë një vajzë që të ngjason ty
në këtë tren që ditëve përshkon udhët e netëve tona...
afroj kokën përballë syve që më vështrojnë nga brenda
nuk je ti ajo, por tashmë kjo nuk ka asnjë rëndësi,
mbi xhamin e veshur me avull lë gjurmën e dorës sime
që kokën të mbështetësh kur të zgjohesh

e nëse më do
gishtërinjtë e avullit mund të të përkëdhelin flokët, fytyrën e bukur
në trokun e një treni që shpupuris aq butë pupla kujtimesh
mbi jastëkun ku shinat e mallit në heshtje kryqëzohen...

Tagged under Artan Gjyzel Hasani