Në kërkim të botuesit-nga Vangjush Saro
Letra 6*/ Në kërkim të botuesit
I lavdishmi Qako, jemi mirë me shëndet, ashtu urojmë edhe për ju. E kam parë keq këto ditë. Të kujtohet, përpara se të vinim nga Plepasi, ia gjetëm anën njërit atje, na sponsorizoi nga një libër... Epo s’ka më ashtu. Po të tregoj ç’hoqa dje, në kërkim të “botuesit tim”... Jam duke mbledhur vjershat, për një vëllim të ri. Edhe thashë të bëja një sprovë, duke i testuar këto entet botuese, cili prej tyre... do ta rrëmbente librin i pari. I mora me radhë, duke filluar nga “Dielli”. Epo, mendova, Dielli. Gjithë ky emër. Edhe në vjershat e mia ka shumë diell. Do të ndrisë diçka.
E nejse. Hap derën e një zyre gjysmë në errësirë. Shikoj një burrë të flashkët, fytyrëverdhë, syshtrembër, me papjon; dukej sikur posa kishte dalë nga faqet e ndonjë romani të Dikensit. U ngrit dhe qëndroi atje, te dera; dhe atë e mbante gjysmë të mbyllur.
-Tungjatjeta, - u prezantova unë. - Jam Qato Vjeshta. Poet. Katër libra të botuara. Dy intervista. Një bisedë në Radio Shtata...
-Edhe njëherë, të lutem - tha Dielli, domethënë botuesi.
-Tungjatjeta!...
-Këtë e mora vesh.
-Jam Qato Vjeshta. Poet. Katër libra të botuara. Dy intervista. Një bisedë në Radio Shtata.
-Për çfarë ke ardhur?
Epo, më në fund reagoi hija. Se si hije ishte, jo si diell. Një të nxjerrë nga xhepi atë gjënë e vockël unë, flesh a si i thonë...
-Kam gati librin e ri me vjersha, - thashë. - Jam në finish. Po lundroj për një titull... E nejse. Mendova që ju si shtëpi botuese...
Dielli më pa njëherë nga poshtë lart me ata sytë e shtrembër, sikur të mos u kishte besuar veshëve. Pastaj, duke i dhënë pak derës këtej nga unë - mezi po priste ta mbyllte - më tha se nuk botonin poezi.
Zdruq-zdruq vëllai yt, te tjetër një shtëpi botuese. Aty afër. Drejtori i saj i ka vënë ndërmarrjes emrin e vet. Rako. E, ore. Enti botues “Rako”.
-Pra, ç’kemi? - më tha Rakua.
Atëherë fillova unë:
-Tungjatjeta, - u prezantova. - Jam filani. Katër libra të botuara. Dy intervista. Një bisedë në Radio Shtata...
-Qartë. Qartë. Për sa e ke menduar?
-Po... rreth 70. - i thashë.
-700.
-Urdhëro?
-Euro...
-Jo jo. Rreth 70 faqe. - Një të nxjerrë nga xhepi atë gjënë e vockël, flesh a si i thonë... - Po deshët, i dërgoj dhe me postë elektronike. Si e kini juve adresën?
Zoti Rako po më dukej me të vërtetë shumë dashamirës. Prandaj, nxora edhe nja dy fletë të printuara dhe thashë po ia lexoj nja dy vjersha. Të krijojë një ide... Fillova:
Ku ke qenë, o zog i trembur, dita hapet/ nëpër ajër një cicërimë po përhapet...
-Çfarë është kjo? - më ndërpreu Rakua me butësi.
-Më shkoi mendja t’ju abdetoj pak me llojin e vjershave që unë kam për zemër, - i thashë. Dhe prapë:
Ku ke qenë o zog i trembur, dita hapet/ nëpër ajër një cicërimë po përhapet...
-Këtë e the njëherë. Tani, cili është çmimi që ju...
-Çmimi, po. Isha një ndër garuesit kryesorë, - i thashë dhe papritur m’u kujtua ajo historia e Leksit. - Ju e dini, që në vitin 1974, për Nobelin ishin në garë...
-E kisha fjalën sa paguani? Për librin tuaj.
-Sa kërkoj nga ju?
Papritur zoti Rako e humbi qetësinë dhe dashamirësinë. Më bëri shenjë të thyeja qafën.
-Më më më vjen keq. Kam një bisedë me Ministrinë, - tha. - Të fala...
Se kujt duhej t’i bëja të fala... E nejse. Ai më kishte treguar derën dhe unë nuk kisha çfarë të bëja më atje. Kështu, si në atë përrallën e njohur, ecë e ecë, shko e shko... te “Lavdia”, një nga shtëpitë botuese më të njohura. Këtu fillimisht më ngeci sharra në gozhdë. I zoti i shtëpisë botuese ishte i zënë. Një sekretare atje, më tha të prisja.
-Pres, posi! - i thashë unë. Ajo punonte në kompjuter dhe heraherës më vështronte tinëz. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse i zgjedhin këto sekretaret kaq... kaq...
Duke parë hiret e saj, e kisha humbur fare. Po më priste drejtori. E nejse. Brenda, shpejt. Atë gjënë e vockël ku mbaja tërë librin, në dorë. Letrat gati. I hodha një sy zyrës. Mjaft komode. Po mendohesha.
-Për çfarë kam nderin... - më tha hijerëndë drejtori. Ai të jepte përshtypjen se sapo ishte ndarë nga Paolo Koelho. Fytyra e tij shpërthente pak a shumë një frazë këso: “Phe! Sado të përpiqem, s’gjej më të mençur se veten...”
E nejse. Vazhdova unë:
-Jam Qato Vjeshta, - thashë. - Katër libra të botuara. Dy intervista. Një bisedë në Radio Shtata...
-Hyr në temë, zotëri.
-Është fjala për librin tim me vjersha, - hyra. - Ka një tematikë të pasur... Nëse dëshironi mund t’jua dërgoj edhe me postë elektronike. Cila është adresa juaj elektronike, ju lutem? Ja njëra nga vjershat:
Ku ke qenë o zog i trembur, dita hapet/ nëpër ajër një cicërimë po përhapet...
-Oh, zotëri të lutem. - Drejtori ishte fare i paduruar. Dikujt i foli në celular. - E kam parasysh. Ne? Harri Potterin... Po po. Potterin. Vazhdo.
M’u duk sikur më foli mua së fundi. Prandaj unë vazhdova:
-Ku ke qenë, o zog i trembur, dita hapet/ nëpër ajër një cicërimë po përhapet...
-Nuk po flisja me ju, zotëri. - e ngriti zërin ai. Dhe në celular - Harri Potter. Po. Potter... Po më tej?
Dhe unë sërish:
Ku ke qenë, o zog i trembur, dita hapet...
-Ku ke qenë? - më tha edhe mua Dezdemona, kur u ktheva në shtëpi. - Nga po na vjen, që je raskapitur kaq shumë?
-Nga Ferri, - i thashë. Dhe e hodha andej tutje atë gjënë e vockël që mbante vjershat... Me një fjalë, tund paratë nëse do të botosh ndonjë libër. Po pse kështu bëhet letërsia? Ja, më thuaj ti...
*Fragmenti është shkëputur nga romani humoristik “Kurora e Ballkanit” Amazon, 2016



