Krijimtari

Aleko Likaj-Kristaq Turtulli një zë orgjinal dhe i veçantë

Romani i fundit i shkrimtarit Kristaq Turtulli ''Ati dhe fati'' është pa dyshim një nga krijimet e tij më të arrira e më të mira të këtyre viteve të fundit. Një krijim që sjell dhe përcjell mesazhe të fuqishme nëpërmjet një metafore qendrese dhe dashurisë për jetën. Një histori e sinqertë njerëzore që zë fill në prag të Luftës së Parë Botërore, atje në një cep të Ballkanit, ku duket se nuk egzistojnë kufijtë, dhe ku njerëzit nuk e shohin njeri tjetrin si ujk, autori na sjell dhe na jep dramën e nje familje zanatçiu të fshatit, Fredo Samarxhiut, i cili është vizatuar si një karakter i veçante që nga fëmijëria e tij e hershme, brenda kuadratit të kohës ku jetonin në përgjithesi njerëzit e lidhur pas tokës. Duket se autori e njeh mirë ambientin ku ''noton'' subjekti i kësaj vepre duke na dhënë raportet e ndarjet midis njerëzve në faqet e romanit të tij. Në një mënyrë krejt interesante jepet formimi i personazhit kryesor të veprës, naiviteti dhe lojrat e ngacmimet që i organizonin shokët e bashkmoshatarët Fredo Samarxhiut që ishte lidhur dhe i dashuruar pazgjidhshmerisht pas profesionit të samarxhiut. Bota e tij e pasur dhe lidhja në martesën e propozuar është dhe mbetet një risi që e mban krejt veprën në kufijtë e të besueshmes dhe reales.

Në fakt Kristaq Turtulli ndryshe nga herët e tjera në romanet e tij këtë herë sjell dhe ka ne duar tek ''Ati dhe fati'' pak lëndë me të cilën gatuan, por që e bën dhe e mban mjeshtërisht lexuesin e tij gati pa frymë deri në faqen e fundit të tij. Përballja me fatin mbetet si një lloj lejtmotivi që e ka goditur zanatçiun e fshatit pikërisht at'here kur atij i duket se rrjedha e jetës së tij kishte marrë për mirë. Martesa në fillim e më pas ardhja në jetë e Ritës, vajza që kishte marrë gjithë përkushtimin e babait të saj, dhurata e një shpendi që e godet foshnjen e pa rritur mirë në obor të shtëpisë me sqepin e tij duke ia hequr vështrimin e dëmtuar krejtësisht syrin, duket se i jep fund qetesisë shpirtërore të samarxhiut të fshatit dhe e fut atë menjëherë në qerthullin e rrugëtimi ku shpresa nuk ështê më një mision i pamundur për Fredon. Lufta që e zë në kufi e peripecitë për të shpëtuar prej saj në momentin kur ishte nisur që ta vizitonte vajzën tek mjekët në shtetin fqinj, dhe pastaj rrugëtimi i gjatë gati homerik për të gjetur fildishin që do ti'a zëvndësonte syrin e bukur e të humbur të së bijës për në Bari, Sicili, Maltë e Egjipt. Pastaj autori na sjell në mënyrë metaforike dhe me shumë emocione përleshjen me piratët e detit që simbolizon realisht betejën me fatin e tij, pamundësinë për ta përballuar ku është gati të mbytet në ujë dhe më pas humbja e pasurisë së tij që mbetet poshtë, atje në honet e thella të ujit të kripur.

Me nota tragjizmi përshkruhet udhëtimi në kontinentin tjetër, atë të Afrikës nëpër shkretirën e pa anë dhe maramendëse të Saharasë, dhe që për lexuesin tingëllon pothuajse i pashpresë në fatin e tij Fredo Samarxhiu, për shkak të peripecive që ndesh e përballet si sfida në fatin e tij zanatçiu i fshatit.

Personazhi i Kristaq Turtullit në romanin ''Ati dhe fati'' sfidon gjithçka në duelin midis të mirës dhe të keqes dhe kjo duket krejtësisht realiste dhe e besueshme për shkak se autori ka ditur të ruajë mirë raportet dhe botën njerëzore me natyrën dhe ambjentin që na rrethon. Edhe pse duket se në roman është i ''zbehtë'' konflikti i fortë tradicional që ne jemi mësuar ta gjejmë dhe ta ndeshim kryesisht në vepra me shtrirje të gjërë, sidomos në të njëjtën zhanër, autori ka bërë kujdes duke e shkrirë dhe harmonizuar atë me fatin, duke përdorur si kontrapunt në vorbullën e ngjarjeve rastësitë e prapësitë, në një mënyrë krejtësisht sinjifikative, nëpërmjet foljeve “Doja” dhe “S’doja”, që duket se rimojnë me njëra tjetrën, por që në rastin konkret për autorin janë gjetur si elementë që shërbejnë jo pa sukses për ti dhënë më shumë ngjyrë e jetë krejt veprës

Kristaqi si shkrimtar, kjo edhe për shkak edhe të bagazhit dhe përvojës së gjatë në lëmin e letërsisë, tregon edhe një herë se është një vëzhgues shumë i mirë i realitetit, ambjentit dhe njohës thellë i botës njerëzore. Na jep e përshkruan me detaje tablo dhe krejt shoqërinë e kohës në lëvizje me botkuptimet dhe formimin e tyre, pa i zbukuruar, me një realizëm që është për tu përgëzuar. Kjo duket edhe tek vizatimet që u bën personazheve të tjerë të veprës si karaktere edhe pse ndaj tyre në shumicën e rasteve ka përdorur një penelatë të hollë duke i ruajtur sensin e masës.

Të bie në sy stili dhe gjuha, struktura e frazës që këtë herë mua si lexues i rregullt i disa veprave të tij të mëparshme, më ka befasuar tek ky autor për ndryshimin krejt rrënjësor. Kjo dëshmon më së miri e flet qartë se autori e shkrimtari Kristaq Turtulli ka arritur pjekjen e plotë artistike dhe në të ardhmen, unë mendoj e kam besim që do të na japë ende vepra të tilla dinjitoze që e nderojnë krijuesin.

Pa dyshim që në bumin e botimeve të këtyre dy dekadave të fundit, ku në libraritë tona por edhe në websit-et interntike, gjen plot krijime të diskutueshme nga vlerat dhe mesazhet që sjellin e përcjellin për lexuesin shqiptar, kudo që ndodhet në të katër cepat e kësaj bote të vogël, Kristaq Turtulli është dhe mbetet një zë i veçantë dhe orgjinal.