Ty deti të përket-Cikël me poezi nga Flurans Ilia
Mbi detin që u flet baticave
poetët janë ca puthje në pritje
si prita lumenjsh
si trofta kundra rrjedhës
shohin shpesh qiellin poetët
dallojnë dalldinë e dihatjes
tropikun e gjunjëzuar
përkuljen e palmave
lëvozhgën e fjalës
nervin e djersitur
frymëmarrjen e ishullit,
të gjitha këto i ndijojnë, ata
poetët
sikur këmba që shkel hijen e vet
shkel dherat e kuq të dihatjes
dhera që dergjen te rrënjët
e poetëve
që i vranë në mesnatë
lëshuar mbi dhé
si forca e rëndesës
SEPSE
drita e kandilit kryesisht vjen nga nata
mbi detin qe u flet baticave
u flet vetmive të lëkurës tënde
klithmave
fashitur në ngjyrën e butë
të syve
të poetëve
Pëlhurë
Adagio
buka e thekur
pas një dimri pafund zgjimet
iguanat në jug
si lugat
zbusin kthetrën
ngujuar nga muzgu
gjer në ag
zvarrisin zefirin me imazh zafir
prej kafeje të fortë
në xhezve të bronxtë
si gjurmët mbi rërën e shkrifët
lexohet filxhani
bunaca e gushtit ç’vesh
gjuhën e konstelacionit
gllabëruar nga gjumi i galaktikave
mundëson nisjen, anijen e shkrimit
këmbëzbathur ball
këtij muri të vjetër perpirë kah deti
përtej gjumit të galaktikave
madhërishëm flë gjiri i Rodonit
si çdo gji mbart në gji
praninë e zefirit mbi trup të hyjnisë
thua se po shkel një zonë të ndaluar?
busulla kapton kuptimin
nën det
te kjo liburnë e mbytur
humbas
me fushqet
duke kërkuar 8këmbëshin
e fjalës
i cili duhet plandosur 40 herë mbi gurë
duke i lëshuar tendinat
duke i varur jargët
si një kërmill ndajnate
në ditët e gushtit
ku nata bëhet pëlhurë
Shishe plastike
Capriccio
Kujtesa
burg i mollëzave të gishtave
ësht’ çast
kanione drastike
me arkitekturë gotike
progresi
zhvesh vetvetet e veta prej vidash
mbërthyer me ndërfarëzim formash
kryq
katror
vijëdrejtë
formëylli
(programuar)
si ditët tona
si krahët tanë
prej dylli
qarkuar nga një qark i mbyllur
ku nuli i brishtë është i domosdoshëm
për zgjimin e dritës, ku zgjohet
herë pas here ai çast,
si një shportë me manaferra
e gjithë gurgullima e pyllit
nën krahët e oksigjenit
(dhe unë që jetoj në shishe plastike)
si me qenë në rrjedhën lakuriqe
të lumit të fëmijërisë sime
Nota të befta
Cavatina
një ditë pikë pikë
do pikojm' edhe ne
si nota
të befta në pentagram
tretje prej akulli
trajta e mbrame e dimrave
në sytë e tu si kamera të vockla
regjistron HESHTJEN
kasandrat
kamaret
kështjellat
bishtukun dhe pishtarin
motin e mureve
(celularin)
koha është një koncept
me caqe të caktuara
hapësira flë ndënë ura
ninëza e syrit të të pastrehëve
murmura e mureve të spitaleve
qirinjtë
librat
poetët
bulëza
vreshtari
koha që i duhet verës
përtej territ
të maturoj kohën
e rishtarit
vargje vargje parmakët e urës
vështrojnë lumin
ujëpakët
për miliona vjet asnjëherë
kaq madhështor
nuk ka qenë ai i një çasti më parë
sepse një ditë pikë pikë
edhe ne do të pikojmë
si nota të befta në pentagram
Ty deti të përket
Chorale
Mbë gji sheshbeteja rreket me kap pamjen e kepit
Natyrë e vdekur ay diell ndënë "prazmore" trupat
Rremat pozojnë në breg ndën çukitjen e sqepit
Pesha e krrokamës të një tjetër qyteti të flijuar.
O Redon, pas çdo humbje fryma nis e merr frymë
Sërish ushqehet me çka je dhe përzgjodhe të jesh
Hyjni i detrave huktinave të këtij kepi nën brymë
Të qenit zjarr dhe parzmore ku digjen trupat tanë.
Por më tepër se flaka, ah, pamja e këtij zalli
O Rodon i dashtun, aty, shoh zjarre përfund
Zjarre që i ndezëm me dy gurë stralli
Me dy fije eshkë me dy fije frymë.
Shpirtrat e rremtarëve që dogjëm sot mbi det
Dy fije dritë i dhanë shtatores tënde nga larg
Redon i madh prej këtij kepi, ty deti të përket
Oh, shpirti im ndëshkuar përjetësisht me zjarr.
Dy zjarre mblodhëm me dy pishtarë në kthim
Dy duar përpjekja për të mbijetuar dy kujtesa
Dyzim paralel kjo bukë e ndarë më dysh
Oh Rodon i përjetshëm, e fundit vdes shpresa.



