Krijimtari

Armenida Jolldashi nga Vancouver, boton librin e saj të parë

Armenida Jolldashi është një krijuese e re, e cila jeton në Vancouver të British Columbia. Para disa ditësh ajo nxori në treg librin e saj të parë me poezi “Përtej kangjellave të shiut”. Armenida është larguar në moshë të re nga Shqipëria dhe në kohën e saj të lirë i kushtohet pasionit të kahershëm të të shkruarit. Gjithashtu ajo është edhe aktiviste e shoqatës së shqiptarëve të provincës së Kanadasë ku ajo jeton, në të cilën jep kontributin e saj në aktivitete kulturore e atdhetare.

FlasShqip po sjell disa prej poezive të Armenidës, të shkëputura nga libri “Përtej kangjellave të shiut”.   

Lërua të tjerëve, Brut!

Nuk ishte e nevojshme për aq shumë goditje.
Çezari mund të vdiste dhe vetëm me një,
Një thikë të mprehur mirë mu në zemër.
Nuk ishte e nevojshme mëkati mal të bëhej.
Dhe unë mund të vdes vetëm me një thikë.
Të premtoj nuk kam nëntë shpirtra.
Nga vdekja nuk të ngrihem.
Lëri të tjerët të më vrasin.
Lërua atyre që dinë ta bëjnë më mirë.
Nëse ke dëshirë të lënduar të më shohësh
Dije se po vuaj në shkallim.
Nuk është e nevojshme.
Të tjerët lëri t'më mbarojnë.
Mos e humb gjer në fund pafajsinë!

Në brigjet e tua

Në varkat e bardha qiellore
Shpirtin e ngarkova.
Atje në tuat brigje të largëta
Dil prite, i dashur!

Le të rrij pa të kafazi i zbrazur.
Mendimet si zogj shtegtarë le të ikin.

Priti, i dashur
Shpirtin, puthjet, mendimet
Si re të bardha pa lot
Tek zbarkohen tek ti.
Në brigjet e tua të largëta
Një qoshe të gjej malli, një shkëmb.

Titanik

Ti hesht pikërisht
Kur unë kam nevoj për një fjalë.
Në largësitë e tua të ftoha përhumbesh.
Me heshtje më dënon.
Dhe heshtja bëhet akull.
I dashuri im, vërtet nuk e di
Që anijen më të madhe
Ishin ajsbergët e akullt që e mbyten?


Unë

Ç'të thanë fushat e buta për mua?
Pëshpërima e barit ç'të tha?
Të treguan për këmbët e mia të zbathura,
Rendjet e mia si e marrë?
Ç'të thanë qafet e ngushta të maleve?
Me gjuhët e gjarpërta ç'të thanë?
A të thanë: e vështirë ajo grua!
Rend dhe kur qesh dhe kur qan!?
Erë e jugut, puhiza e njomë,
Më thuaj për mua ç'të tha?
A të tha që asaj i ngjaj?
Frymë e saj di të bëhem
Dhe kur vij dhe kur shkoj.
Gjithkund jam,
Si nje re e vogël në qiellin e madh.
Por ti mos ki frikë!

Të huaj

Ti do vish tek rrënojat e mia,
Në gjunjë i ulur, me duar dheun do gërrmosh.
Asgjë s'do gjesh.
Veç gurët e mureve të një dashurie të ikur.
Të huaj do jemi.
Unë: një vendbanim antik,
Ti: një plak nga pendesa kërrusur.