Krijimtari

Perëndimi për ku shkojnë të gjithë-Nga Faruk Myrtaj

Kam frikë se s’është Perëndimi yt, thuajse i pëshpërita vetes.

Ndjeva që më dridheshin supet, hepoheshin e sërish lëshoheshin, si të donin të afroheshin tek njeri tjetri. Por nuk i linte koka, koka ime, dhe mjaftoheshin në orvatjen të më fshihnin fytyrën, që ashtu të mund të thërmohesha pazhurmshëm në lotë. 
Prisnin ta rrëfeja dehshëm lumturinë e të qenit siç zyrtarisht duhej të isha. E dija se më kqyrnin, por kjo as që më bezdiste. Me këtë gjuhë të brishtë, edhe më të pafuqishme për të shprehur ndjesi të tilla, s`mund tu bëja të ditur se, në të vërtetë, i druhesha kqyrjes prej vetes, jo prej tyre. E kisha bërë këtë, ndjehesha mjaftueshmërisht i tejdukshëm, ndaj dhe ngashëreva. Se njeriu ka nevojë të ketë diçka të vetën, krejt të vetën, diçka që s’ka pse e ndan me kënd tjetër, me askërrkënd... 
Ç’punë u prish uniformave kjo fshehtësi individi, a më thoni dot?! Përse nuk ia lejoni këtë qoshk vetmie njeriut? Përse duhet doemos t’ja përgjoni gjithçka, gjer edhe...Edhe lotin?!  Ndodhur kështu, shterueshëm bosh, bosh i tharë, mbase, isha gati t’i dorëzoja tërë kthinat, galeritë dhe galerat e lirive të mia të vogla, veç që ata, vëzhguesit, të lëshonin përdhè armët e dyshimeve. S’ishte fjala veç ndaj meje. Liri vetëm ndaj meje, moskqyrje vetëm për mua, ish jo vetëm e kotë. Ishte edhe e pamundur. Tërë kjo sagë psherëtimash pannjerëzore, a nuk tingëllon ca si tepër?! A nuk të ngjan me atë idenë e ekspozitës me korniza boshe?! Mbase, mbase edhe ashtu ishte, por as me mend s’e merrja dot, ç’mund të isha pa këto barkushe zemre që më mbanin gjallë, në mënyrën se si kishin bërë jetën time, mbase naivitete të gjitha këto, por...ja që kështu...

Megjithatë, s’ishte arësyetim përvajshëm, aq më pak ankesë qaranikësh. As edhe si ato të qarat pas të cilave lehtësohemi e rikthehemi shikimkthjellët në orë të tjera të gëzuara. Shpresoja që ata të mos kishin edhe një shkas më shumë për të besuar se loti gjithnjë është trishtim. Gjithsesi, s’duhej të harroja që secili bënte të vetën, s’kisha të drejtë tu kërkoja të mendonin e aq më pak të ndjenin si unë. Unë kisha në shpinë jetën time, veten e krijuar në secilën prej orëve të ekzistencës e rritjes. Edhe nëse fat-vështirë, këtë vete e përjetoja natyrshëm, e vuaja, e gëzoja, i dorëzohesha si një krijese duarsh mendjeje e shpirti. Isha krejt i vërtetë kur arrija në këto përfundime.

Ata le të besonin atë që arrinin, atë çfarë donin të besonin, pra që unë s’arrija të gëzoja për kësi gjërash ngaqë s’më mbetej kohë e lirë për to. Nëse u duhej, le të niseshin nga ideja se nuk isha meditativ. Do ishte më mirë, për mua dhe për ta. 
Secili bën zgjedhjen e tij. Se, në të vërtetë, ç’punë u prish tërheqja ime? Vetmia ime s’kishte punë me gëzimet e pushtetin e tyre. Unë hiqem e rri mënjanë, se kështu ndjehem më mirë. Nuk bëj me faj kërrkënd. U bindem në heshtje, pa asnjë kusht, ligjeve që miratojnë e mënyrës se si i zbatojnë. Bota ime në fushëvëzhgimin e tyre është pallati ku figuroj zyrtarisht, hapësirë e limituar, e mbyllur, mund të përfytyrohet filozofikisht në formë shpelle, por në gdhendje moderne. Në këtë pallat, për asnjë çast, s’mungojnë dritat, siç mjerisht ndodh në vendin tim të origjinës; jam larg zhurmës së atjeshme, pa menduar se do dëgjoja jehonën e thuktë të qetësisë së këtushme; i kam shpëtuar lojës së atjeshme pa rregulla, që fyente gjithkënd duke ardhur këtu ku jam jashtë çdo loje; i kam ikur me sukses pamundësisë së atjeshme për të qëndruar mënjanë. Pa asnjë mëdyshje atje isha tepër, gjë që s’është e njëjta me të qenin veç për veten, si këtu ku mungojnë ç’kisha atje: dielli në lartësinë natyrore, si dritë e madhe në kulmin e kubesë së qiellit, far në bregdet, kujtesë e ngrohtë se diku të presin. Këtu ku jam ka dritë, ka shumë më shumë llampa këtu, si frymëmarrje artificiale, me dritë të panatyrshme. Edhe dielli, llampë e mbyllur nga njeriu duket. Fort po shndrit ai diell e pak po nxeh...Bën të arrijë gjer ku jam mbyllur unë.

Perëndimi i përfytyruar, ishte tjetër. Mbase imazhi i krijuar për mungesat që ndjeja, ka qenë i pasaktë, i mugullt, i rremë. S’kam qenë tip ëndërrimtar, por kam ëndërruar, natyrisht. Më duhet ta them edhe këtë: më vonë, e kam kapur veten duke parë ëndrra të të tjerëve. Madje kam vazhduar të bëj kështu edhe pasi kisha kuptuar se cilët qenë ata që vendosnin përkatësinë e ëndrrave dhe interpretimin e tyre.

Ti s’ke pse e mundon veten kaq shumë, shtova. Është e pamundur, përveç e kotë fare, të mendosh ndëshkimin a shpëtimin tënd, të një individi, familje, fisi a të një vendi të vetëm. Njerëzimi është i tëri një qenie e vetme, krej-e-fund. Diçka kish ndodhur me të, që ai vendosi ta mërgojë pjesë të vetes. Tashmë gjithçka është në lëvizje. Perëndimi ia ka mbushur mendjen vetes dhe të tjerëve se duhet shkuar për te ai dhe lindorët s’bëjnë durim, janë nisur më këmbë për tek dritat e perëndimit. Një Zot e di si do jetë njeriu nesër, se si do jetë kjo botë nesër, s’thuhet dot më mirë apo më keq, por sigurisht që do jetë ndryshe. Perëndimi që është sot, ka brenda trupit Lindjen, pasi më parë prej saj është lindur. S’ka asnjë shans t’i ndahen njeri tjetrit. Dhe ne s`bëjmë mirë, s’ka pse, të përdorim dy emërtime për të njëjtin trup.

S’kam drojtje se keqkuptohem, pretekst të mos dëgjohem, asnjë shkak të keqinterpretohem. Aq më pak të ngjallë mëri këndej. Sepse e di, e njoh veten, s’kam qenë dhe s’e kam ndjerë veten asnjëherë të asaj Lindjes që i druhen këndej, kurrë. Jam ndjerë tepër duke qenë atje, për arsye krejt të tjera. Edhe para se të Lindja atje, kam përvojë të jetëve të tjera, të mëhershme. Kam jetuar orët e ditët e netët e tim eti, shpresën e zhgënjimet e tij, jam shkak e pasojë e ikjes së tij prej vendlindjes, lot i dhimbjes së nënës që shkoi të kërkonte Mirësjelljen Familjare, jam. E megjithatë më duhet të them, për vete e për ju, prej andej kam ardhur. Midis tyre u ngjiza, provova të mbetem, u mëkëmba. Lashë pas gëzime e dhimbje, hera herës ndjej se e kam shenjën e destinimit prej djepit, por u nisa për kismet, dhe më faniten ç’lashë atje, këtu ku erdha...

Atdheu nuk është kurrë humbje vetjake. Shumë e më shumë njerëz të sotëm po mësohen të rrojnë pa atdhè. Ikje të tilla, si nga vendlindja, janë tmerrisht të guximshme, trimërore, janë sfida ndaj natyrës, trondisin ekuilibre, my friend, po i thoshja vetes. Por mos u habit, mos u lëndo, nëse ndokush s’e ndjen këtë lloj tërmeti, nëse vetminë tënde s’e vë re kush, madje edhe nëse s’ta çmojnë sprovën për ta pranuar atdheun e dytë pa e njohur. Natyra është gjithnjë njerëzore në rrjedhën e saj, ndryshimi ka ndodhur në natyrë, tashmë...

Herë pas here më gjëmon si daulle brenda kokës mëdyshja, dyshimi, zhgënjesa, nëse ikja, së paku ikja rrënjësh, prej vendlindjes, ishte zgjidhje. Mbase tërë Ikja e Lindjes për Perëndim s’ishte zgjidhje. Jo thjesht për shkak të relativizmit të horizonteve. As unë, thjesht individi i kësaj bote, nuk iki dot me të gjitha, nuk iki dot i gjithi. Si mund të shpresojmë, atëherë, lëvizje pa dramë të zonave të tëra demografike. Tërë ç’mund të merret me vete, si bagazh i lejueshëm avionësh, s’mjafton kurrë për tu ndjerë i natyrshëm atje ku zgjedh ose detyrohesh të vendosesh. Ajo që mbetet pas, është gjithnjë shumë për të shpresuar se mund të bësh edhe pa të. Ajo që ke lënë pas është aq shumë munguese, s`të lë të jesh atje ku shkon. Ashtu siç është e shkuara, që ti e ndjen të pamundur ikjen. Vetë planeti, duke u rrotulluar nga perëndimi në lindje është pak ashtu dhe pak kështu, si Tina në sytë e atyre që s’dinë pse kanë marrë udhët e një bote, ku ajo ndjehet më mirë se ata, dhe mu prandaj edhe e qortueshme prej tyre. 
Rrallë e më rrallë po shihesha me Tinën, si me bashkëkombasit e tjerë, por kurrkush nuk kërkonte shpjegime, përderisa të gjithë kishim kryer më parë ikjen e madhe, nga Atdheu. Mbase arrihej reduktimi i dimensioneve të Ikjes, më shpejt se ardhja e Shenjtit...

Tagged under Faruk Myrtaj