Krijimtari

Zëra në lavjerrës, romani i ri i Kristaq Turtullit

Para pak javësh, Shtëpia Botuese ProkultPress në Prishtinë ka hedhur në qarkullim romanin e ri të autorit shqiptaro-kanadez Kristaq Turtulli, të titulluar “Zëra në lavjerrës”

Sipas botuesve, ky roman eshte pjesa e parë e një Sage, dedikuar familjes korçare Madhi, familje përfaqësuese e klasës së sapolindur borgjeze në Shqipërinë e shekullit të kaluar gjatë periudhës së mbretërisë.

Duke i uruar suksese autorit, FlasShqip po publikon një fragment të shkurtër nga romani i sapohedhur në treg.

***

Krejt ndryshe ndodhi me drejtorin e Liceut Mikel dhe motrën e tij Renatë. Qyteti u hutua. Mbeti i pagojë. Drejtori Mikel, i respektuari dhe enigmatiku i qytetit. Dikur, vite më parë, u propozua kandidat për deputet. Mblodhi shkollarët në sallën e kinemasë së qytetit, mbajti fjalimin më të çuditshëm të dëgjuar ndonjëherë. Ndërpreu pa e filluar mirë fushatën elektorale, pa u vënë veshin ankimeve, sharjeve, presioneve të partisë që e propozoi. Ithtarët më të zjarrtë të indinjuar u turrën drejt shtëpisë, me pishtarë ndër duar, sharë dhe ulëritur. Donin ta digjnin të gjallë. Armiku i dreqit, tradhtari, duhej ndëshkuar pa mëshirë. Fjalimi i drejtorit të Liceut Mikel ishte pështjellim, shpartallim, nxitje për fatalitet. Luftë e hapur kundër të gjitha partive. Ligjëratën e mbylli duke thënë:

“Qytetasit e mi të dashur, drejtësia dhe e vërteta do jetë atëherë, kur partitë të përfaqësohen nga njerëz, që të mos kenë xhepa, ku të futin paratë e vjedhura, të rrëmbyera dhunshëm prej të varfërve, të pambrojturve, fatkeqëve. Gjithçka është idiotësi qytetasit e mi. Dhe unë që ju flas juve, jam pjesë e tërësisë idiote të kësaj shoqërie...”

Këshilli i lartë i drejtësisë së partisë “Dora e Zezë” vendosi: t’i vihej zjarri shtëpisë, me një djegie spektakolare, të përshtatshme për Dorën e Zezë. Pushti drejtor zhduku besimin dhe nxori në shesh sekretin e madh. Të disiplinuar, me urrejtje, marshuan drejt shtëpisë kështjellë, ngarkuar me bidonë me benzinë.

“Ç’ të bëjmë?”

“Drejtori i fandaksur duhet përvëluar i gjallë.”

“Kë të besojmë dhe, kë të mos besojmë?”

Disa qytetarë të ndërsyer flakën pishtarët në oborrin me trëndafila të drejtorit.

“S’ka mëshirë për ta,” - hungëritën: - “Veçse shkrumbimi.”

Dëgjuan klithma të tmerrshme.

- Shpo- rru- ni.... !

Te dera u shfaq si një shqiponjë, e çmendura, motra e drejtorit. Fustani i bardhë prej fanellate të trashë i zgjatej deri në fund të këmbëve. Flokët e rrallë, të bardhë, të çakërdisura si driza të rritura në tokë të thatë. Gungën që e mbulonte me kujdes, e shfaqi përbindshëm përpara turmës, si një qenie prehistorike. Klithmat e saj mpinë turmën, ishin të panatyrshme:

Në duar mbante kopanin e madh të rrobave.

- Gre-mi-su-ni!

Sokëllima e saj qe tmerr i vërtetë. Nuk ngjante si femër, por një tjetërsim i lemerishëm, i shkulur prej dheut. Kopanin e madh e vërtiste furishëm sa andej këndej. Në dritë hijet e pishtarëve, gunga e ngjante si një ngrehinë përbindëshi. Shenje e keqe. Njerëzit u prapsën:

- Doli kuçedra, - klithën të llahtarisur. Flakën pishtarët në rrugët e kalldrëmta dhe, ikën nga sytë këmbët.

Pak besonin që ajo qenie të qe motra misterioze e drejtorit të Liceut Mikel, por një shenjë e mbrapshtë mbirë nga dheu. Të lemeritur vraponin nëpër natë.

Përfytyrimi i motrës së drejtorit Mikel, femrës së pakët, të mefshët, zëulët si pëshpërimë, shkurt, hije fatkeqe, ngelur aksidentalisht mbi dhe. Por uragani i saj qe i papërballueshëm, llahtar. Fantazma s’ishte motra e drejtorit. Kush atëherë?! Ndoshta, drejtori, pjellë e së keqes, një dyfytyrësi, që shfaqet dhe humbet në terr. U dërguan përgjues të mernin informata të hollësishme. Dikush u përpoq të hapte derën, tinës, natën, të hynte në oborr. Shtëpia qëndronte hijerëndë, rënduar nga një shtresë e rëndë qindravjeçare. Vërtitej një ajër i ndenjur, i athët. Përgjuesi vështroi rreth e qark dhe u çapit në oborr. Asnjë frymë njeriu. Vendosi majat e gishtave në shkallinën e parë. I ngriu zemra. U drodh ajri nga sokëllima. Gjethet e pemëve u këputën, ranë përdhe. Në krye të shkalleve qëndronte fantazma me gjënë e frikshme në duar. S’mund të qe një kopan i thjeshtë druri, por ferri vetë. Përgjuesi u tërhoq i tromaksur dhe iku nga sytë këmbët...