Krijimtari

Si të mos e themi një Fjalë - Nga Faruk Myrtaj

Si të mos e themi një Fjalë…

S'mund të mos e themi një Fjalë,

Secili prej nesh, që jetuam ato vite

dhe s’mundëm ta themi një Fjalë për Lirinë...

Si prindër, si burra, si Njerëz

Në mos si radhitës së shkronjave në fjalët e nënshtruara…

Heshtur mbetëm, si anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve

e patëm më lehtë të ndërronim emrin e Partise, ta mbyllnim krejt Lidhjen,

se sa të kërkonim Ndjesë atyre që folën edhe në kulmin e epërm të trekëndëshit…

Edhe emrin e sistemit, e ndryshuam si këmbim dinjiteti në natyrë

për të mos kërkuar ndjesë për Havziun,

ne, që as per Trifon Xhagjikën nuk Folëm...

Nuk u bëmë dot Fëmija i Andersenit,

të ngrinim zërin: Mbreti është pa rroba!

"Atdheu eshte lakuriq!", tha, në gjyqin pa ministri drejtësie

Xhagjika, vëllai më në jug i Havzi Nelës që kthehej i lodhur nga puna e detyruar,

dhe lante veglat e punës, si nderim për djersën e Njeriut...

Pastaj hiqej mënjanë nesh, që mbase I jepnim të drejtë, por heshtnim.

Shkruante Havzi Nela variantin verior të lirisë së Poetëve të Librazhdit…

Nuk folëm as për Vilsonin dhe Genc Lekën,

As ne që mbushnim gazetat me slogane dhe kërkonim çmime prej Republikës

Që, po ato kohë, nënshkruante mos-Jetën e Poetëve që Folën për Lirinë e Fjalës…

Sot e kësaj dite heshtim, Mjeshtra të Mëdhenj, Ndere të Humbur të Fjalës së Lirë…

Mezi presim të vdesim pa folur, nderuar prej inercisë së turmës së heshtjes dikur…