Dy fabula nga Vangjush Saro
MONEDHA
Një Monedhë e vockël, qesharake,
me qiellin, malin, detin
bënte llafe:
“Në të gjithë botën “e lavdishme”
unë jam gjëja më e rëndësishme:
Blej e shes dhe kthej përmbys dynjanë.
Dorëzohuni pa kushte, o mjeranë!”
■
Heshtje.
Rrokulliset tej monedha trime,
të gjejë vendin ku pëlqejnë fjalimet…
NGUSHËLLIM…
Ishin nderur mbrëmje e mjegull bashkë,
kur te një kotec ndaloi Dhelpra.
Ndonjë shteg kërkonte nëpër natë,
plasi dhe s’e gjente dot e shkreta.
Si rrëmoi e kërkoi ashtu kot,
(s’paskej këtë mbrëmje shteg a thelë)
zu të kthehej prapë te strofk’ e ftohtë.
(Ajo gjendej në korije thellë;
dhe asgjë, asgjë s’kish për të ngrënë.)
Thoshte Dhelpra: “Faj unë s’kam aspak;
sonte, si për dreq, nuk kish as hënë.”
Ngushëllimi po i bëhej vakt…



