Mështeknat - Nga Vangjush Ziko
Mështeknat shushurijnë pas dritares sime
Dhe gjethet dot nuk mund t' i numërojnë,
Mos u çuditni ju në se mendimet
Në vargje veç pranverës i këndojnë.
Mështeknat heshtin pas dritares sime,
Në gjumë aq të bardhë kanë rënë,
Mos u çuditni ju në se mendimet
Në vargjet time kanë dritë hëne.
Mështeknat digjen pas dritares sime,
Në vesëra të arta janë larë.
Mos u çuditni ju në se mendimet
Në vargjet time zjarr më kanë marrë.
Mështeknat ngrijnë pas dritares sime,
Të zhveshura e palëvizur rrinë,
Mos u çuditni ju në se mendimet
Në vargjet kan' acar e suferinë.
Dhe ndonjë ditë unë n' u mbështetsha
Të prehem qetësisht nën gjelbërimet,
Mos u çuditni ju në se mështeknat
Do shushuritin këngën time.



