Shuplaka - Tregim nga Kristaq Turtulli
-Kanë kaluar shumë vite, gati gjysmë shekull dhe, sot e kësaj dite më përvëlon faqja nga shuplaka e parë dhe e fundit e tim ati. Babai im, ndjesë paste, ndërroi jetë herët, kur isha ushtar, larg, me shërbim. Më dhanë lejë me vonesë. Udhëtova natën. Arrita kur e varrosnin. Munda të hedh një grusht dhe, - më tha Nestori, miku im.
U kollit, la filxhanin e kafes në tavolinë dhe nga xhepi brendshëm i xhaketës nxorri një fotografi të vjetër. Pashë një burrë të hijshëm, flokëzi, kaçurrel, me nishan të madh, si yll në ballë. Ulur këmbë mbi këmbë në kolltuk:
- Ja, ky është im atë. Siç e sheh, i pashëm, ka qenë i heshtur, fjalë pakë. Dikur i pasur, i respektuar, më vonë i vuajtur dhe i përndjekur nga sistemi. Ndëshkonte rrallë, për të mos thënë kurrë, por atë ditë më dha shuplakë të fortë. Shungullima e saj më ushton në vesh dhe sot e kësaj dite.
Nestori heshti në hop dhe vazhdoi:
-Ishim një grusht fëmijë, të një moshe, të mëhallës së “Arkondëve”, mblidheshim, luanin me top në sheshin e vogël, me dy-tre akacie të vjetra anash, pranë rrugës që çon në të përpjetën e kishës së “Shën Thanasit”.
Meqenëse prindërit tani ishin të varfër, në pamundësi të krijonin kushte luksoze si blerja e topit të futbollit, topin e sillte Leni fënda, biri i Kuron nursëzit, bereçkë zezës, shoferi i skodës së madhe çeke. Kuron nursëzi ishte ndër të rrallët në qytet që bënte udhëtime të gjata jashtë shtetit. Mëhalla përgjonte në dritare hijen e Kuronit kur kthehej, prej asaj bote të madhe, të mistershme shpinë rënduar nga trastat që mbante. Përflitej, në shtëpinë e Kuron nursëzit gjen dhe qumësht dallëndysheje. Vështronin me zili dritaret e mbuluar me perde tyli.
Leni emrin e plotë e kishte Marlen, shkurt e thërrisnin Leni fënda, meqë ishte tekanjoz. Kur nevrikosej i shpëtonte fenda, qelbte dynjanë. Pronësia e topit e bënte të kërkuarin, grindavecin dhe më të mërzitshmin e mëhallës. Na detyronte të linim lojën në mes, kur Vanthia e ëma i sillte bukë të bardhë me gjalpë dhe reçel. Na ligështonte ndërprerja e lojës, dhe na lëngëzonte gojën buka me gjalpë lope dhe reçel qershie.
Ushqimet e fëmijërisë sonë ishin të varfra; bukë e zezë me vaj e kripë, sheqer me ujë, lëng fasule, marmelatë dhe, në pamundësi nga gjithë këto salltanete, rrëmbenim bukën thatë të na skuqej faqja nga “shëndeti” dhe turreshim jashtë në rrugë.
Shpesh herë më binte mua dhe Lenit të përfaqësonim skuadrat kundërshtare dhe të zgjidhnim shokët e grupit. Vija i dobët, i hajthëm, por lavrak dhe luaja mirë. Ndërsa pronar i topit Leni ishte bullafiq, i ngathët si gic i vogël. Sa herë humbte, bënte një fëndë, rrëmbente topin, nxirrte gjuhën dhe ikte me vrap. Na linte lojën në mes. Me kursimet tona blemë në dyqanin e vjetërsirave të Simo hundës, një top të vogël, por ishim krenarë, s’do guxonte kush të tallej më. Lenit s’i pranuam topin e madh. I murrëtyer flaku topin nga avllia, theu disa tjegulla, u afrua kokë ulur si pulkë e lagur.
Në fund të Qershorit, Kacani u kthye me pushime nga shkolla e përgatitjes fizike që ndiqte në Tiranë. Kacani ishte disa vite më i madh se ne. Shkolla e përgatitjes fizike i kishte zgjeruar shpatullat, shëndoshur krahët, trashur zërin dhe vërtitej i fryrë në mëhallë. Ne sakaq ja vumë nofkën “pordha”. Kacan pordha qe i biri i Milot berberit, vëlla me Kuronin. Një mur i ndante. Dy vëllezërit bënë sherr ca kohë për murin ndarës. Kuroni kishte paranë, por Miloti kishte “shtetin e brendshëm” dhe bënte hatanë. Pas disa përleshjes, ku merrnin pjesë dhe gratë, fitoi shteti i brendshëm, muri u shty gjysmë metra më tej. Milot skuthi qethte kokat e të burgosurve dhe të internuarve dhe u blinte mendjen.
Leni u krekos si gjel pa pendë me ardhjen e kushëririt. Nuk është pak të kesh krahë Kacan mundësin, që rrëzoi me një grusht përdhe Reis sherrxhiun e mëhallës së duhanxhinjve. Leni duke luajtur me djallëzi syrin dhe gati me urdhër tha:
-Hajt të luajmë me topin tim, të kuq, e solli babi nga jashtë.
S’pranuam. I kthyem shpinën. U detyrua të pranonte të luante me topin tonë.
Kacan pordha, i fryrë erdhi dhe u ul në një bythë peme. Mbante veshur kanotiere mundësi, të dukeshin muskuj dhe nisi të ndiqte lojën tonë. Hante fara lule dielli dhe pështymte me zhurmë në fushë.
-Hej jam unë këtu – tha - S’dua tërci mërci.
Prania e tij na shkaktoi bezdi, por vazhduam lojën. S’mund ta harroj deri sa të jem gjallë, driblova Lenin. Mu turr me inat, e driblova përsëri dhe shënova golin e dytë. Nuk e lija Lenin të mbante top në këmbë dhe Kacani ulur në bythë të pemës pështynte, hungërinte dhe e nxiste kushëririn, mos më linte këmbë. Unë përsëri e driblova dhe shënova golin e tretë. Tërbimin i Kacani arriti kulmin, i bërtiti kushëririt me sa kishte në kokë:
-O qull i dreqit, sulu ore, dërmoje, merrja shpirtin krimbit, kulakut.
Leni më goditi në brinjë me bërryl dhe u zgërdhi. E shtyva, më dhembi brinja. Leni më goditi përsëri. U ndala e pashë me inat. Ai u tulat. I ndërkryer, i përskuqur në fytyrë nga fjala fyese, iu ktheva Kacanit:
-Kacan s jam krimb spiuni! - ia ktheva.
Mëhalla e dinte mirë, i ati, Milot berberi i të burgosurve, ishte vullnetar i “shtetit të brendshëm”, spiun me damkë.
Kacani u nxi nga inati, shkrofëtiu dhe u turr të më godiste.
-Kujt i thua kështu mut i mutit?!
-Ty të them, - i flaka topin në fytyrë. Ai u pengua me këmbët e veta dhe ra sa gjatë gjerë në fushë. Ja krisa vrapit drejt së përpjetës që çonte në shtëpinë time. E dija që Kacani si dem do më bluante.
-Bjeri ore, qëlloje me gurrë, - dëgjova zërin e ngjirur të Kacanit që nxiste Lenin, por me bisht të syrit pashë që më qëllonte me gurë dhe ai. U shmanga sa munda, u dredhova gurëve që hidheshin drejt meje, fshihesha nën strehët e dyerve. Dhe pesë dyer kisha të mbërrija te dera e shtëpisë sime.
-Krimb kulaku, po të zura pestil do të bëj, - bërtiste Kacani.
-Të më hash munë krimb spiuni, muti, - ia ktheva.
Më në fund arrita te dera e shtëpisë. Mbështeta shpinën tek kanati i derës, u mbusha me frymë, me shpresë që krahu i Lenit nuk e hidhte gurin aq larg ku isha unë. Por e flakte mundësi Kacan. Krahu s’më arrinte të tërhiqja rripin e lëkurtë që mbante lidhur gjuhëzën e derës. Kur pandeha që ata u lodhën së flakuri gurë drejt meje, lëviza prej vendit të hapja derën, por instinktivisht vështrova poshtë në rrugë dhe, pashë Kacanin që hapi krahun dhe lëshoi gurin drejt meje. Shpejtësia e hedhjes ishte më e madhe se ngutja ime të hyja brenda. Dëgjova krisjen e kokës sime si shalqi. U kalamenda dhe u plasa te pragu i derës. Më buçiti gjaku. S’më kujtohet sa qëndrova shtrirë, por kur hapa sytë dhe bëra të ngrihem dallova babanë që u zgjat drejt meje, më kapi nga krahët, më ngriti në këmbë. Vështrim vrenjtur, zërënde më pyeti:
-Kush të katandisi kështu?
Unë aq doja, kisha nevojë të nxirrja gjithë dertin tim; të shprehesha, të ankohesha, të qaja me dënesë, si te Kepi i shpresës së mirë. Fshiva lotët përzierë me gjakun që më rridhte çurg e me zë si piskamë thashë:
-Ë, ë, ë, ë, nuk kisha asnjë faj o ba... Ata... Kacani, i biri i spiunit, Leni...ë, ë, ë, ti e di si janë ata... më tha...
S’më la të mbaroja. Fap, mu përcëllua faqja nga shuplaka e rëndë e babait. Koka më shkoi mënjanë dhe kanati i derës u spërkat nga gjaku.
-Turp të kesh, - hungëriti babai - Cilido qoftë. Mos e lejo veten të katandisin në këtë gjendje.
‘Të kem turp?! Por më ranë në qafë o ba, më tha... më gjakosën. S’jam krimb kulaku, po bir fisniku, o ba... gati sa nuk i thashë’.
Ndërsa babai vazhdonte të gërmuqej:
-Kur s’je i zoti, mos i hyr sherrit, vëre vëth në vesh. Hajt shko te jot ëmë...
Gjaku rridhte rrëke, më qullte qafën, këmishën. Binte me pika të mëdha në pllakat e oborrit.
-Unë.., ai...
-Largohu të thashë...
Fjala dhe shuplaka e babës ishin më të rënda se guri i Kacanit. Nuk hyra në shtëpi. Pa ditur ç’të bëja, u turra tatëpjetës, në rrugë, drejt sheshit. Si nëpër mjegull pashë fytyrat e zverdhura të shokëve dhe fytyrën e përskuqur të Kacanit. Gjaku më binte rrëke, në fytyrë dhe në qafë. Me sy të zënë nga gjaku dhe djersa, ecja këmba doras, rrëmbeja ç’gjeja, ngrihesha i ndërkryer dhe i flakja pa ndërprerë drejt tij, dhe gërthisja:
-Na, na, qen, spiuni i qenit.
Kacani i trembur dhe i hutuar nga që nuk e priste furinë time eci së prapthi, duke u kalamendur. U kthye, iku me vrap, nga sytë këmbët. Isha në gjendje amoku. Më mbahej fryma dhe toka më rrotullohej. Ai u zhduk pas derës. Unë vazhdova të qëlloja me gurë derën e shtëpisë së tij, deri sa s’më mbajtën më këmbët. Toka bëhej e pjerrët gjithnjë e më shumë, si e tatëpjeta e “Shën Thanasit”. Po shkisja, rashë, u ngrita, rashë përsëri. Nuk doja të dergjesha i përgjakur te dera e spiunit. Kurrë te qelbësirat. U ngrita gjithë nerva. U turra dhe nuk e di se ku, dhe, si nëpër mjegull dëgjova nënën që bërtiste:
-Bir i nënës, bir i nënës, lëri dushmanët...
-Çojeni në ambulancë, - tha dikush tjetër.
- E dija të urtë këtë djalë, - tha një tjetër: - Qenka tigër.
-Eh, e zuri gjaku, - hungëriti dikush tjetër.
Doja t’i kthehesha hungërimës: ‘Hej s’më zë gjaku, jo, por fjala dhe shuplaka e babait!’ S’munda. Gjuhën e kisha të trashur. Sytë më rëndoheshin gjithnjë e më shumë dhe koka më buçiste. Gjendesha në qendër të vorbullës. Ndjeva që më ngritën në krahë. Duhej të ishte nëna. Humba.
Kur hapa sytë gjendesha në spital, kokën të fashuar si hoxhë dhe fare pranë meje pikonin trishtim sytë e nënës...
-Ja kështu. S’mund të harroj shuplakën e tim ati, - foli ultas Nestori. Piu lëngun e zi të fund filxhanit dhe shtoi - Im atë ishte njeri i rrallë, por iku herët...
S’fola. Nestori psherëtiu dhe tha:
-Eh, kushedi sa do ligështohej im atë kur të shihte Kacanin, birin e spiunit që edhe në demokraci ka 25 vjet që bën pallën e ariut. Deputet dhe ministër...



