Krijimtari

Parabellum - Nga Flurans Iia

Avulli i trashë i trahanasë ia vesh sytë me një pah dimëror. Yndyra e cingaridheve të skuqura rrjedh si llavë e nxehtë midis pirgjeve të koreve të bukës që ngrihen si kreshta të papritura në kufirin rrethor të pjatës së ciflosur të cingos. Speci i kuq djegës i kutërbon flegrat e hundës. Turfullon. Përtypet. Vështron lart. Drejt e mbi murin e dhomës së ngrënies ku është vendosur portreti i udhëheqësit të shtetit. E nderon me grusht. Një ritual i vjetër të cilin e kryen si besimtar sa herë që fut në gojë kafshatën e parë. Ha. Ngrihet. Rruhet me briskun e tij besnik. Vendos mbi krye kapelën e tij ngjyrë bërsie përpara se të shqitet prej pasqyrës. Ngjesh në brez dashnoren e tij të hershme, një pistoletë Parabellum Luger P08. Hedh krahëve pallton e vjetër ushtarake. Ngjesh pas këmbësh çizmet dhe del në rrugë.

Kafenë e mëngjesit e pi si gjithmonë te Klubi i Gjahtarëve ku ndez çibukun me duhan të grirë hollë hollë si bisedat e atyshme ku gjerbet kafe. Gishtat i therin sapo nxjerr nga xhepi i palltos tespiet që i ka kombinuar me fraza të ndërthurura për ditë kafenesh. Nuk pi asgjë tjetër veç një kafe të vetme në ditë. Është kjo pika e nisjes. Pastaj merr pyjet. Vështron pyjet. Përkund pyjet. U flet pyjeve. Askush nuk e kupton vetminë e një rojtari pyjesh. Gjersa venat i hapen dhe kalëron nën dihatjen e dregëzave të mardhura ndënë ngricë. Bën një i ftohtë jo i zakonshëm.

“Sot ndihem tërësisht dimër, i thotë vetes.”

I ngritur si lugat një natë më parë me një dëshirë të pashpjegueshme dhe të tejskajshme. Të mbysë plakën me atë lloj dalldie që i ndodhet dhe po i ndodhte atë çast ndërsa ajo flinte. Një gjë që i ndodh gjithmonë edhe më rrallë por që herë pas here i vërsulet ndër ëndrra të makthshme... Nga muret e vështronin klasikët. Të katër portretet e tyre të vendosura mu te koka e shtratit e vështronin. Ishte si një orgji kolektive. Sepse për netë me rradhë plaka flinte si një plagë e vdekur. Ndërsa ai shtegëtonte pyjeve përmes shtegut të Kroit të Thatë aty ku rruga zinte zanafillën e njohjes së tij me dashurinë e kësaj bote, Parabellum-in e tij të pandashëm.

Dëgjohet zhurma e Moto Guzzi-t të korierit të postës. Çfarë lumturie kjo zhurmë motori?

I veshur me pallto të re ushtarake, çizme të llustruara gjer në gju, me një rryp ku mban të ngjeshur një pistoletë fringo të re, me kapelën e vet ngjyrë bërsie me dy sopatat përanash krahëve të shqipes dhe kurorën mbretërore të Savojës në krye. Motorçiklisti i ri ndalet përherë në buzë të Kroit të Thatë. Heq kapelën dhe e vendos mbi gur. Me kokën e zhytur mes gurësh aty ku buron burimi merr një pamje sikur pret të ndodh diçka? E kishte vëzhguar dhe njeh çdo lëvizje të tjetrit. Çdo çast të tij. Një ripërsëritje veprimesh që ndodh në hapërira të rregullta. Ai është duke e pritur aty mbi krua duke e vështruar fshehtaz nga lart.

E ngreh krahun ku mban sëpatën dhe e lëshon mbi kryen e tjetrit që ndahet si dy lëvozhga prej arre. Truri përngjan si thelpinj. Gjaku nuk pluskon mbi ujë, përkundrazi, përzihet me rrjedhën. Filloi ta ç’veshë viktimën. I shkul nga brezi Parabellum-in. Rrëmben kapelën me strehë duke ja shqitur simbolet. I çvesh pallton e re. Me zor i shqit çizmet prej këmbëve. E hedh trupin e viktimës së bashku me Moto Guzzi-n në humnerë. I vë flakë. Merr malet.

Në të gjitha vitet që qëndroi në mal nuk pat shkrehur asnjë plumb prej asaj pistolete. Natyrisht u armatos me ide dhe armë të reja sepse ishte shumë i ri. Kur lufta mbaroi dhe zbriti në fshat, Parabellum-i i kishte që të gjitha fishekët në asht. Një plumb i vetëm fshihet në gojë të armës së tij këtë ditë dimri. Në gojën e pyllit të pagojë e ç’veshur qëndron një pistoletë përballë tij. E hap gojën. Ndodhet nën dregëzat ku buron Kroi i Thatë. Shija e metalit fillon e zbutet ngadalë me një forcë të panjohur si të kishte qenë njëherë e një kohë, një emër i përvetshëm në lukuninë e emrave të përgjithshëm.

Montréal, 2019