Iku dhe Olivia - Nga Sami Milloshi
Mua më erdhi keq sepse nuk do ta dëgjoj më atë zërin e ëmbël të Olivias kur këndonte teksa lëvizte sa nga një kat në tjetrin nëpër labirinthet e bibliotekës.
Nuk i merrja vesh asnjë fjalë se çfarë këndonte, pasi ajo kishte lindur në ishujt Azore dhe këndonte këngë portugeze që i kishte mësuar në fëmijëri. Por zërin e kishte melodioz, a thua qe rritur ne La Scala... Sidomos mëngjezeve, ajo e mbushte gjithë bibliotekën me zërin e saj.
- Si nuk ndenje një ditë pa kënduar? - i thashë Olivias, kureshtar të mësoja se si i qe bërë zakon të kënduarit gjatë ecjes...
- Është diçka normale për mua - më tha - E kam zakon që nga fëmijeria kur dilnim në mëngjez bregut të detit me mamanë të pastronim leshterikët në plazhin ngjitur shtëpisë. Këndonte mamaja, Këndoja edhe unë...
- Çudi e madhe i thashë - tani, rrallëkush këndon duke ecur... Këndohet në koncerte, në dasma dhe në party, por nuk duket normale të shohësh a të dëgjosh dikë të këndojë duke ecur...
- Normale nuk është as te vidhet “Manuskripti” i James Joyce - tha Olivia- por ja që u vodh...
- U vodh se u hoqën detektorët elektronikë nga portat kryesore të bibliotekës... Se po të mos ishin hequr detektorët, do të gumëzhinte zhurma dhe do ta merrnim vesh se u vodh libri...
- Nuk është normale që i hoqën detektorët - tha Olivia...
- Anormale - më duket edhe mua.
- Sheh ti ndonjë gjë normale përrreth?
- Çfarë të të them? - u mëdysha unë.
- Nuk ke çfarë të thuash. Ime mbesë po qante mbrëmë se i kanë thënë se në ekipin e saj të atletikës do të garojë edhe një transgender. Unë kështu nuk kualifikohem kurrë, tha ajo... Të dal kampione as që bëhet fjalë...
- Nuk më duket normale - i thashë. Ata ose ato mund të bëjnë gara me njeri tjetrin - thashë unë.
- Ti kujton se po bën ndonjë zbulim. - tha Olivia.
- Jo, thjesht desha të them se edhe ata ose ato, ose as ata e as ato, mund të vrapojnë si gjithë të tjerët. - thashë unë.
- Ne duan të na bëjnë si ata dhe ato. Dhe kjo është e gjitha...- tha Olivia.
- Nuk ka punë kush më ty Olivia. Mos i zmadho gjërat...- thashë unë.
- Ti je naiv. Ti kujton se do të të vijnë të të marrin me zor të të operojnë atë që ke mes shalëve...
Një e qeshur e madhe plasi prej gojës së Olivias ndërsa unë po vrisja mendjen se pse ajo më quajti mua naiv, çka nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend.
- Nëse më quan ti naiv, kjo nuk është shenjë e mirë për mua Olivia. Kjo më tremb...- i thashë.
- Normale është të mos trembet njeriu - tha Olivia - Por është edhe më tmerrshme që një budalla të të mësojë se si të bëhesh i mençur. Ma ka thënë mamaja këtë kur pastronim leshterikët në breg të detit, atëhere kur këndonim sëbashku duke ecur...
- Kam shumë frikë Olivia. - i thashë - Kam shumë frikë se do ta rijetoj edhe një herë rininë time kur nuk mund të flisja atë që mendoja...
- Nuk është normale - të kthehesh në rininë tënde - tha Olivia- Po kush po pyet tani se çfarë është normale dhe çfarë nuk është... E more vesh ti se çfarë ndodhi dje në qytet?
- Jo - thashë unë - Më kishte këputur gjumi...
- Të gjitha kanalet televizive transmetuan live operacionin plastik të fytyrës së zonjës Ruth, kryebashkiakes sonë...
Kur doli nga salla e operacionit zonja Ruth dukej si grua në të dyzetat, paçka se i ka kapërcyer të tetëdhjetat...
- Kjo nuk është normale - thashë unë...
- Edhe unë kështu them, nuk është normale, po kush po na pyet ty dhe mua - tha Olivia dhe bëri të dilte nga porta kryesore e bibliotekës...
Më dha nje të puthur me pëllëmbën e dorës së djathtë dhe, ashtu duke ecur, filloi të mërmeriste një këngë të vjetër nga ato të Ray Charles...
Iku edhe Olivia si një re bardhë pas malit duke më lënë si komb në fyt një trembje që mbyt. Nuk di nëse do ta dëgjoj më ndonjëhere atë zërin e saj të ëmbël që e mbushte me aromë prej ftoi gjithë atë bibliotekë të vjetër...
©Sami Milloshi



