Në mes të katër rrugëve - Tregim nga Sami Milloshi
Ja ku jam në një udhëkryq. Me makinë të prishur. Pothuajse e kam bllokuar trafikun. Ata që kam pas shmangen dhe, gjithsesi më bëjnë shenjë nëse kam nevojë për ndihmë.
Unë jam krejt i hutuar. Dhe pyetja e parë që më vjen ndërmend është nëse duhej të kisha blerë një makinë tjetër, pak më përpara se kjo vjeturinë të më turpëronte kështu në mes të katër rrugëve...
Më kujtohet Harry. Harry-t i vdiq gruaja, zonja Marian.
- Kur të ndërrojë jetë njëri nga ne - më pati thënë Harry dikur, duke patur parasysh veten dhe zonjën Marian, - ai që do të mbetet vetëm do të jetë në udhëkryq...
Një truck kalon përanash meje dhe ndaloi nja dhjetë metra përpara makinës time rrangallë.
Shoh që nga truck-u dalin dy burra të zhgërryer në vajra dhe me bluza e pantallona pis.
- Çfarë po bën këtu? - më pyet njeri prej tyre.
- Po kujtoj Harryn - i thashë.
Tjetri e pikasi shashtisjen time dhe më goditi si me tokmak në kokë kur më tha:
- Harroje Harryn. Tani duhet të lëvizësh kokën tënde megjithë këtë makinë. Se ke bllokuar trafikun...
Më mori çelësin e makinës dhe hapi kapakun e motorrit. Diçka vuri re.
- Ai rripi atje është këputur - tha - dhe prandaj ke mbetur në udhëkryq...
Kur ai përmendi fjalën "udhëkryq", mua përsëri m'u kujtua Harry. Harry më kishte thënë se unë duhej t'i blija makinat me dhjetë vjet diferencë me vitin aktual.
Unë ia kisha shkelur premtimin Harry-t dhe kisha blerë një makinë me pesëmbëdhjetë vjet diferencë. Kaq mbante kuleta ime. Dhe ndoshta, bash pse ia kisha shkelur atë premtim Harry-t, kisha mbetur ashtu si ulok në mes të katër udhëve...
Ai tjetri nxorri celularin e tij nga xhepi dhe nxitoi t'i telefononte kompanisë "AAA" të sillte një karrotrec të çonim makinën tek mekaniku. Erdha në vehte, m'u duk sikur më erdhi gjaku në fytyrë. Dikush po më ndihmonte...
Si mbaroi telefonatën, më tha se për tridhjetë minuta do të vinte karrotreci dhe se unë duhej ta prisja pa lëvizur. Dhe ikën të dy...
Nuk kaloi as një gjysmë ore kur njeri prej tyre, u kthye sërish. E pashë që mbante një qese plastike në dorë.
- Të bleva një kanoçe me Coca Cola - tha - Është vapë dhe ti ke nevojë të pish diçka.
Nuk dija çfarë t'i them tjetër veç:
- Kjo është Amerika e vërtetë, ta paça borxh...
Tjetri u ndërdysh pakëz dhe nuk e mori vesh se për çfar borxhi bëja fjalë unë, por ma preu copë:
- Nuk dua asgjë prej teje.
Bëri të ikte, por sërish u kthye sikur të kishte harruar diçka.
- Më fal – tha - po ai Harry që ti po sillje ndërmend kush është?
I thashë se Harry ishte një miku im, të cilit i kishte vdekur gruaja dhe se ai më kishte thënë se kur njëri prej bashkeshortëve ndërron jetë, tjetri mbetet në udhëkryq...
- Si unë - tha tjetri - duke kafshuar buzën e poshtme...
Dhe shtoi:
- Ta kisha ditur se kush paska qenë Harry do ta kisha blerë edhe një kanoçe Coca Cola tjetër t'ia çoje në emër tim.
- Ty të hëngërt goja mjaltë - i thashë, por Harry-n e kam larg, nuk ia çoj dot, ai nuk është në këtë qytet. Është larg në një azil pleqsh në një qytet dhe shtet tjetër.
- Thuaji njatjeta për mua - tha tjetri dhe iku duke më përshëndetur me pëllëmbën në ajër.
Ndërsa nuk kishin kaluar as dhjetë minuta, unë isha bërë tjetër njeri dhe po mendoja se si të blija një makinë të re, sipas kodit që më kishte thënë Harry, dhjetë vjet më të hershme se ky vit i zi pandemie...
Sakaq befi karrotreci mu tek këmbët e mia...
©Sami Milloshi



