Krijimtari

Shijet e ngrënies të zonjës Paulinë - Tregim nga Sami Milloshi

Gjithë çfarë po tregonte zonja Paulinë nga udhëtimi i saj në Venecia lidhej me darkat e drekat e saj. Më shkoqur, prirja e saj ishte të tregonte llojet e ushqimeve që kishte ngrënë.

Unë isha përqendruar tek fjala e saj të kuptoja se pse zonja Paulinë i jepte kaq vëmendje detajeve të ushqimeve që kishte ngrënë në Venecia.

Nuk po arrija ta kuptoja arsyen pasi ajo rradhiste një dyzinë gatimesh, a thua se kishte qenë kamarierja që u ripërsëriste menunë vizitorëve të restoranteve. Por, ai momenti kur i qe sulur me një fjalor shpërfillës dikujt që kishte pasur në krah në tavolinë, ma zbuloi arsyen e vërtetë.

Zoti Hektor në krah të zonjës Paulinë, kur kamarieri kishte marrë porosinë, si pjatë të parë kishte porositur një sallatë mesdhetare me turshi. Mundësisht me lakra, qepujka dhe kastravecë.

Ende pa e mbaruar porosinë zonja Paulinë i qe sulur si fajkua:

- Hektor, mos u trego fshatar, jemi në Venecia këtu, nuk jemi në Rrashbull të porosisësh turshi...

Hektori, sipas zonjës Paulinë kishte heshtur, por kamarieri venecian, gjithsesi e kishte kryer porosinë, ia kishte çuar pjatën me sallatë mesdhetare.

Pastaj e mori fjalën zoti Tavanxhiu. Ai nisi të na tregojë për një udhëtim në Vjenë. Edhe ai, i yshtyr nga zonja Paulinë filloi të tregonte fund e krye menunë, por më shumë u ndal tek llojet e birrave që kishte pirë. Dhe, më e mahnitshmja ishte, sipas tij, se birra prodhohej aty në restaurant. Ai e tregoi imtësisht se si kishte parë shkumëzimin e birrës nëpër tubat transparentë, gjer kur më në fund, derdhej në gotat e qelqta stërmëdha.

- Më kujtonin lugun e drunjtë të kroit të fshatit - tha zoti Tavanxhi duke dashur të bëjë një krahasim nostalgjik.

Në çast, zonja Paulinë i ndërhyri edhe atij:

- Fshatar edhe ti!

- Po pse? - guxova unë ta pyes zonjën Paulinë.

- Sepse është e pamundur të të kujtohet lugu i drunjte i kroit të fshatit në mes të Vjenës. E njoh Vjenën mire, kam qenë me dhjetra herë. Eshtë absolutisht e pamundur...

- Ndoshta - thashë unë - Nuk kam qenë ndonjëherë në Vjenë...

- Po ti jo në Vjenë, po as te Pazari i Milotit nuk ke qenë - tha zonja Paulinë duke më shpërfillur edhe mua, madje edhe më egërsisht se zotin Tavanxhiu.

- Po kjo nuk do të thotë se unë kam mbajtur peris - thashë unë - se ndryshe do kisha vdekur. Kam ngrënë edhe unë diçka dhe prandaj jam gjallë ...

Plasi e qeshura.

- Po hë pra, pse ti nuk je në gjendje të na tregosh se çfarë ke ngrënë nëpër restaurante?

- Unë nuk shkoj në restaurante, zonjë - u gjegja - unë ha në shtëpi. Ha atë që gatuan gruaja dhe, ndonjëherë, ha atë që gatuaj edhe vetë. Por, për të mbajtur mend se çfarë kam ngrënë, zakonisht, nuk mbaj mend as atë që kam ngrënë mbrëmë në darkë...

- Ah, - psherëtiu zonja Paulinë - ky nuk është lajm i mirë. Ti more zotëri me këtë harresë duket se ke shenjat e para të Alzajmerit. Ne mbajmë mend çfarë kemi ngrënë poshtë e përpjetë nëpër Europë, ndërsa ti harrron çfarë ka pasur mbrëmë duke zier vorba jote...

U zura ngushtë. Por, lavdi Zotit, që më dha shkëndijën e përgjigjes:

- Por, gjithsesi zonja Paulinë - vazhdova unë, sikur të isha çliruar prej një ankthi - e mbaj mend mirë se çfarë më gatuante mëma për mëngjez kur isha kërthi i vogël. Edhe pse kanë kaluar gjashtëdhjetë vjet. Ishte një përshesh me valë dhe me tëlyn që nuk e gjeni ju as në restaurantet më luksoze të Venecias apo të Vjenës...

Zonja Paulinë heshti një copë herë dhe nuk e di se pse...

©Sami Milloshi