Krijimtari

Muze si shpellë e njeriut të parë - Tregim nga Faruk Myrtaj

“Gjithçka është raport me historinë”, përsëriti dhe prej lartësisë së tij këqyri që të tjerët aty ta merrnin vërtet seriozisht. A si të donte të thoshte: “Ende s’besoni se për të hyrë në muze jetojmë?!”

Në sinqeritet shterues, thuajse gjithnjë i pabesueshëm, s'e shmangu çuarjen e frazës deri në fund. Edhe pse, në këtë truall kjo gjë dihej edhe pse nuk pranohej, kush e di përse. Nëse këtu niseshe për t’u bërë me pushtet, fillonte bërja i paqartë, i padashur, i dyshimtë, si për t’u rrëzuar menjëherë.

Keqkuptimi ishte fat shoqërues për çdo individ në historinë e këtij lloj shteti, të këtij vendi a populli “…në të cilin ndodh të lindemi, pa e zgjedhur”, shtonte ai. Pa u kujdesur se mund të keqkuptohej.

E lëshonte kësisoj fjalën hera-herës, prej motesh. Donte me se s’bën t’i ikte këtij lloj fati, së paku këtij lloj perceptimi, vazhdimësie farsë, shtirje e pafund Njëshash pranuar pa dëshirë nga tërë të qeverisurit atje poshtë?

Askush prej paraardhësve s’kishte shpëtuar nga përfolja. Jo veç prej zorit të uljekokës, faljes si qenie vdekatarë humane në gjallje, por as prej braktisjes lënduese kur ata atje poshtë të shihnin të rrëzuar, përmbysur, pa fjalë dhe pikërisht atëherë ata s’të hidhnin as sytë, kur po ata, deri në minutën e fundit tënde atje lart, mezi prisnin theqafjen tënde...

Kurrkujt prej të epërmeve s’i ndodhte kurrgjë, as edhe mëria apo hakmarrja më e vogël, por pikërisht kjo lloj mëshire a ç’dreq ishte, e paartikuluar kurrë si e tillë, sipas tij e bënte edhe ngjitjen, po aq sa edhe zbritjen në pushtet, të pakripë, të pashije…të kotë, gjer edhe aktin e qeverisjes.

E veçanta e tij ishte se Ai vetë s’e vriste shumë mendjen për marrjen e tij nëpër gojë.

Për më tepër, e quante pjesë të parefuzueshme në udhën për t’u ngjitur dhe vetë ngjitjen, thjesht arsye për të vazhduar, këmbëngulje marroke, iluzive, vetëpërqeshëse dhe vetë horizontin për ku shkohej e pranonte si të pambërrishëm. Pse jo: le ta quanin si ngjitje të gurit të Sizifit.

Tërë të tjerët, provizorë e të vdekshëm midis Tij dhe Atyre atje poshtë fare, i shihte duke u ardhur pas.

Të tërë i konsideronte të ftuar ta admironin, por jo si vëmendje e tij; ua përsëriste shkoqur, në sy të të gjithëve të mos prisnin shpërblim; le t’i ecnin pas shpine - në mundshin, ngaqë e kishte hapin të gjatë, po të kishin qejf të vazhdonin udhën me të.

Nëse u ndodhte të mbeteshin pas, në rast se ritmi i ecjes së tyre dashje pa dashje vononte ngjitjen, aq më pak provokonte ndalesën, pa dhembje do duhej hapnin krahun, të binin ose të rrëzoheshin. Si çdo e shkuar, do harroheshin, nën kujdesën e heshtjes totale, në emër të bërjes përpara të të prirëve prej Tij, pa asnjë kusht. Nuk do t’ua fshihte kurrë, ata do duhet ta kuptonin dhe pranonin se edhe më të bindurit ndaj tij, edhe më të përkushtuarit, një ditë do binin, do rrëzoheshin e shembeshin në udhëpërpjetën për në Majë.

Vetëm Ai do t’i afrohej majës, prej tërë atyre të gjithëve që frymonin…

E çfarë se… Sizifi nuk e arrin majën?! Sizifi s’ka qenë kurrë simbol i të dëshpëruarve! Gjeratorja e jetëve, ajo është. Synohet çfarë s’arrihet dot, për të hyrë në muze, d.m.th në histori!

Tërë ata atje poshtë, që vinin pas tij, gjer edhe ata afër fare, të vetët e vet të tij, mbetën pa gojë kur në hollin e gjerë të pritjes u shfaqën një numër nudosh. Dukej fare shkoqur që mes klasikeve ishin edhe të Tijat. Nudo të tij ishin. Thuhej se të tijat ishin edhe fjalët sipas të cilave qëllimisht ishin shfaqur që t’u ofroheshin njerëzve që do bënin udhën pas Tij.

Doemos, do duhej të ndodhte kjo, që gjatë rrugës ata të mos merreshin më dukjen e tij. A s’ishte e vërtetë që njerëzia jetonte për trupin por trupin s’e njihte, edhe më pak trupin e meshkujve se të femrës dhe rrekej ta përfytyronte duke menduar se kështu jetonte? Në fotografi të tjera, të shfaqura kudo, më pas, kabineti i tij, në të dy anët e Tij, gjitha të përfolur edhe ata, njeri i veshur më këndshëm se tjetri dhe, në mes tyre, Ai, i allasojtë.

Më në fund njerëzia ra rehat. E fjeti mendjen: Çfarëdo përfolje, nuk do të përgënjeshtrohej!

Ata që e njihnin nga afër dëshmonin se edhe datëlindjen e kishte ndërruar për të hyrë si kronologji në histori dhe se ai hynte në beteja vetëm për të fituar, me çdo kusht. Në vend ta qetësonte pritjen e tyre të ndrojtur, pra t’u pohonte se tek e fundit, edhe kur ishte ngjitur ai ishte njeri nga ata dhe se gjërat do t’i kryenin bashkë, ai shpallte të kundërtën: të gjithë ishin të mposhtshëm prej tij!

Po pra, të gjithë dhe pa pushim të përgjuar. Përhapeshin të padëgjuara për askënd tjetër, për të shkuarën e tij, si i lindur në Dosje Misterioze Hapur Tjetërkund, në të vërtetë ishin përfolur edhe paraardhësit. Ndryshimi qëndronte se për të po besohej hapur se tërë këto pandehma i shpërndante ai vetë, edhe në kohë jo-pandemie dhe se, ndryshe nga paraardhësit, ai falënderoi në heshtje baladash se të tërë ato i kishin shtuar famë. Të cilën ai e kthente në pushtet.

Ju duhet të pushoni të vrisni mendjen për mua: atëherë do fillojmë të punojmë!

 &

Mbi tryezën e Zyrës së Parë të Shtetit ku më në fund arriti të ngjitej, vendosur në mënyrë që t’i binte pa pushim në sy atij vetë, qëndronte një kujtesë në shkronja kapitale, posaçërisht për të. E kishte në sy, pa bezdisje: A vlen kjo që po nënshkruan, kjo që vulos, ky vendim që po merr, për hyrje në Muze?

Që të mos humbte kohë për punët që do duhej t’i kryente dhe të vendmbërritjes si kurorë për to, thirri menjëherë arkitektin më të famshëm mes të gjallëve.

‘Ne jemi kundërshtarë’, i tha, sapo tjetri zuri vend përballë karriges së Tij.

‘Nuk e mendoj saktësisht ashtu,” kërkoi të qartësohej tjetri, edhe pse dihej si person që nuk u druhej përplasjeve.

‘S‘t’i kërkoi kush gjërat që na bashkojnë. Unë dhe ti kemi punë të ndryshme për të kryer…’

Arkitekti uli kryet. Kishte ardhur ta dëgjonte. E dinte se prej këtij njeriu, të sapo bërë me zyrë të madhe, duhej marrë vetëm fjalia e fundit. Fjalët e tjera ishin thjesht një trajtë zhurmërime elokuente për të mos mbetur në mendje tënden, pra shpëlarje për të mos rezistuar në momentin e më-në-fundmë, ambalazh për të fshehur ç’do thuhej në pak fjalët e fundit.

‘Duhet filluar të jetojmë së Vdekuri.’

Dihej, ia kishin informuar paraprakisht edhe arkitektit, duke folur, Ai… do vazhdonte të vizatonte.

Tjetrit, përballë, në këtë rast arkitektit, i mbetej veç të dëgjonte.

Unë s’di muze të hapur për kujtesë të mirë, ishte fjalia e mëtejshme. Edhe artet e bukura, për të kuruar vrazhdësinë e thellë, plagë të hershme të individit, krijohen. Për fat, njeriu nuk nginjet kurrë. Pasi e kryen të ligën, pak rëndësi ka duke e ditur apo jo si të tillë, ngaqë nuk e justifikon veten, ngaqë as ndahet dot i tëri prej saj, ngaqë nuk vet-shfajësohet dot prej ligësisë, njeriu ka prirje ta kthej të ndodhurën në Memorie. Që të mos e humbasë dot kurrë, e strehon në Muze.

Zoti, që s’dihet ku është, besohet se e këshilloi njeriun ta ruajë të ligën, të keqen. Mbase ngaqë nuk i shkëputet, apo nuk i largohet dot, i mbetet ta mbajë si nishan, si çip nën lëkurë. Njeriu hap muze për çdo të ligë, i vendos aty me gjasë për të mos i harruar. Pra, ia shet të tjerëve si të mirë. Vajtje-mendja, aq më shumë ajo e ditëve të errëta, s’ikën kollaj, ajo këshillon edhe kur fle. I thotë njeriut në luftë për ekzistencë se po kjo e ligë, po kjo e keqe, mund t’i shfaqet apo mund t’i duhet një ditë tjetër, kush e di kur. Njeriu s’e do të ligën, por as e humbet dot…

S’besoj dot se rastësisht, në këtë gjuhë që ndodhi të përdorim si tonën, fjalët muzë dhe muze, mezi dallojnë, e përfundoi fjalinë e vonuar ai.

 &

Arkitekti, i sapo-ngarkuari për ngritjen e Muzeut, doli nga Zyrat e Parë e Shtetit përkulur, i thyer më dysh. Dukej sikur mbante i vetëm globin mbi shpinë. Mbase vërtetë i vetëdijshëm se Gurin e kishte mbi shpinë ai vetë, teksa atë, Sizifin e Gurit, e kishte lënë pas, te zyra e parë brenda në Shtet.

Atij vetë, edhe pse tashmë arkitekt në liri, mbase i ishte shkruar për karmë vetjake t’i duhej e të ndjehej, edhe më tej, në burgun prej nga kishte dalë, më në fund fare, kur tërë burgjet qenë hapur pa u falur dënimi i atyre që s’e kishin ëndërruar kurrë të ndodhte kështu.

E provoi vetë çfarë kishte dëgjuar të flitej: Njëshi i Madh në zyrë nuk e vështroi kurrë në sy. Ai kishte vepruar edhe me të si më të tjerët. Të gjithë hynin e raportonin, ai dëgjonte teksa vizatonte, edhe kur fliste ai vetë vazhdonte të bënte shenja në pllakat e gurit, me bollëk pas shpine.

Thuhej se ashtu Ai linte shenja e gjurmë mendimesh, idesh e projektesh në 3D, që shfaqeshin menjëherë në ekrane dhe ndër njerëzit atje jashtë, pranoheshin menjëherë si realitete.

Me këtë rast analistët on line sillnin ndërmend se dikur fare, edhe Njeriu i shpellave kështu e kishte nisur. Ndaj dhe më pastaj, për mes shenjave në gur, lexohej e Shkuara. Dikur-i dhe e sotmja, bëhen të nesërme, në këto pllaka.

E kuptoi menjëherë arkitekti në liri: tërë ato pllaka do merreshin prej aty për t’u vendosur një mijë kilometra më tej, anë-det, në një ranishte të verdhë ku po ngriheshin muret e një ngrehine prej disa piramidash të allasojshme edhe ato, natyrisht të pazakontë si porositësi.

Pas orës që la pas Zyrën e Parë, arkitektin e gjeje vetëm aty. Braktisi shtëpinë për ngrehinën që po ngulfatej rrëmbyeshëm. Prej burgut në liri të mbyllur në muzeun e së ardhmes, thoshte, duke iu gëzuar megjithatë faktit se nën mbikëqyrjen e rreptë të tij po ngrihej Muzeu i Përjetësisë.

Portat dhe dritaret e larta në muret, s’mund të mos ishin të gjitha të çuditshme, tejdukshëm nga brenda por, përmes tyre, nga jashtë s’mund të shihje kurrgjë. 

Më në fund, kur të përfundonte gjithçka e menduar dhe shënjuar në pllakat te Zyra e Parë, pritej aty Ardhja e atij vetë, Njëshit. Kalim Live për Andej.

Dihej tashmë, mësuar kohë-shkurtër, pranuar nga të gjithë: Ai, ishte i pa refuzueshëm. Verbër në dritë-fantazi, errët për tërë të tjerët. Zhvendoseshin sy-mbyllur në hapat pas hapave të gjatë të Tij.

‘Ai… e ka këtë dobësi. E mendon veten njeriun e parë të botës. Nxiton t’i fillojë vetë, njëherësh, të gjitha punët e mëdha. Në të deridjeshmen e rrafshuar një-njëshëm. Nuk ka nge, as për të pyetur se kur do mund të mbarojnë. Sigurisht beson që do fundojnë përpara frymës së fundit të gjalljes së Tij.’

Tërë këtë imazh, arkitekti e pati të qartë qysh në daljen prej atje.

Brenda hapësirës së madhe të projektit, në secilën prej hapësirave të brendashkruara, hapte dhe mbyllte mure. I duhej të bënte një vend për secilin, pra edhe për veten. Secili duhej të adresohej dhe gjente veten aty. Të gjithë. Doemos përpara ardhjes së Tij...

Edhe nëse për të tjerët s'ishte e besueshme që Ai aty kishte qenë, edhe në Fillimet, pra edhe nëse ata nuk ishin ende gati të pranonin se Ai ishte njeriu i parë, pa asnjë mëdyshje Ai do të shënohej si i Fundit.

(nga libri "Përkthyesi i klasikëve", UEGEN, 2021)

©Faruk Myrtaj