Prerja e lisit të vjetër - Tregim nga Sami Milloshi

Sami Milloshi - Boston, SHBA
Të pesëmbëdhjetë lisat që rrethonin atë gropën ku çdo vit bëhej ceremonia e graduimit të studentëve qenë mbajtur mirë më këmbë që prej më shumë se një shekulli e gjysmë. I gjashtëmbëdhjeti dha shenja se i plasi zemra, kur njera nga degët e tij, ajo që pothuajse kishte kapur lartësinë e kishës Chapel, u kris me një zhurmë të tmerrshme krrauuuu...
Dega e krisur e lisit të stërmadh u bë kështu thelbi i një thashethemnaje që pushtoi të gjithë kampusin tonë të vogël.
Dikush thoshte se lisit të madh ia kishte sulmuar zemrën me një atak të pabesë, ai që kishte hequr nga holli i bibliotekës portretin e zonjës Elizabeth, asaj që e kishte themeluar universitetin me paret e veta njëqindegjashtëdhjetë vjet më parë. Por, kjo dukej më shumë si fantazi nostalgjike për të kaluarën dhe nuk u besua dhe aq.
Ca të tjerë, thoshin se zemra e lisit të vjetër u ça ngaqë sektori i mirëmbajtjes dhe i gjelbërimit të mjedisit, as që e kishte çarë kryet për lisat e vjetër.
Doli që as kjo nuk ishte e vërtetë. Mua më kishte thënë vetë Jeff, kryetari i Departamentit të mjedisit, se për lisat e vjetër, shpenzoheshin disa qindra mijëra dollarë në vit.
Kjo mua më dukej e besueshme sepse i kisha parë me syte e mij se si në rrënjët e çdo lisi, në të hyrë të muajit prill injektoheshin me makineri ca solucione kimike krejt të veçanta. Diçka si ajo qesja plastike me glukozë që rri varur mbi kryet e të semurit kur ky jep shenjë se mund të takojë vdekjen...
Një ditë Prilli unë vetë e pyeta dikë që e pashë se si ua bënte këtë " glukozë" lisave të vjetër:
- Çfarë është ky solucion?
- Unë nuk e di, - tha ai - unë thjesht kam detyrën ta çoj gjer te rrënjët e lisave te vjetër. Janë të tjerë ata që e kanë zbuluar formulën e solucionit. Po qe i ngeshëm, shko gjeji dhe pyeti ata. Unë një copë punëtori jam dhe kaq...
- Eh, or mik, - i thashë - jo që nge nuk kam, por unë nuk dij se çfarë solucioni t'i fus lisit të vetes sime, që së paku të mbërrij gjysmën e moshës së këtyre lisave të vjetër...
Dhe u ndamë. Ai në punë të vet, unë në timen...
Vonë, vonë fare dikush u kujtua se pikërisht aty ku ishte lisi i vjetër me zemër të çarë, ishte xhiruar një film me atë aktoren e bukur të Hollywood-it me emrin Jennifer. Ai që u kujtua për bukuroshen Jennifer, madje bënte edhe një lidhje shkak pasojë midis lisit zemërçarë dhe sekuencës prej një minute të filmit të xhiruar aty. Ai thoshte se kumti që shqiptoi aktorja ia shkaktoi sulmin e pare ne zemër lisit të vjetër. Sepse, thoshte ai, që bëri këtë hamendje misterioze, lisi e pa kur ia vunë prangat për kumtin që tha dhe i erdhi keq.
Ky që bënte këtë arsyetim quhej Brian.Ai ashtu fantazonte edhe për gjëra të tjera.
- E sheh atë renë e bardhë ne qiell? - më pyeti mua një herë.
- E shoh - i thashë.
- Nuk është ré natyrore, - tha - e kanë krijuar në mënyre artificiale që të na mbushin mendjen se klima e Botës ka ndryshuar…
- Brian - iu gjegja - unë nuk marr vesh nga punët e motit, as nga ngrohja apo ftohja globale...
- E po ti nuk do të marrësh vesh. Dhe prandaj nuk e kupton se zemra e lisit te vjetër u ça sepse ajo aktorja e bukur tha një kumt trillan se "edhe gjashtë muaj ka jetë planeti dhe se pastaj do të bëhej hataja..." Ti kujton se lisi i vjetër nuk e dëgjoi?!!
- E marr me mend që e dëgjoi. Kur isha unë kërthi, një lisi në prag të shtëpisë sime i ra rrufeja dhe e përzhiti krejt. "Ia plasi zemrën" tha mëma ime për të. Që aso kohe unë kam besuar gjithmonë se pemët janë si njerëzit...
- E sheh pra - tha Brian dhe i ndrinë sytë. M'u duk sikur u bind që edhe unë e pranova variantin e tij se pse i plasi zemra lisit të vjetër në kampus...
Tri ditë pasi bëra bisedën me Brian, sollën një vinç te madh dhe e sharruan lisin e vjetër. Kur mbaroi sharrimi dhe lisi u bë si miell i bardhë, fytyra e mëmës m'u shfaq në qiell...
©Sami Milloshi



