Majku shkon në luftë - Tregim nga Sami Milloshi
Kur askush prej nesh nuk qe zgjuar ende, Majku kishte filluar të pastronte borën e makinave tona në parkingun përballë pallatit tonë.
Qe një mrekulli e vogël që ne, fqinjët e tij, as do ta kishim marrë vesh po të mos e kishte parë zonja Joyce nga dritarja e kuzhinës në katin përdhes.
Por, Joyce, në atë vetminë e saj prej vejushe, duket e ka pushtuar një pasion i ri: të përgjojë përmes perdes së dritares se çfarë bëhet në parkingun përballë.
Joyce i tha sime shoqeje, ajo më tha mua, unë ia thashë miss B, miss B ia tha zonjës Gail... Dhe kjo e fundit ia tha në telefon zotit Ed, që banon ne Teksas.
Ky nuk ishte këtu, por ne, megjithatë e quajmë fqinjin tonë, megjithse pothuaj gjithë vitin kjo shtëpi e dytë e tij rri bosh.
Shkurt, të gjithë komshinjtë e morën vesh se çfarë bëri Majku për ne. E morëm vesh shumë shpejt, madje shumë më shpejt se çfarë do të bënte Presidenti pas sulmit rus me bomba mbi Kiev...
Kur u kthye gruaja në shtëpi më kërkoi t'i bëja një tekst mesazh Majkut dhe ta falenderoja. Lashë penelin mbi kavaletë, lava duart dhe vrik e vrik, ia shkrova një falenderim me fjalë të ngrohta Majkut.
Pastaj gruaja gatoi një byrek dhe një të katërtën e tepsisë e ruajti për Majkun.
Në pasdite trokiti ne portën e shtëpisë së tij dhe ia dha byrekun të ngrohtë.
Majku i kishte thënë se nuk kishte bërë kushedi se çfarë dhe se ishte prekur nga shenja e mirënjohjes me byrek.
-Eshtë edhe kohë lufte - i kishte thënë ime shoqe, me shaka.
-Unë kaq mund të bëja sot për paqen - i ishte gjegjur Majku dhe kishte shtuar se "lufta duket sikur është larg, por varet me çfarë sysh e sheh..."
-Ti ishe në luftë sot Majk, sepse nuk na e ktheve shpinën, edhe pse ne nuk t'u lutëm për ndihmë të pastroje borën mbi makinat tona. Tani, shko haje të ngrohtë byrekun. Byreku nuk hahet i ftohtë, thotë një fjalë popullore shqiptare, Majk...
©Sami Milloshi



