Krijimtari

Puthja (fragment nga novela “Pianisti”) - Kristaq Turtulli

Merreni me mend në ç' gjendje isha unë, - vazhdoi të tregonte Poli: - I plagosur, i dëshpëruar, i mbyllur në një skutë të ftohtë. Pa dritë. Nuk dija asgjë për Antonetën, të dashurën time të shtrenjtë. Më lanë një natë e një ditë në bodrumin e teatrit. Derisa gjetën rastin dhe më futën nëpërmjet kishës së afërt në tunelet e nëndheshme, të pafundme të qytetit. Tunelet ishin dyzet a pesëdhjetë metra nën tokë dhe gjarpëronin nën qytetin e vjetër. Më thanë të zbrisja me kujdes shkallët e ngushta prej dheu dhe të ambientohesha me ajrin e rëndë dhe errësirën, nëse doja të mbetesha gjallë. Shkallë të lagështa, që shkisnin, shumë shkallë. Thellë e më thellë. Më dukej sikur po i futesha nëntokës në palcë. Shumë prej tuneleve sa vinin dhe bëheshin tmerrësisht të ngushtë dhe ishin shumë të vjetër, mijëvjeçarë, qysh nga koha e persekutimit të të krishterëve prej romakëve. Aty nëntokë gjeta një botë tjetër, të çuditshme, fatkeqe. Botë e hijeve dhe e shpresëpakëve.

Një dritë e zbehtë lëvizte dhe fshikte hapësirën e ngushtë. Dritëz e përgatitur prej dhjamit të minjve. Njerëz kockë e lëkurë të ikur prej fashizmit, që jetonin dhe vdisnin me minjtë. Ishin skeletorë të mjerë. Diku në kthinën e një tuneli, pashë dy sy të mëdhenj, që ishin ngulur drejt meje. Një çast m’u ndal fryma dhe përnjëherësh me regëtiu zemra. Më ngjau me të ëmblën time Antonetën. Ç'do këtu në fund të botës e bukura ime Antoneta? U afrova më pranë. Lëviza kandilin kah saj. Ish një vajzë e re, e bukur që jepte shpirt. Vetëm sytë e saj të mëdhenj tregonin se te ai trup i dërmuar regëtinte akoma jeta. Ajo lëvizi buzët por unë nuk munda ta dëgjoja. Më bëri shenjë të afroja veshin pranë buzëve të saj. Dhe për habi dëgjova:

-Më puth...

-Hë!!?

Afrova pranë dritën e pakët të kandilit. Fytyra e vajzës ishte jashtëzakonisht e zbehtë dhe buzët e saj ishin tmerrësisht të plasaritura, të përgjakura. Gati pa jetë.

-Më puth...

Doni t'ju puth!?

Ajo luajti kryet, psherëtiu dhe mbylli sytë në pritje të puthjes. Pa e vrarë mendjen shumë u përkula dhe e putha fort në buzë. M'u duk sikur me magji u ndriçua krejt tuneli. Kaq forcë paska puthja dhe në ferrin më të tmerrshëm! Ajo u tendos, pastaj u shkri dhe pëshpëriti:

-Oh, ofshau ajo, - të lutem, më puth prapë.

E putha përsëri.

-Oh! S'doja të vdisja pa ndjerë puthjen në buzë... Faleminderit...

Mbylli sytë e mëdhenj dhe dha shpirt në duart e mia.

Duke parë dridhjen e fundit të qerpikëve të vajzës, mendova se jeta dhe puthja janë një...

Poli heshti një çast. Mori frymë thellë dhe vazhdoi:

-Trupin e vajzës e zbritëm në shkallën e dhjetë të tunelit.

Qava në heshtje. Përjetova puthjen e mrekullueshme më shumë se ajo vajzë e gjorë.

Përnjeherësh m'u kujtua Antoneta kur puthte ushtarët në buzë përpara se të iknin në front...

©Kristaq Turtulli

“Pianisti”, liber me pese novela, Botimi i parë në Shqipëri 2014, botimi i dytë në Amazon 2018. Dashamirësit, nëse janë të interesuar dhe nuk e gjejnë këtë libër në Shqipëri mund ta porosisin në Amazon:

https://www.amazon.ca/Pianisti-Kristaq-Turtulli/dp/1533311579