Urbani - Tregim nga Ilir Gjini
30 qindarka kushtonte udhëtimi në shërbimin e transportit urban në socializëm. 30 qindarka nuk ishin shumë, por ndodhte që nga 30 qindarka të paguaje qimet e kokës. Kjo hata dëgjohej sidomos kur ishin ditët e rrogave.
Njerëzit që nxinin në fund të 15-ditëshit apo “kuindiçinës” dhe çeleshin sapo merrnin rrogën, bënte vaki që të steroseshin fare kur binin pre e xhepistëve që shërbenin si berber-faturino të urbanëve, duke e qethur mirë nga xhepat prenë e tyre.
Të udhëtoje në ato urbanë ishte tmerr. Mungonin xhamat, ndërsa në mes të autobuzit “fizarmonikë” pikonte nga mushamaja tavan dhe duhet të hapje çadrën.
Pasagjerët ngjesheshin si fijet e kashtës në mullar. Era e djersës së palarë prej një jave (një herë në javë laheshim atëherë se na hollohej lëkura), përzihej me duhmat e shtëllungave të blozës që nxirrte motori i lodhur i autobusit, që nga dritaret pa xhama na i përplaste si peshqesh në hundë.
Shpesh dëgjonim britmat e dëshpëruara të pensionistëve: më vodhën portofolin. Shikonin këta gjynahqarë të zverdhur nga dëshpërimi dhe shtrëngonim fort qindarkat që kishim në xhepat e pantallonave.
Por një e qarë me piskama e një gruaje të re në moshë, me bëri të dridhem. Madje edhe sot pas shumë vitesh kur më qëllon të përdor shërbimin urban, kur hyp në autobuz në veshë më ushtojnë ende piskamat e saj. Qante me dënesë dhe lotët i rridhnin çurk mbi gjoksin e bukur. Mezi merte frymë dhe në fjalët gjysma-gjysma që dridheshin si tela violinçeli kuptova se i kishin vjedhur rrogën.
Këto të qara i dëgjoja shpesh nga plakat kur vajtonin të vdekurit. Ca të qara sikur recitonin vjersha. Fjalë që u dilnin nga shpirti. Vetëm se gruaja që qante paratë e vjedhura, qe e re dhe e bukur.
Nga sytë e qelqtë pa tualet, dukej sikur bashkë me lotët do shpërthente një lumë dëshpërimi.
- E zeza unë. Ç’qe kjo mynxyrë që më më gjeti! Me se t’i ushqej fëmijët…
Burra e gra i hapën një vend të ulej dhe e bombarduan me pyetje: - Ku i mbaje?
- Mos të humbën rrugës? - Mos e harove çantën gjëkundi?
Ajo si një kunadhe e zënë në çark nuk fliste, por ktheu çantën e vogël të dorës sëprapthi ku dukej një e çarë me brisk.
Të gjithë u munduan ta ngushëllonin me fjalë, vetëm një burrë në të gjashtëdhjetat nuk fliste. I kishte ngulur sytë gruas fatkeqe dhe kish ngrirë. Qe i veshur si banorët e fshatrave të afërt me Tiranën dhe në duar mbante dy shporta bosh. Siç duket kish zbritur në qytet për të shitur prodhimet. Qe i veshur me shallvare, xhaketë shajaku dhe në kokë kish ngjeshur një qeleshe të bardhë.
Tipik “katnar” dëgjova disa pëshpërima vajzash përreth. Kështu i quanin kryeqytetasit. Sytë i kishte të ngulur thellë në qepalla, ndërsa fytyrën të rreshkur nga dielli. U afrua drejt gruas dhe nxorri nga thellësia e xhaketës një portofol të vjetëruar që me një gjalmë të hollë lëkure i varej në qafe. Nxorri prej aty një tufë kartmonedhash të zhubrosura dhe i la në prehrin e gruas.
Një grua e vjetër që ish ulur në krah të fatkeqes, filloi ti ndante kartmonedhat e zhubrosura. I vuri veçmas 10-shet, 30-shet e 100-shet dhe filloi ti numëronte. Por gruaja e vjedhur vazhdonte dënesat pa pushim.
- Plot 510 lekë - tha gjithë kënaqësi paranumëruesja… jo pak.
Gruaja e re që si lule e zhuritur nga mungesa e ujit kish ulur kokën, u përmënd dhe po kërkonte me sy mirbërësin. Po ai nuk dukej gjëkundi.
- Ku shkoi? Unë as e falenderova. As e pyeta kush je?
- Zbriti një stacion më parë - tha një burrë i bëshëm me kapardinë zyrtari. - Ku i dihet mund takosh në ditë pazari.
Nuk thonë kot vetëm mali me mal nuk piqet mendova. Dhe çuditërisht kur një të diel teksa u ktheva te një tezgë ku shiteshin hurmat farëzeza në Pazarin e Ri, e pashë tek shiste prodhimet e tij. Mbushte pallanxën me domate ose fiq dhe ia zbrazte në torbë blerësve. Me njëbuzëqeshje që nuk i shqitej nga buza, iu thoshte: ju bofshin shnet.
I kisha ngulur sytë dhe përpija çdo lëvizje të tij. Përreth tij dukej sikur ajri ishte i elektrizuar nga një fllad mirësie. Duket se e vëreu interesin tim dhe u afrua duke me dhënë një hurmë.
- Ke nji çerek sahati që m’vështron. Mos je çuni ndonji mikut tem?
- Jo. Ju më ngjasoni pak me tim gjysh nga pamja dhe shumë më tepër nga shpirti - iu përgjigja.
- Dukesh fort i ri për me kuptu punët e shpirtit për kaq pak kohë…
- Ndonjëherë nuk duhet shumë për të njohur dikë - iu përgjigja duke i kujtuar ngjarjen në autobuz.
Pa mbaruar fjalën, sytë iu trishtuan nga lotët. Më shtrëngoi kokën në kraharorin e tij të ngrohtë si fole zogu.
©Ilir Gjini



