Fatimja - Tregim nga Sami Milloshi
Dhjetë muaj të vitit nuk e shoh Fatimen. As nuk e di se çfar bën e çfar nuk bën. More, as nëse është gjallë a jo, nuk e di.
Por, kur vjen vera, Fatimja më shfaqet si shtojzavalle në pishinë. Ajo është e vetmja që nuk mungon asnjë ditë në pishinë. Aq e dukshme është prania e përditshme e Fatimes në pishinë sa, një ditë unë guxova të them se pishina jonë duhet të quhej tash e tutje "Pishina Fatimja".
Fatimja qeshi fort kur e thashë unë këtë dhe, ashtu siç qe e zhytur në ujë, m'u gjegj:
- Unë nuk jam duke i rënë më qafë kurrkujt. Pishina është e hapur, roja e pishinës është këtu, unë nuk jam duke dëmtuar askënd...
Në verë Fatimja mbjell kopështin e perimeve. Përpara se të vijë në pishinë, ujit perimet, vjel gjithë çfarë ka për të vjelë: domate, kale, mashurka, sallatë, speca...dhe, si e ka mbushur plot shportën me perimet e kopështit të saj, vjen të flladitet në ujin e pishinës.
Kur është brenda në pishinë, Fatimja e ka zakon të na tregojë se çfarë ka vjelë nga kopështi. Ndonjëherë, pa ia lypur kurrkush të fal nga perimet e saj.
Sot mua më fali gjashtë speca të verdhë dhe dy patllixhanë.
- Merri - më tha - i ke organike, asnjë kimikat nuk kam përdorur.
Si më la dhuratën në shezlongun tim, u kthye nga pishina dhe u hodh vrikthi me kokë në ujë. Një si dallgë deti prej balene u krijua në çast.
Ç'është e vërteta Fatimja, është trupmadhe, me shpatullat e gjera dhe me gjoks të kërcyer që nuk ia mbulojnë dot reçipetat.
Lëkura e zeshkët në rrezet e diellit të vakët të pasdites, i jep trupit të saj pamjen e një çokollate gjigande, Zoti e bekoftë. Po të duash ta kafshosh pak e nga pak atë çokollatë, nuk të mjafton e gjithë jeta për ta mbaruar...
Por, çastet më të magjishme të saj në pishinë janë ato kur ajo zhytet pingul në ujë duke lënë jashtë të pasmet e saj të bëshme dhe këmbët e hapura përpjetë...
Me sa duket këtë çast Fatimja jo vetëm e shijon vetë, por ndoshta ka edhe ndjesinë se mund ta shijojnë edhe ai grusht njerëzish që e frekuentojnë pishinën.
Nuk e di për të tjerët, por unë për vete nuk e mohoj: e shijoj si një trill të saj sportiv fëminor...
Në një moment të tillë, kur Fatimja ishte me kokë në ujë dhe të pasmet përpjetë, Beniamini, një komshi i Fatimes, nxorri aparatin fotografik në shezlongun ngjitur ku qe ulur dhe i shkrepi një foto.
Alberta, roja e pishinës, me sa dukej, e vuri re këtë shkrepje fotografike të Beniaminit dhe i thirri me zë të lartë nga ana tjetër e pishinës:
- Beniamin stop. Mos shkrep asnjë foto tjetër pa lejën e Fatimes.
Kur Fatimja nxorri kryet nga uji dëgjoi ato fjalët e nxehta të Albertës, ndërsa ndërkaq Beniamini e kishte futur aparatin fotografik në çantë.
Fatimes iu desh një grimë herë të merrte vesh prej Albertës se për çfarë po grindej ajo me Beniaminin.
Si e mori vesh se për çfarë ishte fjala, ashtu siç qe në ujë, iu kthye me tërsëllimë Beniaminit:
- More skuth - po pse ore me bythët e mia përpjetë në pishinë do kënaqesh ti?
Beniaminit sa nuk i ra rrufeja mbi krye, megjithëse ishte një ditë e kthjellët korriku me diell.
- Zonjë - tha Beniamini - kurioziteti im nuk është aty ku thua ti. Të betohem se është diçka më ekzistenciale. Si ka mundesi që ti e heq hixhabin nga fytyra, atë hixhab që e mban gjithë vitit dhe, këtu në pishinë shfaq një fytyrë tjetër?!
-Tani dëgjomë mirë - tha Fatimja nga pishina - Ose fshije për pesë sekonda atë fotografi që bëre kur isha me kokë të zhytyr në ujë, ose do t'i kërkoj Albertës të thërrasë policinë. Nëse vjen policia këtu, pastaj ti do ta shuash një herë e mirë kërshërinë tënde për hixhabin tim dhe të pasmet e mija. Zgjidh e merr!
Beniamini zgjodhi ta fshijë atë foto të bërë pa lejen e Fatimes...
Dhe me kaq u mbyll një ditë krejt e zakonshme, në pishinën tonë të vogël, në këtë qoshe të globit...
©Sami Milloshi



