Krijimtari

Shëtitje në pyllin e fëmijërisë - Nga Vangjush Ziko

BREDHI I KALTËR

Bredhi i kaltër lyer me qiell,

më përshëndeti buzë rrugës,

Ia dhela halat gjemb më gjemb,

halat e tija të kristalta

ku flinte ëndrra edhe nata.

Më zgjati krehrin e tij

të kreh mendimet, që s'më shqiten,

tok me një brengën e një malli,

që herë zhduket, herë fanitet.

 

RRËKEZA

Rridhte rrëkeza nëpër pyll

shtegut që hapur e kish vetë,

e ndjekur larti nga një yll

që i fanitej përmes fletësh.

Ylli u shua, rrëkeja rridhte

me xixëllimin e tij mbi valë...

Një zog i thinjur mbi një ferrë

buzë përroit, që është tharë,

këndon sot këngën e rrëkezës

me atë dritë ylli larë.

 

NJË FISHKËLLIMË

Një fishkëllimë e papritur,

paqen e shpirtit në çast ma prishi,

timpanë e veshit ma gërvishti,

Rrëshqiste gjarpri dhe fërkohej

mbi lule e mbi bar të blertë.

Zot, nga parajsa vërtet na zbove,

por gjarprin ç'na e dhe me vete!

 

©Vangjush Ziko