Rite mortore - Tregim nga Sami Milloshi
Pas pothuaj gjashtëdhjetë vjetësh, ne u takuam në varreza. Ishte rasti të bënim edhe një foto të tre, dy motrat dhe unë.
Kur ai që shkrepi fotografinë pranë varrit të babait, unë u kujtova për fotografine e parë që kishim bërë të tre. Ajo ishte e vetmja. E kishim bërë kur ishim fëmijë...
Kjo që bëmë sot në varreza ishte e dyta. Të thinjur...
Tek e para kishim dalë nën një bli, pranë një likustre. Dhe e mbaj mend fort mirë, si më i madhi, kur fotografi Xhemal na tha: "Qeshni pak!". Dhe ne qeshëm...
Te kjo e dyta, pas gjashtë dekadash, asnjeri prej nesh nuk e ka buzën në gaz.
Lotët i fshimë para se fotografi të shkrepte foton, por unë ende e kam një lot në cep të syrit...
Babai nën qiparis e pa gjithë këtë skenë dhe nuk duroi të na shihte të pezmatuar.
U ngrit nga varri dhe tha:
- Nuk dua t'ju shoh të përlotur. E di që këtu nuk është cirk dhe nuk bën të gajaseni në varreza. Por, tek e fundit jeni te tre bashkë dhe kjo nuk është pak.
- Ne shkuam ku ishte puna o babë - thashë unë. - Siç na porosite ti. Prandaj nuk e solli fati të ishim bashkë të tre gjithë kohën. Prandaj kjo është e dyta foto e përbashkët pas gjashtë dekadash.
- Ani, ani - tha babai - edhe sikur vetëm një foto të vetme të kishit, mjafton. Ka të tjerë në atë Botë që nuk e kanë as edhe një foto të vetme kujtim nga fëmijnia. Dhe, ca më keq, ka po ashtu fatkeqë që ende nuk e dijnë se ku e kanë varrin e babës... Ju e dini dhe kjo nuk është pak!
Gjithë çfar tha babai e vura vath në vesh. Në darkë ia thashë tim biri gjithë fjalët e babait.
- Rrofsh o bab - tha im bir. - Tani kam unë një pyetje për ty. Pas një jave do të jem në një drekë ku përkujtohet e dyzeta ditë pas vdekjes së dikujt. Çfarë duhet të them unë aty, se është e para herë që marr pjesë në një ceremoni të të dyzetave...
- Në raste të tilla, gjyshja ime, nana Tule, thoshte se mirë është me urue "Mos t'raftë me e harrue!". Ti mund ta përsërisësh atë që thoshte stërgjyshja jote...
©Sami Milloshi



