Rojtar i moshës - Tregim nga Sami Milloshi
U desh gjithë vera që shkoi që, më në fund ne ta merrnim vesh se zoti Henrik, na përgjonte se çfarë bënim ne në jetën private dhe, për atë Zot që është në qiell, edhe të na përgojonte moshën.
Unë nuk e kisha vënë re. Zoti Henrik me sytë pishë, po. Çfarë? Që zonja B., siç e quanim ne në pallatin tonë, kishte filluar një aventurë.
Aventura e zonjës B., sipas zotit Henrik, ishte se zonja B. kishte filluar të ndiqte një klasë mësimi se si të ngiste makinën në "high way", domethënë në rrugët e shpejtësive të mëdha.
Ç'është e vërteta, zonja B. ngiste makinë dhe këtë gjë e kishte mësuar qëkurse kishte qenë teenager (asoleshente), gjashtëdhjetë vjetë më parë. E çuditshmja, sipas zotit Henrik, ishte se pse aso kohë nuk kishte ngarë makinë në rrugë të shpejtësive të mëdha.
Kur ma tregoi mua këtë, zoti Henrik më pyeti si filozof:
- Si thua ti, pse nuk ka ngarë më parë makinë në rrugë për shpejtësi të mëdha?
- A ti qenke tutkun fare, - unë nuk kisha makinë atëhere, nuk kishte as babai. Dhe bile, as gjyshi nuk kishte pasur, përveç një kali të bardhë shale, me të cilin shkonte dhe blinte drithë në Prizren, një qytet i vogël përtej maleve tona.
Përgjigja ime e bëri esëll zotin Henrik, por ai sërish ngulmonte si mushka në akull ta mësonte të vërtetën mbi aventurën e zonjës B.
- Po ç'i duhet në këtë moshë asaj, - më tha një ditë tjetër - të ngasë makinë në rrugë shpejtësish? Ku do vejë xhanëm?
Me moshën që ka ajo, (zonja B. po i rrumbullakos të tetëdhjetat) e shumta mund të ketë nevojë të shkoje deri te supermarketi të bleje ushqime, apo deri te farmacia të blejë ilaçet, dhe kaq...
Nuk më erdhi mirë që i përgojoi moshën zonjës B. Jo për gjë, por edhe vetë zoti Henrik ishte rrotull asaj moshe, pavarësisht se, për t'u dukur më i ri, kishte filluar të ngjyente mjekrrën e bardhë dhe mustaqet, se në kokë nuk e kishte asnjë qime floku, ishte si një fushë avionësh...
Dalëngadalë ne u bëmë familjarë me aventurën e zonjës B. Dhe askujt nuk po i bënte më përshtypje, madje kam ndjesinë sikur edhe zoti Henrik e shoi me heshtje skepticizmin e tij.
Këtë nuk e zuri në gojë më, por na plasi një bombë tjetër. Sipas tij, zonja Jessica, ajo që jeton e vetmuar në katin përdhes qenka parë në nje lidhje të re dashurie. Një xhentëlmen me shkop floriri qenka parë të hyjë tek apartamenti i Jessicës...
Zonja Jessica i ka nja njëzet vjet qëkurse është divorcuar nga i shoqi dhe, dihet, se herë pas here ajo rreket të freskojë ndonjë lidhje dashurie. Ne të tjerëve kjo nuk na bën përshtypje, perveç Henrikut.
- Po ç'i duhet asaj xhanëm, në këtë moshë, apo nuk është edhe me kancer, - i kishte thënë një ditë zonjës B. për lidhjen e re dashurore të zonjës Jessica.
Zonja B. ia kishte prerë shkurt:
- Shko pyete Jessicën vetë, unë nuk fantazoj për jetën e tjetrit. Po qe ajo e lumtur me dashurinë e re, mua më del lumturia ime dhe më tepron lumturia e fqinjës. Por ti, më duket se bëhesh xheloz se, as nuk do kërkënd e as nuk të do askush...
Një ditë prej ditësh, edhe mua më shkrepi në kokë t'ia hyj një aventure. Vajta në një dyqan arti dhe bleva një kavalet pikture, bojëraa vaji dhe penela për t'u bërë piktor.
Kur u ktheva në shtëpi, Jessica më priti buzagaz te shkallet e hyrjes se pallatit tonë, më hapi portën dhe sikur të ishte një kritike e famshme arti tha:
- Mirësevjen o Van Gogu yne. Ti do na hedhësh nga pak dritë nëpër këto vite që na kanë mbetur të jetojme. Dhe ndoshta e verdha jote do na shtojë ca ditë jetë...
Na kapi e qeshura...
Por, edhe për aventurën time, zoti Henrik paska ndenjur turivarur dhe i paska thënë Jessicës në parking:
- E kush do t'i blejë pikturat e atij. T'i hysh pikturës në këtë moshë që i ka hyrë ai, do të thotë se ke rrjedhur fare nga trutë e kokës, ose je bërë fëmijë ....
Jessica i qe përgjigjur brutalisht:
- Ore zotëri, ti na je bërë si burri i nënës dhe baba gjallë. Rri si i marri te Sokaku i të Marrëve e na përgjon moshën dhe aventurat tona.
Ja ku po ta them, edhe unë, edhe zonja B., edhe Van Gogu i dytë, e dijmë fare mirë se aventurat tona janë të rrezikshme. Por, rutina e jetës tënde është edhe e pështirë edhe më vdekjeprurëse. Prandaj, na lër rehat në punën tone, e mos na e përgojo më moshën...
A nuk të mjafton, të merresh me moshën tënde?!!!
Më erdhi mirë që Jessica ia kishte thyer turinjtë. Por, të them të drejtën, më erdhi edhe keq se tani e tutje, unë do ta shpërfill fare, fare, fare... a thua se kurrë ndonjëherë ka qenë komshiu ynë...
©Sami Milloshi



