Shkrimtari i madh - Tregim nga Sami Milloshi
Ai jetonte në skaj të qytetit buzë arave me misër të Midwest-it. Gjithnjë e më shumë i kishte rralluar daljet në qytet. Mosha e thyer e kishte bërë të vetën... Por, për të mbajtur një lidhje me njerëzit, gjithsesi e kishte gjetur një mënyrë: poezitë e tij i ngjiste në xhamat e dritareve të shtëpisë së tij.
Njerëzit kalonin atypari dhe i lexonin poezitë me zë. Jo me zë të lartë, se shkrimtari i madh iu ishte lutur të mos e shqetësonin atë vetë brenda. Ai ndoshta ishte duke fjetur, a ndoshta ishte duke shkruar një poezi të re...
Ndonjëherë shkrimtarin e madh e merrnin me karrocë disa miq të tij për të pirë çajin e pasdites te vila “Mark Twain”.
Në kohën që pinin çaj, shkrimtari i madh më të shumtën e rasteve heshtte. Dukej si në gjendje letargjie...
Kur flitej për të kaluarën zakonisht tundte kokën, ndonjehere miratonte me “PO” çfarë thoshin të tjerët. Edhe kur thoshte “JO”, ishte e sigurtë se edhe mosmiratimi do të pëlqehej dhe kjo i jepte një pah kënaqësie fytyrës së tij...
Kur flitej për të ardhmen, shkrimtari madh përsëriste ankthin e tij për pushtimin e planetit Mars. Sipas tij, kjo gjë edhe mund të arrihej, madje edhe në të gjallë të tij. Por, në Tokë do të pllakoste një zi e tmerrshme...
Kur e pyesnin se pse mund të ndodhte kjo, ai thoshte se prej gjithçkaje që kishte shkruar ai, kishte për të mbetur vetëm një poezi që kishte shkruar për nënën; të tjerat do të ishin zhdukur, thuajse nuk kishin ekzistuar kurrë, megjithëse ishin me mijëra...
Tepër i rreptë shkrimtari i madh ishte me të sotmen.
Ai pothuaj ua kishte ndaluar miqve të çajit të pasdites të mos hapnin asnjë bisedë për çka ndodhte në qytet. Nuk donte t'ia dinte për përditshmërinë, por, ndonjëherë miqtë e tij harronin dhe e pyesnin për gjëra të përditshme.
- Sir Jack - e pyeti Clark-u shkrimtarin e madh një pasdite - më njëzetepesë nëntor do të vihet në skenën e teatrit të qytetit drama “Roe” e zonjës Loomer. Do shkosh ta shohësh ti?
Shkrimtarit të madh i kërceu delli në ballë dhe gati sa nuk ia hodhi turinjve Clark-ut gotën e tij të çajit.
- Të kam thënë njëqind herë të mos më provokosh mua me pyetje banale. Po të shkoj unë të shoh atë dramë, të gjithë spektatorët do të më hidhen mua dhe do të më shqyejnë të gjallë. Ata e dinë se pesëdhjetë vjet më parë, kur u miratua ligji pro abortit të grave, unë isha kundër. Tani që doli kundër abortit edhe Gjykata e Lartë, ti do të më vësh mua përballë publikut të më shqyejë të gjallë?!...
Clark-u nuk e desh veten. E ndjeu që u nxitua. Kishte tridhjetë vjet që rronte me thërrimet që mbeteshin nga botimet e poezive të shkrimtarit të madh. Dhe nuk i kishte dalë keq si botues. Madje kishte marrë edhe njëfarë fame në atë qytet të vogël skaj arave me misër të Midwest-it...
- Po kur të vdes unë - i tha kërcënueshëm shkrimtari i madh - çfarë do të botosh ti more i shkretë?
Clark-ut të gjorë i ra nga duart në dysheme gota e çajit dhe u bë copë-copë...
Megjithatë, guxoi t'i shfaqë edhe një herë besnikërinë e njohur prej qeni shkrimtarit të madh:
- Sir - atëhere unë do jem në Mars dhe do kem marrë me vete të vetmen poezi që do ketë mbetur prej teje, pas apokalipsit ne Tokë, poezinë tënde për nënën. Atë do botoj në Mars. Dhe me atë do ta mbaj frymën gjallë...
- Amen - tha shkrimtari i madh...
©Sami Milloshi



