Krijimtari

Shqiptari i fundit - Nga Artan Gyzel Hasani

kur iku vallë shqiptari i fundit?

të tjerët para tij nuk kanë rëndësi

veç ai me duhet

i fundit

shqiptari i fundit mbi shpinë nuk mban shkëmbin

por vetë Sizifin

dhe përtyp i palodhur kalendarët…

kur iku vallë shqiptari i fundit?

ai që nuk arrin dot kurrë atje

i mblodhi hijet e jetës një natë para ikjes

foli, qeshi dhe qau me to

dhe mëngjesi e gjeti në udhë

të veshur lehtë dhe pa Atdhe…

kur iku vallë shqiptari i fundit?

dhe kur u bëmë këta që jemi?

më duhet një ditë

më duhet një datë

që të qaj e të qesh

të tallem e të më tallin

dhe pastaj të qesh prapë si njeriu kur vdes

i lumtur që nuk do t’ia dijë askush varrin…

shqiptari i fundit nuk ka ikur akoma

por e kanë vrarë që në lindje

këpucët e gjyshit dhe një valixhe ia lanë te koka

dhe i thanë tani je në koma

për ty do të kujdesen demonët e tu

që të harrosh numërimin

shumë vite sa ikja do të të zgjasë kthimi

dhe kur të zgjohesh nuk do të jesh i fundit…

© artangjyzelhasani 2022