Publikohet “Zhgënjimi i Venerës”, romani i ri i Kristaq Turtullit
Është publikuar para disa ditësh nga Shtëpia Botuese PROKULTPRESS, Prishtinë, romani i fundit i shkrimtarit të njohur korçar Kristaq Turtulli, me banim prej vitesh në Toronto. Vepra titullohet “Zhgënjimi i Venerës” dhe tashmë është shpërndarë në të gjitha libraritë e qyteteve kryesore të Kosovës.
Sipas botuesit Fatmir Halimi, “Zhgënjimi i Venerës”, një roman i kategorisë fiction dhe aksion, ka për temë jetën e një vajze të re amerikane me emrin Venera, një karakter i brishtë e plot ëndrra për dashurinë, besnikërinë dhe të ardhmen e lumtur. Në rrëfimin e tij autori ka synuar të përshkruajë në veçanti realitetin e hidhur të një shoqërie ku prostitucioni, jeta e shfrenuar, narkomania, korrupsioni, sidomos në nivele të larta të politikanëve, bashkëjetojnë me varfërinë deri të skajshme të njerëzve të thjeshtë.
Duke i uruar suksese autorit, Flasshqip po publikon më poshtë një fragment të shkurtër nga romani i sapohedhur në treg.
***
Jeta është një libër dhe për ta kuptuar atë duhet ta lexosh nga fillimi deri në fund... Sigurisht, momentet më të vështira të vajzës, për t’u bërë e fortë janë kur askush s’ ia hedh sytë dhe s’e pyet: A je mirë moj?
Une nuk dija kujt t’i pergjigjesha mbasi isha fill e vetme, mes detit të trazuar të lëndimit, përbuzjes dhe shpërdorimit. S’kisha kujt t’i hapja zemrën. Askush s’më mësoi dhe paralajmëroi në moshen time me delikate. Nuk e dija që njerëzit lëndojnë, poshtërojnë dhe kënaqen me vuajtjen e të tjerëve, fatkeqëve.
Dashuria lindi e sinqertë dhe me plot petale lulëzoi tek unë. U qarkova prej flakërimës verbuese të dashurisë, mbas një stine të ftohtë, thëllimi të hidhur, cikne dhe akulli. Të shenjtë kisha shpërthimin që me lindi në shpirt, pasionin, përkushtimin, dashurinë, prandaj verbërisht mbështeta besimin drejt fatit tim që përshkëndritej në fund të horizontit. Shpesh herë më mbërthente frika nga dashuria. Të duash vërtet, me gjithë forcën është e rrallë në jetë, e vështirë.
Nuk e di, shpesh herë, ndjehesha e tendosur në çdo lëvizje dhe hap që hidhja në rrugën e përbaltur. Për këtë fajësoja të shkuarën, fëmijërinë time, ndaj, më torturonte ankthi i ruajtjes deri në fanatizëm i paprekshmërisë së dashurisë sime.
Kur e kujtoj, nervozohem trishtueshëm, sepse të gjitha qenë shpërthime të sinqerta, ndoshta foshnjarake. Me pak fjalë, një ëndërr e bukur, tronditëse, me fund tragjik. Ndoshta më mirë një zhgënjim i tillë tronditës sesa një joshje e rreme deri në neveritje. Fundja jeta është një pasqyrë, veçse, përpara se të shihesh në atë pasqyrë, duhet të shohësh njëherë përtej vetes.
Prindërit e mi u ndanë kur unë isha në shkollën fillore. Ata ziheshin gjithnjë për hiçmosgjë. Një mesdite të shtune babai i nervozuar përplasi derën, iku duke marrë me vete një valixhe të vogël. Nëna flaku këpucën në derën e porsambyllur. Ngriti krahun. Drejtoi gishtin tregues dhe mallkoi:
-Qafën e thefsh o Zot! U bëfsh copa-copa!
Më kujtohet portreti i babait, shtatlartë, pakës ezmer, me flokë të zeza kaçurrela dhe, kur babai tërhoqi derën pas vetes, shikimi i tij i trishtueshëm gjithë dhembje u mbërthye mbi mua. Nëna e shante, e nëmte, e mallkonte babanë çdo ditë. E kërcënonte me policinë dhe burgun. Ajo donte të ma neveriste, të ma shqiste, të ma fshinte nga mendja. Por kur ajo fillonte të mallkonte, zija veshët dhe largohesha nga dhoma me vrap. Disa herë ajo pinte, rënkonte dhe dergjej e dehur në dysheme. Duke iu marrë goja me lutej ta falja. E falja, ish nëna ime. E kisha shumë të vështirë ta gjykoja nënën. Nuk i ktheja përgjigje e ngrija me vështirësi e mbuloja. I përkëdhelja flokët e shpupurishur, shkoja në dhomën time dhe qaja.
Pesë-gjashtë vite pas largimit të babait, nëna vjen në shtëpi gjysmë e dehur, së bashku me një mashkull të shkalafitur, këmishëlëshuar, pantallona zbërthyer, me tatuazhe në qafë, trup e krahë dhe dy vathë të mëdhenj si pirat deti. U tërhoqa e trembur. Ata nuk më kushtuan asnjë vëmendje. U plasën të dy në divan dhe filluan të zhgërryheshin, duke rënkuar shfryrë dhe dihatur. Si gjithnjë, u struka në kthinën time të vogël. Prej asaj nate mashkulli i huaj nuk u largua nga shtëpia. U bë njerku im. Më dukej sikur trupi i tij lëshonte një erë të rëndë dhe fjalët që thoshte ishin të njëjta si era e trupit. Shpesh habitesha me nënën që flinte në një shtrat me të. Si mundte ta përballonte atë erë? Sytë e tij gjithnjë qëndronin të lagësht si dy pellgore me ujë të ndenjur. Kur zgjaste buzët të puthte nënën, më ngjanin si buzët e një hardhuce. Dy herë për ditëlindje dhe Krishtlindje, përfitoi nga rasti i ceremonive, më ngjiti buzët, më thëthiu i babëzitur si shushunjë. Mezi u shqita prej tij. Uf, çfarë mashkulli neveritës, ngjitës si piavicë dhe i pështirë. Ndërsa nëna qeshte me të madhe dhe më këshillonte zëzvargur:
-Venera mos i qëndro ftohtë babit, lëre të puthë.
-Ta lë të më puthë? Por ai nuk të puth, të thëthin moj mama.
-Epo kështu thëthijnë burrat pleq. Ka zemër të mirë, tani është babi yt.
-Jo, nuk është im atë, - ia ktheva gjithë inat.
-Venera, duhet të respektosh të mëdhenjtë, - më foli nëna me ton të akullt, të mprehtë dhe më zhbiroi me vështrim.
Unë doja t’i thosha nënës: Ju si të mëdhenj, “prindër”, vallë a keni respekt për vajzën tuaj? Në sytë e mi vërtiteni, lëpiheni dhe zhgërryheni lakuriq në shtëpi?
Në vitin e parë të shkollës së mesme, njerku tentoi të më përdhunonte. Më hyri tinës në shtrat kur nëna ish në punë. U gjenda e përgjumur dhe e nemitur. Ai merrte frymë rëndë, si kafshë. Shtriu duart, më mbërtheu nga gjoksi dhe më shtrëngoi fort, aq sa më dhembi në shpirt. Më doli gjumi dhe më mbërtheu llahtaria. Më vinte për të vjellë, po mbytesha nga era e tij. U shtyra në cep të shtratit dhe qëndroja syzgurdulluar, pa lëvizur. Oh, nënë! Ç’donte ky njerk në shtatin tim të virgjër? Më dukej sikur duart e tij eshtërmëdha i kisha ende të mbërthyera pas gjoksin tim të vogël.
©Kristaq Turtulli




