Krijimtari

Dy poezi intime - Nga Vangjush Ziko

*   *   *

Kam lindur

me ngjyrën time të syve

(që mund ta kenë edhe të tjerë),

kam vese

që janë vetëm të miat,

s'i këmbej me asnjë tjetër,

kam lule që më pëlqejnë,

zogj që më këndojnë vetëm mua,

dhimbje që shpirtin ma mbërthejnë

dhe ëndrra që më mbajnë vetëm mua zgjuar,

mëkate që nuk trashëgohen kam,

duhen larë vetë

si borxhet dhe amanetet,

që as në dhe nuk treten,

jeta është e të gjithëve,

ndaj me ta bashkëpronësinë,

por jo bashkëqeverisjen intime.

*   *   *

Striptizmi është bërë spektakël

në modë është dhe maskarada,

zhvishet dhe gjarpëri

duke lënë lëkurën prapa,

adamin dhe evën i zhveshi zoti

dhe i mbuloi gjethi,

zhvishet edhe poeti,

përpara letrës,

pëpara jetës,

i mbush muza gotën plot

me mushtin frymëzim

dhe dehet,

këndon gëzimet,

këndon dertet

e shpirtit lakuriq.

©Vangjush Ziko