Një gënjeshtër e bardhë - Tregim nga Sami Milloshi
Isha i papunë. Dhe më hanin duart për punë. Jo vetëm më hanin duart për punë, por edhe po më hynte frika se ç'mund të beja unë pa punë, kur edhe ato pak para që kisha marrë me vete kur emigrova në Amerikë të më mbaroheshin dhe kuleta të zbrazej fare.
Gjithkund ku shkoja me prisnin shend e verë. Më jepnin aplikimet dhe unë vu nja një dyzinë aplikimesh anë e mbanë qytetit. Por, ç'e do, puna ime nuk po dukej gjëkundi.
Kur ja, më në fund thashë se më buzëqeshi fati. Pashë një vend pune në gazetë. Një shtëpi pleqsh e hebrenjve në perëndim të qytetit Omaha me emrin Rose Blumkin kërkonte një roje nate. M'u duk sikur më buzëqeshi fati.
Qe një dite dimri kur vajta të aplikoj. Dëbora e kishte zbardhur gjithë fushën me misër në skaj të qytetit. Gjithçka kishte ngrirë, ndoshta edhe fati im për të gjetur një punë...
Zonja Jillian tek Rose Blumkin Nursing House me dha aplikimin ta plotësoja. Ajo më tha që pas gjysmë ore të kthehesha në zyrën e saj me aplikim të plotësuar me përgjigjet e mia.
Shumica e pyetjeve ishte rreth identitetit tim, përvojave të mia në punët e tjera. Eh, punët e tjera?! Unë vetëm një punë kisha bërë në vendin tim të origjinës në Shqipëri, por edhe atë me vinte zor ta vija në aplikim. Se, pyesja unë veten, çfarë do thotë zonja Jillian kur une t'i thosha se kisha qenë gazetar? Një gazetar që po kërkonte të bëhej roje nate në një shtëpi pleqsh hebrenj. Kështu që rrezikova duke mos vënë asnjë përvojë pune të mëparshme. Tek e fundit, kujt i duhej përvoja ime në atë shtëpi pleqsh? Pastaj ç'përvojë zeza qe ajo kur unë shihja diçka të zezë me sytë e mi, por kisha frikë po të mos e bëja të bardhë e të më flaknin baltave siç me dhjetra e qindra të tjerë hanin dhé...
I plotësova pothuaj të gjitha pyetjet. Në fund aplikimi kishte një pyetje të tillë: “Çfarë të shtyn ty të zgjedhësh të punosh në një shtëpi hebrenjsh?”
E ndjeva se një valë e ngrohtë gëzimi m'i përshkoi damarët e gjakut. Thashë me vete se në përgjigjen e asaj pyetjeje mund ta bënte gjumin të qetë e ardhmja ime…
Më shkoi ndërmend se bashkëkombasit e mi shqiptarë i kishin strehuar hebrenjtë në shtëpitë e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ata këtë nuk e harronin kurrë. Si të thuash, m'u zgjua një dëshirë të provoja shijen e mirënjohjes...
Në fillim me shkoi në mendje ta thosha këtë si pohim të përgjithshëm. Por, pastaj u druajta se pohimi mund të mos e prekte në shpirt zonjën Jillian të më punësonte mua.
Prandaj, thashë me vete, të them se gjyshja ime Tule kishte strehuar një familje hebrenjsh gjatë luftës. Kështu edhe bëra...
Ia dhashë në dorë aplikimin zonjës Jillian.
Ajo i hodhi nje sy kalimthi. Për çudi, u ndal në atë pyetjen e fundit se ç'më shtynte mua të zgjidhja të punoja në një shtëpi hebrenjsh.
- Siç e kam shkruar këtu, zonja Jillian - i thashë - gjyshja ime ka strehuar një familje hebrenjsh gjatë Luftës së Dytë Botërore.
- Ke ti ndonjë fotografi të gjyshes me ata hebrenjtë? - pyeti zonja.
- Fotografi nuk kam - i thashë ndërsa po më shkonin djersë të ftohta në ballë - por dihet botërisht që kombi im, pra shqiptarët i mbajtën hebrenjtë si vellëzerit e tyre. Dhe, nuk e dorëzuan as edhe një të vetëm tek gjermani...
- Këtë unë e di - tha akullt zonja Jillian - por ke ti ndonjë fakt tjetër që të më bindesh mua për gjyshen tënde?
- Kam - thashë unë - Që ta dish ti zonjë e nderuar, gjyshin tim e vranë dhe ime gjyshe mbeti e ve. E tillë ishte edhe në kohë të Luftës së Dytë.
Rastisi që një prej nipave të atij që i mori jetën burrit të saj, kaloi aty pari te kulla jonë dhe i kërkoi strehë në besë gjyshes sime. Troç, i kërkoi t'i ruante jetën. Ajo i ofroi strehë dhe nuk e dorëzoi.
“Je në besën time” i tha gjyshja nipit të atij që i kishte vrarë burrin...
- Kjo qenka histori e bukur zotëri - tha pakëz e mallëngjyer zonja Jillian - por ende nuk më bind mua se është një provë për lidhjet e familjes tënde me hebrenjtë, dhe, ca më tepër që edhe vetë gjyshja jote paska strehuar një të tillë gjatë Luftës së Dytë.
Heshta se nuk kisha çfarë të thosha.
E pashë që e humba vendin e punës. Por e humba me emrin e gjyshes në gojë. Nuk e di se pse kjo më jepte një ndjenjë triumfi se kisha provuar një humbje që ma mbushte shpirtin me gëzim dhe jo me trishtim, siç zakonisht humbjet të falin.
Une e dija se gjyshja do ta kishte strehuar një hebre dhe nuk kishte për ta dorëzuar kurrë, edhe sikur ta digjnin atë vetë të gjallë.
E punë e madhe pse nuk e mora atë punë... Thjesht bëra një gënjeshtër të bardhë. Të atillë që nuk i sjell kurrfarë të keqeje atij që ia tregon. Boll kisha treguar gënjeshtra të zeza kur kisha punuar si gazetar.
Duhet të filloja një jetë tjetër dhe duhet të gjeja një punë...
©Sami Milloshi



