Dëshmia e gruas - Tregim nga Sami Milloshi
Atë ditë zonja Shanon dhe zoti Reyburn kishin hapur një bisedë për radhën e vdekjeve të tyre. Nuk merrej vesh se cila kishte qenë arsyeja. Por, cilado që të ishte, nuk kishte kurrfarë domethënieje përpara pohimit si prej fëmije që bëri zonja Shanon:
-Reyburn, ta dish, qoftë edhe pesë ditë sikur të rroj më shumë se ti, do të ishte e mjaftueshme për të ikur e lumtur nga kjo Botë.
-Zemër - ia ktheu Reyburn - ti e ke parë Diellin plot pesë vjet më vonë se unë, kështu që gjasat janë që, jo pesë ditë, por se paku pesë vjet të vazhdosh shohësh Diellin pasi unë t'i kem mbyllur sytë përgjithmonë. Po të jetë për mua ato pesë ditë u bëfshin pesëdhjetë vjet...
Të nesërmen, në ditën e takimit të zotit Reyburn me doktoreshën, metereologët dështuan me gënjeshtrën e radhës. Bora që ra jo vetëm nuk e kaloi gjysmën e metrit, sikurse thanë ata, por përkundrazi, pothuaj as që ngjiti fare përdhé. Duket toka qe e ngrohtë ashtu siç është edhe trupi i njeriut kur është në jetë, përpara se ta përpijë akullnaja e vdekjes.
Te zyra e doktoreshës zoti Reyburn mbërriti në kohë. Por, ajo nuk po shfaqej ende, kush e di se pse.
Ndërsa priste doktoreshën, zoti Reyburn herë vështronte muret e asaj zyre të vogël, herë vështronte kepucët e tij. Eh, i tha vetes, këto këpuce mund ta mbërrijnë bosh pa këmbët e mia gjithë çfarë dëshiroi Shanon për pesë ditë më shumë jetë se unë...
Iu bë se këpucët e pyetën:
-Çfarë do të doje ti të bënim ne për zonjën tënde kur ti të mungosh në këtë Botë?
-T'ia mbani këmbët ngrohtë për pesëdhjetë vjet, sikurse ia kam uruar...
Ndërkaq, doktoreshë Sara u shfaq në zyrë. Maska ia fshihte buzët, por i shndrinin sytë e zinj si dy kokrra ulliri të mëdhenj. Pika e kuqe midis vetullave të saj i sillte ndër mend zotit Reyburn origjinën e saj indiane.
Pastaj doktoreshë Sara filloi pyetjet për pacientin Reyburn. Midis pyetjeve ishte edhe kjo:
-Vazhdon ti të gërhasësh?
-Unë këtë nuk e di.
-Po pse nuk të ka thënë gruaja, nëse ti gërhet apo jo?
-Zonjë, gruaja fle në dhomën ngjitur. Nuk flemë në të njejtin shtrat...
-Mos është bërë shkak gërhitja jote?
-Jo, jo, unë këtë nuk e di. Ajo thjesht kështu e ka zgjedhur me kohë. Ajo më ka thënë se do që të jetë e vetme në privacinë e saj kur t'i lutet Zotit, akt që ka per zakon ta kryejë çdo mbrëmje para se të shtrihet në krevat...
-Po ti kur I lutesh Zotit? - pyeti doktoreshë Sara.
-Unë i lutem në mëngjez - tha prerë Reyburn.
-Ah - psherëtiu doktoreshë Sara - Sa do të më vlente dëshmia e gruas për çfarë të pyeta. Do të ma bënte shumë më të kthjellët cilësinë e frymëmarrjes tënde në gjumë. Dhe do të më kishte ndihmuar aq shumë në këshillat e mia për ty.
-Po çfarë të bëj unë? - tha zoti Reyburn.
-A mundet ti ta bindësh gruan tënde që, për nevojën time si mjeke, qoftë edhe një natë të vetme, lutjen ndaj Zotit ta bëni të dy sëbashku? Ose në darkë, ose të nesërmen në mëngjez ... Dhe, pastaj, për hatrin tim, të flini bashkë në të njejtin krevat? Vetëm kështu unë mund ta kisha dëshminë e gruas tënde nëse ti gërhet apo jo...
-Ajo do të ishte mrekullia vetë - u gjegj zoti Reyburn. Tek e fundit, unë do të merrja vesh për herë të parë të vërtetën se çfarë fjalësh thotë ime shoqe kur i lutet Zotit... Dhe ndoshta, ndoshta, do të mësoja edhe pse dje tha se kishte dëshirë të jetonte qoftë edhe pesë ditë më shumë në këtë Botë ...
Doktoreshë Saras i shkëlqyen sytë e mëdhenj. Kurse zotit Reyburn iu bë se prej atij shkëlqimi do të mund të flinte qoftë edhe një natë të vetme me gruan e tij Shanon...
Me gërhitje apo pa gërhitje, një Zot e di se si do të kalonte ajo natë, por tek e mbramja, dëshminë për doktoreshë Sarën do ta kishte të sigurtë…
©Sami Milloshi



