Krijimtari

Dryni - Tregim nga Sami Milloshi

Dy vjet më parë shkrova një tregim të cilin e lexuan vetëm dyzeteshtatë vetë. I dyzeteteti nuk pati fat. Sepse dikush në këtë rrjet të madh ku shkruan më shumë se gjysma e globit, vendosi ta bllokojë. Dhe e bllokoi. Ai që e bllokoi dhe që në gjuhën shkencore të botimeve quhet “censor”, i vuri një shenjë në formë dryni në krye.

Kur ndonjëherë mua më merr malli për tregimin tim, si për një fëmijë që ma kanë mbyllur në jetimore, a thua se i ka vdekur baba, kthehem pas në kohë dhe shoh drynin. Kur e prek unë me mollzën e gishtit drynin, ai shfaq dy fjalë në Anglisht: “Only for me”. Që pak shumë, më japin të kuptoj mua se duhet ta mbyll gojën dhe se çelës për ta hapur këtë që kam shkruar, tani për tani, për mua nuk ka.

Kur ndodhi ajo mynxyrë thashë me vete: more po çfarë kanë me mua të gjorin?!! Gjithë çfarë kisha shkruar, ishte për një qen që kishte qenë prezent kur i zoti, ai që po garonte të bëhej president, kishte thyer këmbën duke luajtur me të. Ata që e tregonin historinë e thyerjes së këmbës, jepnin gjithfarë variantesh për lajmin, por e përjashtonin qenin si dëshmitar.

Unë që kam një besim të patundshëm tek besnikëria e qenit, thjesht po thosha se duhej pyetur edhe qeni se si ndodhi...

Sa thashë unë këtë, më treguan drynin për të cilin më merr malli...

Që atëhere kanë rrjedhur shumë ujëra. Ndonjeri nga lexuesit e tregimit edhe ka ndërruar jetë. Bardhyli, për shembull, ai poeti i madh, të cilit tregimi im i ndërmendi Mark Twain-in. Por, lexuesit e tjerë që janë ende gjallë, bëj be se, po t’i pyesë dikush, për Zotin, do të thonë këtë që po them unë: se isha thjesht duke u lutur për dëshminë e qenit...

Një pasdite se si ra fjala në shtëpi për shpenzimet e mundshme për kohën kur unë mund të përfundoj në azil. Bëmë fjalë edhe për shkrimin e testamentit...

Ime bijë tha:

- Të gjitha janë të menaxhueshme babá, mos u bëj merak fare. Veç na trego ku i ke dorëshkrimet dhe çfarë duhet të bëjmë me to.

I thashë se ku i kisha dhe i tregova historinë e tregimit me dryn.

- Atë nuk kemi si e nxjerrim nga kafazi - tha, veç nëse ti më autorizon mua ta rishkruaj në vetë të tretë, pas vdekjes tënde, larg qoftë, o Zot i madh...

- O shpirt i thashë - unë të kam bërë kokën, genet e mia ke. Por, shkrimet e mia janë në vetë të parë dhe unë kurrë nuk dua të të rrezikoj ty t’i rishkruash në vetë të tretë. Burgu për burra është, thonë shqiptarët.

Ti shkruaj vetë për veten tënde, po të duash, në daç në vetë të parë, në daç në vetë të tretë ...

- Mirë - tha ajo - dhe më puthi në ballë siç bën zakonisht. Dhe shtoi:

- Por, ta dish baba, se për shkak të atij dryni për atë tregim, mua më duket se ty të sillen mbi krye retë e famës. Njëlloj si Petro Markos që ia bënë karton romanin “Një emër në mes të katër rrugëve”, pesëdhjetë vjet më parë...

- O zemër, ti e thua këtë nga dashuria që ke për mua. Por, as unë nuk jam Petroja i madh me ato kaçurrelat e zverdhura prej tymit të duhanit, as ti nuk je e bija e tij.

E vetmja gjë që më bashkon në këtë Botë mua me Petron, është se ai burg që mbylli romanin e tij para pesëdhjetë vjetësh, çuditërisht e mbylli me dryn edhe tregimin tim para dy vjetësh. Dhe ku? Në Amerikë…

© Sami Milloshi