Vargje polare - Nga Vangjush Ziko
* * *
Arinjtë e polit zbresin
në qytetin me drita dhe zhurma që ulëritin.
Me putrat e tyre gërvishtin trotuarët:
u ngjajnë copra të nxira akullnajash,
makinat s'u duken as peshq, as foka,
vetëm se hiqen zvarrë,
ne eskimezë aspak nuk u ngjajmë,
s'u biem erë as peshk, as dhjamë.
Zhurma jonë e potershme
s'i ngjan oqeanit,
as reklamat bizare netëve polare.
Ikin arinjtë e bardhë
duke hequr zvarrë mjegullën e zhgënjimit
të gënjeshtrës sonë gri
zhurmëmadhe.
* * *
Ka ditë
që zhivën e termometrit
po e shtyp zeroja
si supin e sizifit shkëmbi,
hejet e akullit
pas strehëve të trembin,
si dhëmbë vampiri,
filloi të kafshojë dimri.
Ka ditë që rrugët
i vesh me pancir akulli
kuajt e pranverës t'i qorrollisë,
me kamxhikun e thëllimit
ëndrrat e blerta të drurëve t'i grisë.
Ka ditë që dal
veshur me gëzof ariu,
komshiu im eskimez
ma dha një mëngjes
slitën e tij hua,
mpreha vargjet e mi
për të trokuar.
Ka ditë
që imitoj amundsenin dhe skotin,
jam nisur të zbuloj
polin e ngrirë,
në agimet boreale
t'i pagëzoj vargjet e trishtë.
* * *
Në ditë feste e kuptojmë
sa pak gëzime kemi në jetë.
me shpirt pranverës i këndojmë,
por jeta qenka vetë dimër.
Dimër nuk janë vetëm thinjët,
thinjët që ngrijnë
e më nuk shkrijnë.
Dhe zemra jonë nënë brinjët
nga dimrat tanë thinjet.
Nga dimri ikën dhe bilbili,
mërgon thëllëza gushëshkruar.
nga kush ta marr unë mësimin
në dimrin tim për të qëndruar.
Ariu i polit më mësoi
si t'i gëzohem një cope akulli,
diellit të ftohtë,
që ma ngroh pakëz gjakun,
përmbi një akull si të lundroj
dhe ta gëzoj unë këtë dimër.
Pranverës sime t'i këndoj
qoftë një çast,
vetëm një grimëz.
© Vangjush Ziko



