Tri poezi me motive serenatash - Nga Vangjush Ziko
* * *
(“thonë bota jam i marrë”)
Thonë bota jam i marrë.
Mendtë ti, moj, m'i ke marrë.
Më jep ujë nga izvori,
Nga burimet e krahrorit.
Mjaltin nuk ma jep me lugë,
Por ma jep ta pi me buzë.
Dhe më deh, më vë në gjumë.
Si të mos marrosem unë.
* * *
(“të thashë, moj syzezë,
të mos dashurohemi”)
Dëbora zbardhi dhenë.
Ikën zogjtë. Korbat mbetën.
Drurët nxijnë ashtu të zhveshur
Si me pendë korbash veshur.
Bora e thinjëve më mbuloi.
Sytë e zinj dot nuk m'i zboi.
Seç ma nxinë shpirtin tim
Syt'e tu korba të zinj.
* * *
(“ç'm'u dogj i shkreti xhan”)
E ngrita shishen me raki
Dhe dot s'e shojta zjarrë.
Mbeta me gotën në vetmi
Dhe lotët e patharë.
Bashkë me lotët po e pi
Helmin e dashurisë.
Do ta djeg shpirtin qiri
Për zemrën tënde kishë.
Për atë zemër që më zboi
E më dha arratinë.
Psalmin e fundit po këndoj
Për ty dhe dashurinë.
© Vangjush Ziko



