Funerali - Tregim nga Ilir Gjini
Sot nuk shkruajta anjë fjalë në ditarin tim. Shfletova faqet e viteve të shkuara…
Po shijoja disa ditë pushimi në bregdet dhe zhurmat e dallgëve që ndiqnin njëra-tjetrën, më përplaseshin në vesh si pëshpërima që vinin nga një botë tjetër. Nga një botë e harruar, e mbuluar thellë me një masë uji që qe zgjuar papritur duke larguar vellon e saj të harresës.
Detin gjithmonë e kisha imagjinuar si një humnerë shpirtërash të mbuluar thellë me një masë misterioze uji dhe kuvendimi i tyre shkaktonte dallgët. Kur këto shpirtëra ishin në harmoni, dallgët ishin miqësore dhe puthnin me ëmbëlsi bregun. Kur ato zëmëroheshin, grindeshin mes tyre, fillonin stuhitë me dallgë të egërsuara që ndiqnin njëra-tjetrën.
I humbur pas misterit që më ofronte deti, nuk po e dëgjoja zërin e të zotit të shtëpisë ku qëndroja me qera, i cili u afrua dhe më shkundi lehtë supin.
Të kërkon Beni në telefon, - më tha me një fytyrë të shqetësuar. Zëri i Benit vinte i largët e vajtues, si krakarima korbash që paralajmërojnë fatkeqësinë. Kishte vdekur Ladi, shoku ynë i fëmijërisë. Kishte pësuar aksident në Greqi. Ky lajm më tronditi shumë. Me Ladin më lidhnin shumë kujtime. Asnjëherë nuk kam besuar se njeriu ikiën nga kjo botë. Kujtimet e njerëzve të vdekur që kishin shenjuar diçka edhe në jetën time, më shfaqeshin në ekranin e kujtesës dhe besoja se një ditë ata do riktheshin sërish. Njësoj si pjalmi që përhapet në erë dhe duket sikur zhduket pa lënë gjurmë, por ngjallet sërisht dhe në bimë transformohet.
Pas tre ditësh po prisnim bashkë me Benin te porta e varrezave të qytetit, makinën e funeralit që do vinte nga Greqia. Kur makina u shfaq në horizont, zërat vajtues të grave të veshura me të zeza u bënë më buçitës.
Makina ndaloi dhe nga vendi i pasagjerit brofi një burrë topolak i veshur hijshëm me kostum të zi, e me këmishë me jakë të bardhë të puthitur pas qafës. Po u jepte udhëzime punonjësve të funeralit, kur në vesh dëgjova zërin e Benit:
- E njeh kush është?
- Jo, nuk më duket fytyrë e njohur.
- Është Petroja, shoku ynë i fëminisë.
- Jo ore… Petro guxhuvëra?
- Po, po, ai i tëri. Ka hapur një agjenci shërbimi funeral. Në emigracion nuk bëri prokopi dhe e gjeti prapë një guxhuvërë.
Petros dikur i kishim ngjitur nofkën “guxhuvëra”, pasi dinte të fshihej mirë në guva e në vrima dhe gjithmonë fitonte kur luanim lojën tonë të preferuar “fsheho”. Nuk e gjenim dot. Qe i vetmi që nuk kishte frikë nga errësira edhe kur qe i vetëm. Ne të tjerët edhe pse ishim më të zhdërvjellët se ai, errësirën e kishim frikë. Dikur luanim së bashku, ndërsa tani Petro po i bënte shërbimet e fundit Ladit.
- Afrohuni të hidhni edhe ju një grusht baltë - tha Petrua.
Zëri i tij dukej sikur vinte nga një pus i thellë. Fytyra dhe sytë dikur të zhdërvjellëta, tani qenë bërë të zymta. Pamja dhe zëri i tij ngjasonin me të një prifti predikues që u flet besimtarëve. Mëngjesin e ditës tjetër teksa po pija kafe me Benin, pamë pas qelqit të vitrinës Petron që po nxitonte për te agjensia e tij funerale në qoshe të pazarit. E ftuam për kafe, po nuk pranoi se do përgatiste varrimin e radhës.
Pothuajse çdo mëngjës pija kafe me Benin në kafenenë e vjetër të pazarit dhe pastaj vraponim në punët tona. Ai pas të sëmurëve të mëndjes dhe shpirtit, si mjek psikiatër, dhe unë gjuetisë së lajmit, si gazetar. Çdo mengjes shihnim Petron veshur me kostumin e zi, që s’e ndante nga krahët, që ecte në mënyrë ceremoniale dhe përshëndeste me mirësjellje kalimtarët. Beni e ftoi disa herë për kafe, po Petrua asnjëherë nuk pranoi me sebepin se ishte i zënë me punë.
- Po ti ç’dreqin ke që e fton. Nuk e kupton që nuk dëshiron të rrijë me ne? - i thashë i nervozuar.
- Kam kohë qe e vëzhgoj sjelljen e tij. Më duket tepër interesant për një studim timin shkencor me temë: “Transformimet e karakterit njerëzor dhe ndikimi i profesionit”.
- Më duket një temë tepër sfiduese dhe interesante.
- A nuk të duket se puna që bën tani e ka transformuar shumë sjelljen e Petros? Nga i gjallë e buçitës, në një shërbëtor të përvuajtur të vdekjes. Madje kur i përshëndet pleqtë me mirësjellje, duket sikur i parashikon edhe sa kohë jetë kanë akoma.
- Ti je çmendur doktor. Të ka përfshirë studimi dhe në vend të hulumtimit shkencor po i lë vend fantazisë, - i thashë dhe nuk e mbajta dot gazin.
- Ç’ke që qesh kaq shumë? Po të dalin lot nga sytë.
- Dje Petrua po mbante në kurriz arkivolin e Sadikut, kasapit plak.
- Pse?
- E pushoi nga puna para tre ditësh punëtorin e tij Arifin. Tani po bën edhe punën e Arifit. Arifi kishte pirë dhe kur qe ndeshur me Qazon, që mezi i hedh këmbët nga shëndeti i tha: Qazo mos u shëndosh më shumë se nuk të ngre dot e të hedh në gropë.
Beni filloi të qeshte me të madhe, aq sa tërhoqi vëmendjen e klientëve të kafenesë. Në tavolinën ngjitur dëgjova një pëshpëritje: “Iku për lesh edhe doktori. Do na shtohet budallenjtë në qytet”.
Afro tre muaj më pas, teksa Beni e kishte humbur shpresën se Petro do pinte kafe me ne, u shfaq paritmas Petrua. Me se doni t’ju qeras? - tha Petro gjithë xhentilesë. Epo na sill ndonjë raki, - ia ktheu Beni. Petrua u vërsul te banaku dhe pas disa sekondash u kthye me një tabaka ku mbante tre goda whisky. Qe i gëzuar dhe na dha lajmin se do vinte kandidaturën për deputet, me një parti me peshë në elektoratin e minoritetit.
- Kam menduar edhe sloganin e fushatës: “Për të ringjallur shpresën”. Si të duket?
- Për mua më mirë: “Për të rizgjuar shpresën”. Se ajo që vdes, zor se ngjallet prapë.
- Dakord. Kam besim tek ty. Më bëj një spot televiziv. Mos nguro për çmimin. E paguaj unë.
- Ok, por do desha që sloganin t’a thoshin disa vajza të reja, ndërsa ti të qëndroje pa folur, si babaxhan mes tyre, - i thashë me një fantazi që më erdhi aty-për-aty.
- Dakord. Do të sjell disa nga studentet e mia të pashme.
Nga Beni mësova që Petro jepte disa orë mësimi teologji tek Kolegji Grek. Kur Petroja u largua, mendova se nëse do votonin edhe të vdekurit, me siguri që Petro do fitonte. Ky mendim më bëri të qeshja me vete.
Vajzat e spotit televiziv Petro i kishte zgjedhur vërtetë të pashme, por njëra prej tyre ishte shumë e veçantë. Tepër e brishtë e me sy të mëdhenj, të kaltër si qielli, që reflektonin sinqeritet fëminor. Dukej si një gonxhe ku janë ulur disa pika vezulluese vese. Mësova që kishte mbetur pa baba që e vogël dhe i duhej që krahas studimeve edhe të punonte. Petro i ndiqte me sy të vëmendshëm bisedat tona kur uleshim për të pirë kafe pas filmimeve.
Kur filloi fushata elektorale, Petro sikur kish fituar diçka nga gjallëria e zakonshme. Mbante fjalime, takonte edhe banorët e fshatrave më të skajshme dhe i ftonte në dreka e darka. Bilbilonte edhe në debatet televizive, por kur u shpallën rezultatet, nuk e fitoi dot madatin e deputetit. Por Petrua nuk e prishi terezinë. Veshi prapë kostumin e zi ceremonial dhe iu kthye biznesit të funeraleve. Dukej që i ecte mirë se kishte ndërruar edhe makinën. Në vend të Fiatit të vjetër që hungërinte e dukej sikur vajtonte të vdekurit kur ngjitej në maloret e qytetit, kishte blerë një Benz të zi që vetëm pëshpëriste, e nuk bënte zhurmë as në malore. Beni vazhdonte studimin e tij të karaktereve, ndërsa Petrua biznesin e përcjelljes së të vdekurve.
Një ditë teksa po pija kafen e mëgjesit, Beni erdhi gjithë vrull dhe më dha lajmin se Petrua po martohej. Madje na kishte ftuar edhe në dasëm. Veshëm edhe ne kostumin e zi ceremonial dhe shkuam bashkë me Benin te kisha e vjetër që ndodhej në këmbët e qytetit. Në këtë kishë që gjatë viteve të socializmit qe shndërruar në depo qepësh, ikonat dhe figurat e shenjtorëve në kubenë e lartë, vështronin më një tis misteri. Një pjesë e tyre qenë dëmtuar e shpërfytyruar nga goditjet e kazmave kur feja u shpall nga partia si “opium për popullin”. Dikujt i mungonte syri, dikujt goja, dikujt veshi.
Dukej sikur vajtonin në heshtje fatin e tyre, ndërsa pjesa tjetër e shenjtorëve e restauruar tashmë, vështronte gjithë mirësi e shpresë. I humbur në vështrimet e shenjtorëve, më përmendi kënga e priftit që po shkëmbente kurorat në kokat e çiftit. Nusja qe e gjatë si lastar e me trup të brishtë, ndërsa Petro topolak e me gushë. Duhet të kishin rreth njëzet vite diferencë moshe. Kur çifti u kthye dhe po parakalonte para nesh, nuk u besova syve. Nusja e brishtë qe vajza studente që njoha kur Petro vuri kandidaturën për deputet. Sytë e saj të mëdhenj me kaltërsi qiellore, u ndeshën me sytë e mi dhe atëhere munda t’a njoh. Petrua në krahë të saj mu duk si një gumen i ulur në një gonxhe, ku vezullonin disa pika vese dhe po thithte gjithë babëzi nektarin.
Kur e pyeta Benin se ç’mendonte për fatin e kësaj martese të pazakontë, ai gjithë qetësi u përgjigj: “Ndoshta vajza e brishte ka gjetur te Petro një oaz të sigurt. Një gji të qetë ku mund të ankorohet duke mos ndierë furtunën e ftohtë të jetës. Ndoshta përkujdesja e Petros i kujton asaj figurën e munguar të të atit”. Ndoshta Beni kishte të drejtë, megjithëse besoja se vajza e bukur nuk ishte e lumtur. Petrua më dukej si i bërë me krahë, ndërsa ajo kishte një vështrim melankolik që nuk e kisha pikasur kur filmoja dikur portretin e saj. Më përshëndeste kur shkëmbeheshim në rrugë dhe buzëqeshte, por në thellësi të syve të saj shihja trishtimin.
* * *
Në qytet qe përhapur lajmi se nusja e bukur e Petros qe somnabul. Ngrihej në mes të natës dhe shkonte te shtëpia e nënës së saj. Qëndronte fiks një orë dhe pastaj kthehej. E kishin raportuar në polici fqinjët e nënës pasi menduan se qe hajdute.
Madje e kishin parë edhe disa taksistë që trasportonin klientët në orët e vona të natës. Ecte me sy të mbyllur, por hapin e kishte të sigurt. Ecte me një siguri dhe saktësi të habitshme. Beni më tha se nusja e bukur e Petros ishte edhe pacientia e tij e fundit. Nëna e saj i kishte treguar se vajza vinte natën në shtëpi, hapte sundukun e vjetër të kujtimeve dhe vishte një fustan të bardhë, të cilin nëna e kishte veshur ditën e dasmës. Qe një dhuratë e bashkëshortit. Qëndronte disa çaste, pastaj hiqte fustanin dhe largohej.
- Po tani ç’mendon për këtë që po i ndodh vajzës? - pyeta gjithë kuriozitet Benin.
- Nuk di ç’të them. Është hera e parë për mua që kuroj një somnabul.
- A ka lidhje martesa e saj me këtë që po i ndodh?
- Nuk e kam ende një përgjigje. Do bëj të pamundurën për ta shëruar.
Sëmundja e së shoqes, duket e kishte shqetësuar shumë Petron. Nuk zgjohej më që në pikë të mëngjesit për të vrapuar për te agjensia e tij funerale. Tashmë zgjohej me nge dhe shkonte aty bashkë me të. Kishte shkuar edhe në ishullin e Korfuzit me pushime për një muaj duke ndjekur këshillën e Benit, me shpresë se duke ndërruar ambient, e shoqja do të mund të shërohej dhe s’do ngrihej më natën.
Madje fjetën për disa netë edhe në një manastir të shenjtë në Agio Oros në Greqi, ku Petro kishte punuar kur ishte emigrant, por kur u kthyen, e shoqja sërish ngrihej natën dhe symbyllur ndiqte të njëjtin ritual. Petro i shqetësuar tashmë e ndiqte në disatancë gjatë ecejakeve të saj nëpër natë. I dukej sikur do t’ia rrëmbente dikush dhe e ndiqte pas si hije. Kur ecte përbri saj, mua më dukej sikur Petro e mbante në duar të shoqen. I shikonte me përçmim djemtë që shikonin me admirim e zili portretin e saj të bukur.
Një mëngjes herët, këmbanat e kishën së vjetër po binin vajtueshëm. Gjumin nuk ma prishën këmbanat vajtuese të kishës, po zilja e vjetër e shtëpisë që tringëllonte si zile shkolle. U zgjova me mundim dhe u befasova kur pashë në pragun e derës Benin.
- Ç’ka ndodhur? Dukesh i shqetësuar.
- Ka vdekur gruaja e Petros, - më tha me gjysëm zëri.
- Vërtetë…
- Po, e përplasi një makinë dje natën. Ky lajm më ra si bombë. Bashkë me Benin shkuam për të ngushëlluar Petron. Ai dukej si një eremit i ardhur nga një botë e nëndheshme. Nga një botë e përtejme që e kishte dërguar për të vëzhguar botën e të gjallëve. Fjalët ngushëlluese të njerëzve u përgjigjej me përtesë dhe diçka pëshpëriste me vete. Gjatë funeralit pothuaj humbi ndjenjat dhe Beni u kujdes shumë për të.
Vërejta se fjalët e Benit kishin ndikim të madh te Petro.
Që i vogël i kam urryer funeralet. Në qytetin tonë ata ishin të frikshëm. Pjesëmarrësit në funeral formonin një karvan të gjatë vajtonjësish, që mbanin në krahë arkivolin e njeriut të vdekur dhe përshkonin me këmbë rrugën përmes pazarit.
Makina e funeralit priste nja 300 metra më poshtë. Madje disa herë arkivoli ishte me kapak të hapur dhe ne fëmijëve që luanim në rrugë, na kallnin datën. Edhe sot nuk më hiqet nga mëndja portreti i një vajze të re dhe nëna e saj që i kërkonte të ngrihej. Të ngjallej.
Kur punëtorët e funeralit rregulluan kurorat dhe u larguan, vërejta një djalë të ri që vuri mbi varrin e mbuluar të së shoqes së Petros një karafil të kuq dhe u largua si vjedhurazi.
Pas humbjes së të shoqes, Petro e ka humbur fare pusullën. Nuk tregon interes as për biznesin e funeraleve. Ia besoi një të afërmi dhe u betua se nuk do merrte më pjesë në asnjë funeral. Madje edhe kur i thanë se e fitoi mandatin e deputetit, pasi ai që kryesonte listën vdiq pa pritur e pa kuptuar, ai nuk pranoi të bëhej deputet. Nuk dëshironte të fliste me njerëz dhe shpenzonte orë të tëra duke folur mbi varrin e të shoqes.
I dukej sikur do të mund ta ngjallte dhe ta sillte sërisht në botën e të gjallëve. I vetmi me të cilin bisedonte qe Beni. Për Benin ndiente njëfarë simpatie, pasi qe përkujdesur për të shoqen. Vetëm Benit i tregoi se ai qe fajtor për humbjen e së shoqes, pasi natën e aksidentit e pati zënë një gjumë i rëndë dhe nuk kish mundur ta ndiqte pas siç bënte çdo natë.
Benit i janë shtuar shumë pacientët. Taksisti që shtypi të shoqen e Petros u çmend dhe Beni e përcolli për në spitalin psikiatrik. Madje edhe një aktor të teatrit profesionist të qytetit që tentoi disa herë vetëvrasjen. Benit i janë shtuar pacientët e çmendur, kurse mua lajmet e çmendura. Prej disa ditësh është përhapur një thashethem se në varrezat e qytetit vjen vërdallë një fantazmë e veshur me të bardha. Në të gjitha kafenetë gumëzhin muhabeti për fantazmën e bardhë. Pleqtë betohen se kanë parë fantazma edhe më parë, po unë nuk besoj në to. Asnjëherë nuk jam impresionuar nga lajmet sensacionale. Madje një herë një fshatar nga fshati Llambro erdhi në redaksi dhe m’u betua se kishte parë UFO-t.
Ky fshat llamburinte nga reflektimi i rrezeve të diellit që përthyeshin në shkëmbinjtë e bardhë rreth fshatit, prandaj quhej Llambro. Fshatari më solli edhe një foto ku shihej një rreth i zjarrtë në qiell, po unë nuk pata guxim ta publikoja lajmin. Nuk doja të dukesha qesharak.
Por thashethemnaja e fantazmës po më intrigonte pa masë. Iu luta Benit të shkonim në mesnatë në varrezat e qytetit, se të shkoja vetëm nuk ma mbante. Ai pranoi, por nuk mundëm të shohim gjë. E provuan disa herë, po pa rezultat. Iu luta Benit ta provonim për herë të fundit dhe ai pranoi. Qe një natë e qetë me shumë dritë hëne. Fotot e banorëve të vdekur të qytezës së nëndheshme, reflektonin nën dritën e argjendtë të Hënës dhe më dukeshin si portretet e gjymtuara të shënjtorëve të kishës. Dukej sikur protestonin në heshtje se u qe bërë një padrejtësi duke i çuar para kohe në botën e përtejme.
- A nuk të duket se varrezat një ditë do mbulohen nga uji? - pyeta Benin.
- Pse e thua këtë?
- Nuk e di pse deti më duket një masë ujore ku janë mbytur shpirtëra të vdekur.
Pa e mbaruar mirë fjalën, m’u shfaq para syve një silutetë vajze e veshur me të bardha.
- Pse u prishe në fytyrë? - më pyeti Beni.
- Pashë siluetën e bardhë të fantazmës. Ja ku është, shikoje.
- Unë nuk po shoh gjë. Duhet të jetë haluçinacion. Ke patur ndonjëherë?
- Jo. Asnjëherë.
Ndoshta Beni kishte të drejtë. Më erdhi ndër mend novela Murgu i Zi si dhe Pavioni Numër Gjashtë i Çehovit. Po u mora sërish me fantazma do çmendem, thashë me vete. Megjithatë, thashë ta provoj edhe një herë. Iu luta operatorit të më shoqëronte sërish natën tjetër. Pas disa lutjeve të mia, ai pranoi nga zori. E vendosëm kamerën në një stativ te muri i varrezave dhe e drejtuam objektivin nga varri i të shoqes së Petros. Sytë e mi mund të shohin haluçinacione, por kamera jo, thashë me vete. U ulëm e ndezëm cigare pas cigaresh dhe çohesha vetëm kur ndërroja kasetën e kamerës që i kishte mbaruar filmi.
U ndava me operatorin në agim. Ai ndihej i lodhur dhe shkoi të flinte, ndërsa unë nuk kisha gjumë. Vrapova për në redaksi dhe fillova të kontrolloja kasetë pas kasete. Fillova t’i lëviz me shpejtësi pamjet filmike që paraqisnin vetëm një plan varri të heshtur. Papritur nuk po iu besoja syve… silueta e një vajze e veshur me fustan të bardhë u shfaq në ekran. Ngjasonte shumë me të shoqen e Petros. Mos po shoh prapë haluçinacione? Telefonova Benin, që erdhi me një frymë dhe i tregova pamjet filmike.
- A mund t’i shfaqësh më ngadalë pamjet? - pyeti Beni.
- Po. Vendosa opsionin e ngadalshëm.
- Ndaloje këtu… - bërtiti fort Beni.
Shtypa butonin pauzë dhe nuk po u besoja syve. Fantazma e vajzës po përqafonte një djalosh me fytyrë të hequr, ku ende nuk kish mbirë qimja. Ky përqafim zgjati për disa çaste. Dukej si përqafim lamtumire që vinte nga bota e përtejme. Pas disa sekondash silueta e vajzës u zhduk, ndërsa djalit i mbeti në dorë vetëm një karafil i kuq.
- Ky duhet të jetë djali që e dashuronte, por ajo nuk iu përgjigj dashurisë së tij, ngaqë ai ishte disa vite më i vogël në moshë, - pëshpëriti Beni.
- Po ti nga e di?
- Ma ka thënë ajo vetë, pasi u sëmur dhe filloi të ecte nëpër natë. Ai e ndiqte edhe pas martese. Qe një sekret profesional që nuk mund ta ndaja me askënd.
- A beson në ngjalljen e shpirtit pas 40 ditëve?
- Nuk kam besuar. Por tani nuk di ç’të them. Ndoshta ka ndonjë përjashtim.
- A thua se shpirti i saj u zgjua për një çast në botën tonë, vetëm për t’i dhënë një përqafim djaloshit? Përqafim dashurie që s’mundi t’ia jepte në botën e të gjallëve?
- Nuk e di. Kjo do jetë dilema ime në fundin e studimit të karaktereve.
- Po ti, do ta publikosh videon?
- Po. Vetëm se do t’ia mbuloj sytë djaloshit që të mos njihet.
- Do bëhesh gazetar i famshëm tani…
- Nuk e besoj. Do mblidhen në studio gazetarë, analistë e psikologë dhe do thonë që e kam inskenuar vetë videon. E ka bërë për të fituar famë.
- Kur do ta publikosh?
- Nesër. Do bisedoj njëherë me djaloshin. Pas publikimit do shkoj disa ditë për të pushuar pranë detit. Dua të dëgjojë zhurmën e dallgëve. Janë pëshpërima shpirtrash që vijnë nga nje botë e mbytur.
© Ilir Gjini - Toronto, 19 Mars 2023



