Krijimtari

RROBA PËR ANDEJ - Tregim nga Faruk Myrtaj

-Prindërve të mi-

Ai, babai, ende fle. Pas pak do të zgjohet, për mëngjes, por edhe gjatë ditës e merr gjumi herë pas here, në të gjitha orët, pra s’ka orar të saktë zgjimi.

Ajo, nëna jonë, është mësuar ta ndjejë me tahmi sa herë të ndodh kjo. Ajo e di se është mirë t’i jetë sa më afër në momentin e zgjimit. Zgjimit të tij.

“Në çentesë, në minutë!”, jam aty, sikur i thotë ajo.

Asnjë kuptim s’kanë minutat në fund të një jete të gjatë, por ajo lutet e dëshiruar t’i gjendet pranë në çaste shpërgjumje. Një moshë të tillë larg ditës së lindjes dhe, kush e di sa afër ditës së Ikjes, merr tjetër kuptim çasti i daljes prej gjumit. Edhe për ne fëmijët, kur i dëgjojmë: “Ja, u përmendëm edhe një herë, i hapëm sytë edhe një herë, qenkemi akoma…!”

Si për ta bërë shpejt e shpejt esëll Njeriun e saj, për t’ia larguar sido si dyshimin e mos qenies, dallimin e ‘marrjes një sy gjumë’ nga ‘gjumi i gjatë’, që avash-avash pranohet thuajse duke qeshur të thirret edhe vdekje, ajo është deri në fund e bindur se duhet t’i gjendet aty, tek koka, në këto zgjime të shumta të shterjes së qenies, për t’i provuar se jeta, edhe pse ca e ngadalshme, megjithatë vazhdon.

“Nuk duhet lënë pa njeri njeriu, gjersa është gjallë”, vibron si kujtesë në ajër, që prej kudo ku gjendet, ajo përgjon zgjimin e Tij, njëlloj siç bënte me ne fëmijët, kur na kishin të vegjël, në netët me temperaturë. Dhe, gjithnjë, duke u marrë edhe me diçka tjetër.

Me veshët andej, gjithnjë, nga krevati ku kullonte trupi i hershëm i njeriut me të cilin ishte plakur bashkërisht. Ajo vet, ngaqë nuk e pëlqente kur e dëgjonte te bota atje tej, nuk e përdorte kurrë fjalën “plak” për babanë tonë, që kurrë të mos mësoheshin veshët e neve, fëmijëve, me të. Dhe as goja.

Edhe kur ne ishim aty, brenda shtëpisë, por edhe kur gjendej diku në oborr duke larë apo nderur rrobat, se si ia ndjente, deri edhe frymëmarrjen. Edhe nga cepi më i largët i kopshtit, duke ujitur domatet, specat, bamjet e bizelet në bahçen e vogël në anën tjetër të oborrit, dëgjonte gjithçka, kur duheshin dyzetë palë veshë. S’ishte kollaj, por të gjitha duheshin bërë. Veshët përgjëroheshin pa pushim, edhe pse asaj i ngjante se herë-herë sikur i bënin hile. ‘U shurdhofshi, dè!’, i qortonte dhe nxitonte, linte kovën e ujit, shpëlante duart tek muslluku në oborr, hynte në korridor dhe maja-gishtash hynte në dhomë, i afrohej krevatit të Tij, ia dëgjonte frymën, bindej që ishte, që e gjente pra, edhe pse sërish në gjumë.

Dhe dilte në oborr, kthehej përsëri në bahçe. Nuk e lodhte lodhja, le t’i bënin lodra veshët! Përsëri tek perimet, tu shërbente edhe atyre, gjë e gjallë për të gjallin, ishin edhe ato!

“Më shumë kemi rrojtur se do rrojmë, më shumë jemi munduar se do mundohemi!”, thoshte me veten. Duke qeshur e namatisur me veten. Në ndjesinë se e dëgjonte edhe Ai. Edhe kur vet ndjehej gati të shkonte në krevatin tjetër, pranë tij dhe t’i jepej gjumit njëlloj si ai, ia shtynte për dikur më vonë këtë privilegj! Le t’i vinte ca gjëra në vijë, më parë…

Në mos qè zgjuar, së shpejti do të ishte duke dalë prej gjumit. Ajo bënte, si furtunë, për te rrethakja, vatra e zjarrit që digjej në oborr, vinte xhezven në hirin e ngrohtë, afronte dy filxhanët, një lugë të vogël kafeje, tavllat, kupën e pluhurit të zi e të sheqerit të bardhë. Të gjitha të ishin gati.

Edhe nga fundi i botës, do t’ia dëgjonte gërgërimën e krevatit, teksa ai bëhej gati të dilte nga mjegulla e gjumit. Ia bënte për shpirt të saj kujdesjen, e dinte se atij do t’i mungonte shumë në hapësirën që shihte në zgjimet e këtyre kohëve por, pse jo, edhe pse atij i mbetej hatri, kur ajo i shfaqej me sado-pak vonesë pasi i kishte hapur kapakët e syve. Nënës kurrë s’i mbetej qejfi, as edhe kur ai lëshonte ndonjë fjalë tepër. “E çfarë pastaj se e tha?! Jemi duruar një jetë të tërë, si ta prishim për ca pak ditë që na ka mbetur?!”

Kur e shkonte ndërmend fundin, jetën e mbetur deri në fundje, nëna mendonte dhe fliste në shumës. Sikur donte, sikur donte dhe ishte e sigurt, se do t’i mbyllte sytë në të njëjtën orë, një çast me të. Edhe babai e thoshte, këtë, shpesh. Paçka se ca më ndryshe.

“Mos o Zot, mos gabo e më le të rroj pas kësaj, mortjes!”

“Mortje” i thoshte asaj, njeriut të jetës së tij, nënës sonë. Nënës kurrë në këto raste nuk i tingëllonte se e thërriste me të njëjtin emër me atë që dikur do vinte për të dy. Ajo qeshte, me vështrimin tonë për t’ia lehtësuar kuptimin e asaj përdorje fjale. Ne ishim fëmijët e saj, por ato kohë nuk arrinim dot ta kuptonim se ajo e besonte babanë tonë më shumë se ne.

Ai, as edhe një ditë të vetme nuk bënte dot pa të. Por edhe vetë ajo, sado grua, në gjendje thuajse të detyrueshme për t’i shërbyer atij si vetes, dukej se besonte se as që i duhej jetë më tepër, pa atë, babanë tonë, si njeriun e jetës së saj.

E afronte edhe pak xhezvenë tek kongjijtë, hidhte dy lugë kafè, një lugë sheqer, pas pak e shtynte xhezven edhe më pranë zjarrit dhe kthehej si në vrap të dëgjonte nga më afër, te dritarja. Ndonjë zhurmë prej andej brenda?!

“S’po zgjuhet, mos u zgjoftë,” thoshte duke qeshur, sa për ne, që ua dinim gjuhën mes tyre.

“U gdhive, aga?!” e pyeste pas pak. Me zë kësaj here, se gërvërima e sustës së shtratit qe dëgjuar.

“U gdhiva…Të mos gdhihesha thua ti?!”

Ajo hynte flatunë brenda dhomës, e ndihte të ngrihej, të vishej, ia shkonte krahun nën sqetull dhe e nxirrte te shkallët. Ditëve me diell s’ia ka merak ftohjen, shiltenë me lesh ia ka shtruar më parë, por merr te dollapi edhe një bluze me kopsa dhe ia hedh krahëve

“Hajde edhe ti, moj e uruar. Shëron ky diell! Hajde e ulu pak, se jeta mbaron më parë se punët.”

“Erdha, erdha! Ja sa të marrë xhezven!”

“Hajde moj, se afron dita kur do fshihemi! Do humbasim çoku, e s’do na gjej dot njeri...”

Plaka derdh lëngun e zi në dy filxhanë të bardhë dhe i ulet pranë. Gjerbin nga pak, duke menduar e folur për tërë ato që u kanë ndodhur, gëzuar e vuajtur bashkë. Hallet u kanë qenë më shumë, por të dy kujtojnë mbrëmjet kur uleshin me ne fëmijët dhe këndonin.

“O ç’u takuam në një rrugë të ngushtë...!”, ishin vargjet të një kënge dikur, që sikur bëhej tjetër e kënduar pleqërisht.

“O ne më mirë të mos ishim parë...” shoqëronte ajo, e pajtuar në akord më ulët.

“Se të vuanim kaq…të dy!” e vazhdojnë në një zë.

Ajo ngrihet, për pak, për t’u kthyer. Diçka ka harruar, nuk e pret dot fundin e kafesë.

“Po rri këtu, moj rri, se do ikim një herë e mirë dhe s’do na duhet gjë!”

“Uh, më marrtë e mira, ty dhe mua! Dashke të na zgjatësh edhe jetët ti!”

“Pse të mos jemi edhe ca?! Ku ka si ne? Apo ke hallin tënd, ti, se mundohesh me mua?!”

Nëna jonë e merr përqafe, filxhanin afër e ka por ajo ia afron edhe më, vendosur në një stol druri me fund të lartë, që ai të mos përkulet shumë, të mos e mundoj dorën e ligur.

Filxhanin e vetë, ajo e mban në dorë. Babai e sheh ashtu, si të ngarkuar në shërbim të përjetshëm, te gjunjët e tij, dhe i dridhen buzët nga dhembshuria për të, për plakën e tij, njeriun e tij, por as ai nuk e përdorë këtë fjalë që të tjera thotë:

“Po mirë të bëhet që më vjen vërdallë mua! Ndaj të kam! Për të vuajtur qenke lindur, gjersa pranove dhe u martove me mua, djalë të vetëm!”

Këto që po i thotë, s’janë ndonjë gjë e re. ne dhe Ajo i kemi dëgjuar plot herë të tjera.

“Po ulu mirë, të thashë…Se, edhe filxhanin e kafesë në dorë e mban, sikur ta pi bota! Ulu, moj qyqe, ulu!”

Kur është në të mira, i ka lezet kur zë ngoje fjalën e keqe, por i njomen sytë, kur nëna jonë e mësuar dhe e duruar me të, e merr për qafe.

“Afrohu edhe pak, afrohu!” i thotë ai.

Ajo i afrohet, si fëmijë që i bindet një fëmije tjetër.

“Afrohu, dè, se nuk të ha!” e ngre zërin babai. Mbështet buzët në faqen e saj të rreshkur.

Gjerbin kafe në heshtje, një copë here të mirë, aty tek shkallët, pastaj ajo jep shenjë se do bëhej edhe më mirë po të ngrihej. Janë tërë ato punë për tu bërë.

Ai i kap dorën, e vështron në sy, me sy që ende shkëlqejnë, dhe i lutet.

“Rrimë dhe pak...”.

Ajo e di ç’i shkon ndërmend atij. “Rrimë e kujtojmë ç’ka ndodhur...”

“Mirë dè, mirë, por të çoj filxhanët te muslluku, njëherë!”

Babai e ndjek me sy, teksa nëna arrin te muslluku, në oborr, dëgjohet çurgu i ujit që mbush filxhanët. Ajo i lan, fët-e-fët. S’e le kurrë enën e palarë të thahet ashtu.

Por kthehet po aq shpejt, te ai.

“Kështu ke qenë, flatunë...” i thotë ai.

“Edhe kështu, e mezi ia kam dalë me ty!”

“Po edhe unë kështu kam qenë, apo jo?!”

“Mos pastë punë njeriu me ty!” Nëna ia bën paçet me të qeshur.

“Ndize një cigare me mua, t’u bëftë helm!” jep lejen ai.

“S’pi duhan gruaja!” ia pret ajo. Për t’i kujtuar fjalët e tij, dikur.

“Merre dreq merre...S’na bënë dëm një cigare në këtë moshë!”

Paketa aty është, por ai nuk e shtyn dot veten, as tani, t’i ofroj cigare nënës.

“Zgjate, t’u thaftë, ma jep një cigare me dorën tënde! Tërë jetën kështu. Kërcenin shoqet e mia në vatrën e kulturës, unë s’kërceja. Nuk di, u thosha...Unë bëhesha flutur, por ku të futesha nga ty, pastaj?! Kurrë nuk u bëra si shoqet...Ah, edhe unë, kot llafosem, shtyjmë kohën, thuaj!”

Babai afron kokën tek faqja e saj. E puthë ngadalë, në quhet kështu vendosja e buzëve të thata në të thatë...

“E di, e di... Gjithnjë, për të mirën time ma ke prishur qejfin!” thotë ajo.

“Edhe ti, për të mirën tënde s’ma ke prishur qejfin!” shtonte ai.

“Si kukull më ke pasur dhe rrobat prej kukulle m’i ke zgjedhur! Aman edhe unë kukull të kam qëndruar, kukull të kam mbajtur! Mos bëfsh rehat andej, po s’ma dite!”

“Për Rrobat për Andej the ti?”

“Thashë për rrobat këtu, që veshëm në të ritë tonë. Ç’ke me Rrobat për Andej ti?! Jemi shyqyr Zotit këtu, apo jo?!”

Babai tund kryet. Duket sikur i jep të drejtë, por nëna ia rrëmben mendimin e fshehur. Që të mos dalë ku shtyri fjalën, ajo nxiton t’i përmend ndonjë paudhësi të hershme, që s’ia ka zënë ngoje dikur.

“Asnjëherë s’më ke lënë t’i zgjidhja rrobat siç kam dashur!”

“Po edhe ti, kurrë s’i ke veshur kur s’më kanë pëlqyer mua! Këto të fundit fare, s’na i nxjerrë t’i shikojmë njëherë?!”

“Çfarë the?!”

“Rrobat për Andej, thashë...I shikojmë njëherë bashkë se...ku i dihet!”

Ditë me diell kaq të ngrohtë, por edhe kësaj dite s’do t’i bindej dëshirës së shprehur prej tij. Një shkak gjendej, gjithnjë, për të thënë jo.

Prej kur i kishte larë e hekurosur, palosur e mbyllur në të njëjtën bohçe, rrobat e tij dhe të sajat, bashkë, askush nuk do dinte ç’bëhej me to. Në vend të duhur, i kishte futur, të pa lagështirë, me ajër e dritë të nevojshme. Kohë pas kohe I nxirrte dhe I shikonte. Vetëm ajo, nëna, rrobet e të dyve.

Babai ia shkonte hera herës ndërmend, ‘hidhu ndonjë sy, mos na kalben së gjalli”, i thoshte. Nëna s’përtonte t’i kujtonte thënien se gruaja që vështron fshehtazi rrobat e vdekjes së burrit, vdesë vet, brenda dyzetë ditësh, ai qeshte mbytur. “Jo, jo, s’ke të drejtë të vdesësh përpara meje, lëri rrobat atje ku janë, më mirë!”

Nëna ngrihet, ai e ndjek me sy, si fëmija lëvizjet e nënës së vetë pa domethënien e tyre.

“Vetëm pleqëri të mos kishte…’, thonë, për muhabet. Neve, fëmijëve, na thonë të mos i shohim si pleq.

Mbase vërtetë, në sytë e saj, babai ynë i është ai i dikurshmi, i gjatë, i thatë, eshkë, i gjallë. Sa ka nge, nuk ia prish qejfin. E çfarë se ndonjëherë ai merrte flakë dhe e kthente çdo gjë përmbys?! Ato çaste ajo bëhej pulë, e urtë, e bindur, në pritje që dallga të qetohej dhe ajo të lëshonte barkën e saj, ku gjithnjë…gjithnjë, kishte një vend edhe për të, babanë tonë,  njeriun që e kishte bërë grua e nënë për jetë. Edhe pse kurrë s’priste ta dëgjonte nga goja e tij, ne fëmijët ia shihnim bukurimën e Saj të dikurshme, fytyrën e sytë si bajamet, flokët që i derdheshin gjer në bel, të cilave ai mbase u gëzohej ende, me vlagën e tyre dikur që ua mbanin ngrohtë edhe moshën e vonë…

“Do të rrish edhe pak këtu jashtë, apo...”

“Apo të më çosh në krevat, këtë do thuash?! Do më çosh njëherë e mirë atje, po duro edhe pak! Na i nxirr njëherë ato të flamosura rroba!”

“Po deshe të shikosh vetëm rrobat e mia po, të tuat kurrë...!” ia pret ajo.

“Më merr të keqen mua ti! S’më nis dot përpara vetes!”

“Aty e ke hallin ti, e di unë. Nuk vdes dot ti, pa m’i parë, pa m’i kontrolluar edhe rrobat për andej…!”

“Të betohem, jo! E di unë, i ke zgjedhur të më pëlqejnë mua. Pastaj, rrobat për andej si rroba ushtarësh janë, të njëjta. S’ka për të zgjedhur ndër to!”

Nëna i afrohet, ia merr kryet e rrëgjuar, ia mbështet në gjoksin e saj.

T’i shohësh, si dy engjëj, zbukuruar nga drita ardhur së brendshmi. Ia kanë dhuruar njeri-tjetrit një jetë të tërë, sa s’mund të mos besojmë se babai kështu ka për tu mbështetur tek nëna jonë për t’ia besuar asaj edhe frymën e fundit. Ditët e njërit janë mbledhur e korkolepsur me të tjetrit dhe kurrkush nuk mund t’i pjesëtoj me dy.

“Kam frikë mos na bën gazin e botës, ditën e fundit, me ato rroba...”

Ajo qesh me lot me fjalët e tij. Edhe pse është po ai, si gjithnjë.

“Si të kam mësuar unë ty, si djalë të vetëm! Kaq ta bësh dhëmbin, s’kam për t’i treguar ato të shkreta!”

© Faruk Myrtaj