Nga bregu tjetër - Vangjush Ziko
* * *
Me valixhe e biletë avioni
qiellit u ngjita,
veç Zotin dot s'e pashë,
djalli më priste poshtë,
por iu shmanga,
takova Mendimtarin e Rodenit
me muskuj bronzi
dhe ballin lodhur nga mendimi.
Kalita muskujt me punë të rëndomta
(aspak të lehta),
por trurit si t'ia bëj
(robot nuk është),
penduli i tij,
porsi penduli i orës
varur në mur të dhomës,
rreh pa pushim dy skajet:
asgjësimin dhe ekzistencën.
Bregun që lashë shoh në ëndërr,
bregun e ri s'e quaj dot
as timin, as të huaj,
vetëm -
Bregu tjetër.
* * * *
Kohët e foljeve
i di përmendësh.
Kohët e jetës m'u përzien,
si kohët e motit
dhe si mendimet.
U gdhiva nën një panjë
ku thëllimi i polit
ma përzjen borën me thinjët,
Të tashmen përpiqem ta mësoj,
sa për të ardhmen,
s'e vras shumë mendjen,
është e shkruar në një tjetër libër
që dot nuk e lexoj.
© Vangjush Ziko



