Krijimtari

Vetmia - Nga Artan Gjyzel Hasani

…e bën të lehtë

si një tren me vagona bosh

mbi shinat nanuritëse

kokën mbështetur në xhamat

e syzeve të mia të padukshme

e bukur dhe e heshtur kjo grua

si e dalë nga filmat pa zë

harruar në kujtime të padëmshme

nuk pret më asgjë

vetmia është dashuria e vetme

që nuk thotë të dua…

dikur kjo grua e bukur ishte e dashura ime

dhe çdo mbrëmje çmendej me mua

por tani është jehonë

dhe unë erë

e përshëndes duke tundur në ajër kapelen

dhe e lë të ikë

harresa është një udhëtim

që nuk ka nevojë për biletë…

(nga “FATA MORGANA”, 2023)

©artangjyzelhasani