Dy tatu dhe një shqiponjë - Tregim nga Sami Milloshi
Ata i shpërvolën llërët që ne të shihnim tatutë e tyre. Walter kishte tatunë A 1828, kurse Werner kishte tatunë A 1838.
Ata kishin dhjetë numra midis. Kjo do të thoshte se ishin në të njejtin rresht si skllevër. Kur t'i urdhëronin të shkonin drejt furrave të vdekjes në Aushvic, do të ishin bashkë.
Por Jeta ia rrëmbeu Vdekjes të dy. Nuk i la të shkrumboheshin si mijëra të tjerë. Na i pruri në këtë sallë të dëshmojnë tatutë...
Ata ishin hebrenj. Dhe ne që ishim në sallë ishim të etur për pyetje. Dhe ndoshta, më i eturi isha unë.
- Zoti Werner - thashë unë - ti i shpëtove krematoriumit, lavdi Zotit. Unë nuk isha lindur kur ndodhi mrekullia jote. A thua vallë mund të vijë një ditë që edhe mua të ma stampojnë një tatu si e jotja në llërë?
- Nuk di ç'të them, zotëri - tha zoti Werner. - Mund të ndodhë nëse ti dhe ju të gjithë sa jeni këtu në këtë sallë, kur të dilni prej këtu, thoni se unë dhe Walter nuk kishim tatu fare...
Walter tundi kokën në shenjë pohimi si për të thënë se ishte i një mëndjeje me Wernerin.
- Po mua nuk më kanë lënë sytë zoti Werner, e shoh tatunë tënde. Dhe, sa të jem gjallë, do t'ia them kujtdo këtë që pashë sot. Për atë Zot, të betohem!
- Po ç'hall ke atëhere? - pyeti zoti Werner.
- Kam hall se më ngjan se dikush, diku, dikund, më llogarit mua thjesht si një numër... Pak a shumë si numri i tatusë tënde, - thashë unë.
- Ke ti ndonjë tatu?
- Kam një shqiponjë në shpatull - thashë unë.
- Po pse shqiponjë? - pyeti Walter.
- Sepse jam nga Shqipëria- thashë unë. - Eshte shqiponja e flamurit...
- Amen - tha Werner. - Shqiptarët na dhanë strehë në shpirtin e tyre. As edhe një hebre të vetëm nuk ia dorëzuan vdekjes...
- Po, - tundi kokën në shenjë pohimi Walter. Dhe shtoi: “E do ti numrin tim ta vesh në krahun tënd?”
- Po pse? - pyeta unë.
- Që të ketë fat shqiponja jote në shpatull. Të mos ketë fatin e zi të bëhet hi në krematoriume, - tha Walter.
- Mirë, - i thashë unë, - dhe shkrova në një copë letër numrin e tatusë së zotit Walter.
- Shkruaje edhe numrin tim, - mu lut zoti Werner.
E shkrova edhe numrin e zotit Werner. Dhe kështu, shqiponja e shpatullës sime u bë me dy pëllumba që i rrinë në krahë në fluturimin e saj drejt Vdekjes.
Të Vdekjes: midis s’dihet se kur dhe s’dihet se ku...
© Sami Milloshi



