Peshku magjik - Tregim nga Ilir Gjini
I qe bërë zakon të shëtiste në trotuarin buzë detit në Urën e Gallatës. Këmbët e çuan edhe këtë pasdite nën binarët e lartë të urës. I pëlqente shumë ky vend. Vështronte me orë të tëra peshkatarët amatorë që gjuanin me grep dhe i kujtohej babai. Ai e merrte me vete të dielave për të peshkuar në bregun e lumit. Qe kënaqësi kur një zile e vogël tingëllonte lehtë dhe tërhiqte fillin e tejdukshëm, në fund të tij një peshk që kish kafshuar krimbin dhe kishte ngecur në grep.
Kur në grep binte ndonjë peshk i vogël me ngjyrë të verdhë, e mbante në akuariumin e tij. Mërmërima e valëve të detit i zgjoi kujtimet e ëmbla të fëminisë dhe vendlindjes së largët. Vëmendjen ia tërhoqi një peshkatar plak i ulur mënjanë të tjerëve. Gjuetia dukej i ecte mirë, por sapo i kapte peshqit, i hiqte nga grepi dhe i hidhte prapë në det. Sikur i kapte për t’i përshëndetur dhe për të mësuar të rejat e fundit nga bota e nënujshme. Vetëm kur kapi një peshk të vogël me ngjyrë të verdhë, e hodhi në kovën e vogël me ujë dhe u largua ngadalë.
Sapo merrte leje për liridalje nga shkolla, vraponte te cepi i mënjanur ku qëndronte peshkatari plak. Të siguroje leje nga shkolla nuk qe e lehtë. Shkolla e kadetëve kishte rregulla strikte, por atë e toleronin ngaqë ishte i student i huaj, e mbi të gjitha fëmijë jetim. Babai e la në moshën 10-vjeçare.
Qe aviator dhe në një stërvitje rutinë, motorët e avionit iu bllokuan. Nuk zgjodhi të hidhej me katapultë, megjithëse eprorët i thanë ta braktiste avionin. U mundua ta ulte dhe u përplas me një faqe mali të mbuluar nga mjegulla. Nuk i mbeti as nam, as nishan. U bë shkrumb bashkë me avionin, për të mbetur përherë në qiell si një re mistike tymi. Vetëm dy vite pas babait i vdiq edhe e ëma duke e lënë fillikat, si atë peshkun e vogël që përpëlitet në zall në mungesë të ujit. E rriti gjithë përkushtim gjyshja.
Dashuria dhe përkujdesja e saj ia lehtësuan dhimbjen. E gjithë qënia e saj rrezatonte mirësi. Kurrë nuk e qortoi edhe kur bënte gabime e ndonjë çapkënllëk në shkollë. Në vend të qortimit e shtrëngonte fort në gji, i ledhatonte flokët dhe kapërdinte lotët. Kjo kishte efekt më të madh sesa qortimet e mësueses. E ndiente shpirtin e saj që vuante e digjej në heshtje si një flakë e zbehtë qiriri dhe betohej se nuk do ta lëndonte sërish. Pas vdekjes së babait, nuk hoqi dorë nga rituali i peshkimit. Shkonte çdo të dielë, madje edhe kur binte shi. Peshqit e vegjël në akuarium kishin ngordhur.
Vetëm një peshk me ngjyrë të verdhë që e kishte kapur dikur i ati, vazhdonte të jetonte e të rritej shumë. Aq sa nuk e nxinte më akuariumi. Një nga shokët e babait i fali një akuarium të madh. Çudi si jetonte e rritej ende! Mësuesi i biologjisë ia tregoi gjithë klasës si një fenomen tepër të rrallë.
Pasioni për peshkimin që më shumë se pasion qe një ritual që i kujtonte babain, e ndoqi edhe kur fitoi një bursë për të studiuar në Stamboll në shkollën e kadetëve. Dhe këmbët si padashje e çonin te trotuari nën Urën Gallatës, ku peshkonte i vetmuar peshkatari plak. Me kohë u miqësua shumë me të. Madje plaku i mirë, i bleu paisje peshkimi dhe tani peshkonin bashkë. Sytë e thellë të plakut i kujtonin sytë e butë të babait.
- Pse peshkon kur peshqit që kap i hedh sërish në ujë? - iu drejtua plakut.
- Edhe unë e kam pasion nga babai. Po përpiqem prej vitesh të kap një peshk të rrallë që quhet kaya balığı. Jeton deri ne 120 vite. Kur është i vogël ka ngjyrë të kuqe, por kur rritet ngjyra i ndryshon në të verdhë. Po e kape të sjell shumë fat, - iu përgjigj plaku.
Prej asaj dite djali ëndërronte të kapte peshkun e çuditshëm, që e përfytyronte si peshk të artë me fuqi magjike. Nuk besonte se do t’i sillte fat, por donte të gëzonte mikun e tij zemërbardhë. I dukej vetja si peshkatarët që guxonin të kapnin Floçkën e ujit, ose Zanën e Bukurisë. Tani shkonte më shpesh për të peshkuar. Ulej në krahë të plakut dhe rrinte gjithë ankth sa herë që filli përkundej mbi valë. Tërhiqte me mjeshtëri fillin, me shpresë se do ta kapte peshkun magjik. Kapte lloj-lloj peshqish, por jo atë.
E humbi shpresën dhe një natë tek vështronte yjet, iu lut portretit të babait që iu shfaq si vetëtimë në qiell, ta ndihmonte. I dukej sikur shpirti i tij tani qe strukur brenda kraharorit të peshkatarit plak. Të nesërmen shkoi sërish për të peshkuar. Teksa tërhoqi fillin, nxorri një peshk të vogël të kuq me sy të mëdhenj, që dukej sikur rënkonte duke përplasur buzët nga dhimbja. E hoqi me kujdes nga grepi dhe u mat ta hidhte në ujë.
- Mos për hir të zotit! - dëgjoi zërin buçitës të plakut. Është ai.
Sytë e peshkatarit plak po shndrisnin si perla teksa shikonte përpëlitjet e peshkut. E kapi me kujdes dhe e hodhi në kovën e vogël të ujit. I liruar nga grepi, peshku i vogël filloi të notonte me vrull brenda kovës.
- Sonte do ta mbaj unë, se kam akuarium me ujë deti. Nesër do të ta sjell në konvikt.
- Mbaje përgjithmonë, unë e kapa vetëm për ty, - ia ktheu djali.
- Jo, jo… është fati yt.
U nda me plakun dhe falenderoi shpirtin e babait. Nga gëzimi gati po fluturonte dhe përshëndeste edhe kalimtarët e panjohur që ndeshte. Para vitrinave të një dyqani dhuratash, pa një portret vajze që iu duk i njohur. “Të jetë Linda”? - pëshpëriti me vete. Linda qe shoqja e tij e bankës. E brishtë si degë qershize, me sy të gjallë, të shkruar. Kur padashje i prekte ndonjëherë dorën, i elektrizohej edhe pushi i verdhë që sapo i qe dirsur në faqe. E donte Lindën, por nga ndrojtja, kurrë nuk ia shprehu dashurinë.
Megjithëse bënte plane çdo natë, kur e takonte rrugës për në shkollë, betohej me vete se do ta propozonte ditën tjetër. Sytë e vajzës qenë gati njësoj si të Lindës, por tepër melankolikë. Dukej e shqetësuar.
- Si mund t’ju ndihmojë zonjushë? Dukeni e shqetësuar.
- Nuk besoj se mund të më ndihmoni, - i tha vajza dhe sytë e hirtë u lëngëzuan nga lotët. Sapo më pushuan nga puna dhe nuk di nga t’ia mbaj.
- Mos u shqetësoni, Stambolli është i madh dhe do të gjeni një punë tjetër. Jeni e re, shumë e bukur dhe me siguri familja do t’ju ndihmijë ta kaloni këtë situatë të pakëndshme.
- Nuk kam familje. Prindërit me lanë të vogël dhe më rriti gjyshja. Tani ajo është plakur shumë dhe është verbuar.
- Paskemi të njëjtin fat. Mos u dëshpëroni.
Sytë e djalit u mbushën me lot.
- Si ju quajnë? - e pyeti me një zë të mekur.
- Rana. Po ju?
- Fatmir… që në gjuhën time do të thotë fat i mirë, por në fakt deri tani kam qenë fatkeq. Qe fat që ju njoha, besoj do jem vërtet fatmirë tash e mbrapa.
Ecën një copë rrugë së bashku, pa folur. Edhe pse kishte vetëm disa çaste që e njihte, i dukej si njeri shumë i afërt. Nuk mund të qëndronte gjatë, i duhej të largohej për në konviktin e shkollës. E përqafoi Ranën dhe i la në dorë të gjitha kartmonedhat që kishte në xhep. Do takoheshin sërish nesër. Nuk mbushej dot me frymë nga emocionet. Kjo qe dita më e lumtur e jetës. Kishte gjetur shpirtin e tij binjak. Për disa orë nuk foli me njeri. Vështronte yjet.
Qielli si një ekran gjigand kinemaje i shfaqte një herë portretin e babait dhe pas disa sekondash atë të Ranës. “Paska pasur të drejtë plaku, peshku vërtetë ka veti magjike…”. Një shok e përmendi nga vetmia ëndërrimtare. Dikush e kërkonte. U habit shumë kur pa te porta e konviktit, peshkatarin plak. Në duar mbante si një foshnjë të sapolindur, akuariumin me peshkun e kuq.
- Pse nuk prite deri nesër?
- Nuk mund të prisja deri nesër. Ky peshk i magjishëm të përket vetëm ty.
U zgjat te xhami i akuariumit për t’i dhënë lamtumirën. Peshku i vogel u afrua në xham dhe po e shikonte çuditshëm, me sytë e tij të mëdhenj. Po komunikonin mes tyre me një gjuhë shenjash. Plaku afroi buzët që i hapte e mbyllte lehtë si frymëmarrje peshku.
- Jo nuk dua ta mbaj. Të përket vetëm ty. Unë e gjeta sot shpirtin tim binjak, - i tha djali dhe i tregoi për Ranën.
Të nesërmen, teksa po priste me padurim, më parë se Rana, u shfaq plaku. Sytë i shkëlqenin nga kënaqësia.
- Peshku është vërtet magjik. Dje kam folur me gruan time që më ka vdekur 20 vite më parë. Merre këtë varëse për Ranën. I përkiste gruas time, tani le ta mbajë Rana.
Qe një varëse e punuar për merak nga duart e një mjeshtëri argjendar, me një perlë të madhe në qendër. Kur ia vendosi Ranës rreth qafës së brishtë, ajo u mrekullua kaq shumë sa filloi ta puthte me afsh. Qëndruan për një orë të përqafuar dhe u ndanë për t’u takur të nesërmen. Por, të nesërmen ajo nuk erdhi. Nuk erdhi as në ditët në vazhdim.
Djali i shqetësuar e kërkonte si i marrë në rrugët e vjetra të Stambollit, me shpresën se do ta gjente. Por ajo nuk po shfaqej gjëkundi. “Diçka do t’i ketë ndodhur, mendoi”. Tani nuk shkonte më për të peshkuar, kërkonte shpirtin e tij binjak që kish avulluar si re mistike. Teksa e kish humbur shpresën, kur po kalonte para një dyqani të vjetër dhuratash, dëgjoi sërish atë zë të njohur. Qe zëri i saj. Me sytë me lot po i thoshte një mesoburri të veshur mirë, se kishte humbur punën dhe se ishte e vetme në këtë botë.
Qe zhgënjimi më i madh që i kish ndodhur. Ndjeu një boshllëk në kraharor… më të madh së atëherë kur humbi prindërit. Dashuria e gjyshes ia lehtësoi plagën, kurse tani… Donte ta pështynte në fytyrë këtë mashtruese të pacipë, por iu morën mëndtë dhe u mbështet në parvazin e vitrinës. Pas disa minutash, e mori veten dhe filloi të ecte drejt shkretëtirës së panjohur të jetës. Kishte mbetur sërish vetëm. Nuk donte ta takonte më as mikun e tij plak.
Peshku i tij magjik, paskësh qenë i nëmur dhe i kishte sjellë fatkeqësi. Plaku erdhi disa herë ta takonte në konvikt, por ai nuk doli. Pas një muaji, e bëri copash kallamin e peshkimit që i dhuroi plaku. Po vështronte sërish yjet, por në ekranin e madh të qiellit, nuk i shfaqej më portreti i dashur i babait. Mëngjesin e ditës së nesërme, mori një letër nga Linda.
Mes fjalëve të saj të thjeshta, kuptoi se ajo e donte, megjithëse nuk ia shprehte hapur dashurinë. Tani shkretëtira iu shndërrua në oaz dhe zgjati buzët për të shuar etjen. Me padurim priti pasditen dhe vrapoi në këmbët e Urës së Gallatës. Aty qëndronte i vetmuar peshkatari plak. E përqafoi fort dhe i kërkoi të falur. Mori kallamin e plakut dhe filloi sërisht të peshkonte. Mërmërimat e dallgëve, i zgjuan sërish kujtimet e largëta të vendlindjes.
© Ilir Gjini - Toronto, 9 Mars 2023



