Për shkak të orgazmës… - Tregim nga Sami Milloshi
Ajo që ndodhi mbrëmë në sallën e Filarmonisë së qytetit tonë, mund të ndodhë një herë në shekull, ose ndoshta ndoshta, një herë të vetme në këtë univers. Qyteti aq shumë u trondit, a thua se ndodhi apokalipsi. Jo, jo, qe diçka tjetër...
Mbrëmë po luhej Simfonia e pestë e Çajkovskit dhe salla e teatrit qe mbushur plot e përplot.
Kur i erdhi radha kohës së dytë të simfonisë, në lozhën e majtë, në atë ballkonin për një çift të vetëm, u dëgjua një klithmë kënaqësie e gruas: “Oh, oooouuuh…”. Dukej si thirrmë e pavullnetshme orgazme.
Njerëzit shtangën. Shtanga edhe unë sepse nuk më kishte ndodhur kurrë të bëhesha dëshmitar i një ekstaze të tillë. Unë dija që thirrje të tilla i dëgjojnë vetëm dy vetë, në dhomë të gjumit ose në qiell të hapur... Ama vetëm për dy vet, jo për njëmijë vetë nën tingujt e Çajkovskit...
Asnjë pëshpërimë.
Dikush tha se gruaja ishte në gjumë, por vetimthi për shkak të trombës solo që hyri vetimthi në lojën e orkestrës, ajo qenka zgjuar.
Kjo nuk u besua nga ata që ishin më pranë gruas që shashtisi sallën.
Molly, që ishte në ballkonin ngjitur me të, tha se burri në krah të gruas buzëqeshi kur ajo pasi kreu thirrjen e ekstazës, vari kokën në supin e tij dhe, pastaj në prehër, sikur të shlirohej nga një ankth i madh. Me atë buzëqeshje, ndoshta ai donte t’i thoshte se nuk kishte bërë diçka të turpshme.
Sot në mëngjez gazeta e kishte në faqe te parë gjithë çfar ndodhi mbrëmë në sallën e Filarmonisë. U rreka të gjej kush ishte ajo grua që shpërtheu shpirtin si vullkan mbrëmë, por nuk pashë kurrfarë emri.
Një kompozitor që paskej qenë mbrëmë në sallë thoshte se gjithçka i ndodhi mbrëmë asaj gruaje, e kishte shkakun te tingujt e Çajkovskit. Sipas tij, simfonia ishte një lloj himni muzikor i shpirtrave rebelë ndaj depresionit.
Mua vetë më pëlqeu shpjegimi i kompozitorit, sepse me thënë të drejtën, në qoftë kështu si thotë ai, nuk ka kohë më të pistë se kjo e sotmja për ta shprehur rebelimin.
Dikush e paska pyetur dirigjentin: “Po pse nuk e ndale ti lojën e orkestrës kur u dëgjua thirrja epshore e gruas?”
- “Unë isha zhytur në tingujt e Çajkovskit dhe nuk kam dëgjuar gjë prej gjëje!”
- “Kjo është e pabesueshme, nuk mund të ndodhë kurrë”, - i tha dikush dirigjentit.
- “Ka ndodhur edhe një herë tjetër, përpara meje, me një dirigjent tjetër në Londër”, - tha dirigjenti. “Ishte po e njejta simfoni e Çajkovskit. Dhe, ndërsa jashtë dëgjoheshin bombat e Luftës së Dytë Botërore, brenda në sallë dirigjenti nuk e ndërpreu lojën e muzikës së Çajkovskit...”
Vrava mendjen të gjej se çfarë e bënte të ndryshme atë natën londineze me natën e mbrëmshme të qytetit tim. Gjithçka m'u duk pak a shumë e njejtë për shkak të bombave ose për shkak të orgazmës së gruas.
Vetëm diçka mu duk ndryshe dhe më shfaqej si një shpellë e stërmadhe e përbotshme me tetëdhjetë vite brenda saj.
Kur binin bombat asokohe, unë ende nuk kisha ardhur në këtë botë. Por, të nesërmen, siç kam mësuar nga leximet, gazeta e thoshte se kush i hodhi bombat. Ndërsa sot në mëngjes, edhe pse gjithë qyteti mbante në gojë pasthirrmën epshore të gruas në sallën e Filarmonisë, askush nuk e mësoi emrin e saj... Por, ajo e tha çfarë pati për të thënë...
© Sami Milloshi



