Krijimtari

Mendje e plagosur - Nga Artan Gjyzel Hasani

bëj një pushim të vogël në Ferr,

në rrugën tënde për në Parajsë, or mik i vdekur,

mendoju mirë

dhe bjer në dashuri për të fundit herë

me mëkatet e tua

para se t’u thuash lamtumirë…

por vërtet ç’ndodh me mëkatin kur e braktisim?

jetim si faji

si pasqyra kur ke thyer veten

troket për ndihmë 

në derë të vesit a të virtutit

apo pret ta birësojë ndokush që kërkon

një trashëgimtar të padenjë

pas divorcit me jetën

kur s’i mbetet zgjidhje tjetër…?

përpiqem të vras mendjen

por ajo është e fortë dhe nuk vritet kollaj

plagosur nga mendimet

ajo më tërheq zvarrë

në udhën e pashmangshme drejt zemrës

ku kam kaluar edhe më parë

herë si zotëri

herë si lypsar

përpiqem të vras mendjen

si shpirtin dashuria

por tashmë unë e di

zemra ime është udha e të tjerëve

humnera përpirëse e atyre që vijnë

shtegu shpëtimtar i atyre që ikin

ku gjithnjë mungojnë gjurmët e mia…

(nga "FATA MORGANA", 2023)

© artangjyzelhasani