Mëngjesi i qytetit me kalldrëm - Nga Vangjush Ziko
1.
Mëngjesin
ma lajmërojnë makinat
që zgjohen me zhurmë nga gjumi.
(Këndezat u therën
dhe u zjenë në tenxheret me presion).
Rrezet e diellit
janë të dytat
që më trokasin në ballkon.
Rendin fëmijët zhurmshëm
me çantat e shkollës pas shpine
që dielli ua mbush me dritë.
Pensionistët,
pa gdhirë mirë,
presin të marrin thërrimet e pensionit
që hoqën nga goja
për këtë dimër të thinjur.
Në veshët e mi jehon akoma
zëri i këndezave të ngjirur.
2.
Mëngjesi
mbledh bishtat e cigareve
rrotull bareve.
(Tymoi e tymoi
dita që shkoi).
Tavllat e pastruara
presin hirin e ri
të halleve të vjetra.
Në pangarin e kishës përbri
ndez një qiri jeta.
3.
Ec që pa gdhirë
mbi kalldrëm të pafshirë.
Pas meje
plehrat fëshfërijnë,
një shishe bosh plastike
rrokulliset.
Pas shpine
një plakë nuse
gërshetin e thinjur ka bërë tufëz
dhe fshin e fshin:
Hija e nënës sime
kalldrëmin spërndrin
dhe psherëtin.
4.
Në Lëndinën e Lotëve
shterruan lotët,
në grykë u ngecën
pleqve memecë.
Me gishtat e duarve
numërojnë dertet,
kurbetet
dhe kontinentet.
5.
Kohë baresh dhe kabaresh,
pabesh në katin përdhes.
Nën tenda pëlhure
si palma ngjyra-ngjyra
ulur Evropa
dhe Ishujt Kanarie,
Dubai dhe Al Sheiku.
Çiftet rrinë
dhe pijnë
koktejnë e fundit të mushtit
të ëndrrës që iku
bashkë me gushtin.
6.
Ky kalldrëm
m’i mbajti këpucët të pastra,
balta nuk m’u ngjit
as në qilimat e shtëpisë,
por shuajt m’i hëngri
porsi fëmija pastat,
kokallat m’i shkurdisi.
tashi e mat me këmbë
(jo me hapa).
Hija ime zvarriset,
nuk fluturon më
si hija e zogut të fëmijërisë.
Ky kalldrëm,
pergamen që kurrë s’griset,
i jetës që më gëzon
dhe më dhëmb.
© Vangjush Ziko



