Krijimtari

Klubi i Milotit - Tregim nga Sami Milloshi

Gjoka asht nji nga ata që unë e quej mik të vjetër.

Në mjes del dhe ban pazarin. Kur kthehet në shpi ha qortimet e grues se ka zgjedhë domate të papjekuna ose rrush vajguri. Por Gjoka reziston si burrë. Nuk i thotë kurrë grues: “Po mirë, dil dhe baje vetë pazarin.” Jo, Gjoka del prap të nesërmen të bajë pazarin, ban të tjera gabime dhe merr të tjera qortime nga grueja, por Gjoka nuk stepet, del përditë në pazar.

Nji ditë e shoh në Klubin e Milotit me nja tre katër vërsnikë të tij. Kishin përpara nga nji teke raki dhe për meze lakna të regjme.

- Mirse të ka pru i madhi Zot! - më tha Gjoka.

- Njatjeta he burra! Çka jeni tue ba? - u them dhe ulem me ta.

- E kemi nji takim pune, - tha Gjoka tue qesh me të madhe. - I jena përveshë ngrofjes globale dhe ja e zgjidhim kët punë, ja desim të tanë këtu...

- Hallall! - thashë unë.

Mandej si ma prunë edhe mu nji teke raki, u hodh Zeka e tha:

- A e more vesht ti a jo, ishte rrxue Presidenti i Amerikës tue shkue me mbajt nji fjalim me kadetët ushtarakë...

- Mos more, - thashë unë, - prap paska ba vaki, ruje Zot...

- Asht burrë i vjetër, - tha Gjoka, shyqyr qi nuk ka thy naj kamë a naj dorë...

- Shyqyr, - përsërita unë.

- Shyqyr mor shyqyr, - tha Zeka - po janë do antiamerikanë n'at shpatin rrazë Kodrës së Thatë, qi as e çajnë kryet nëse e then edhe kërbishten...

- Mos o Zot! - tha Gjoka, - na nuk majmë përgjegjsi për tanë dynjanë, na majmë përgjegjsi veç për Klubin e Milotit...

- More a polli lopa jote, a jo hala? - e pyeta unë Gjokën edhe me i dhanë nji aromë komtare muhabetit.

- Mor palaço, - tha Zeka - na jena mledh në nji takim pune për ngrofjen globale, ti po don me na kthye prap në shpellë me lopën e Gjokës.

- Zekë, - tha Gjoka tue ia vu pëllamën në shpatull Zekës, - mos ma ngit profesorin (kështu m’thotë mue n’shenjë përkdhelie). Mirë e ka profesori, po nuk polli lopa jeme me çka do t’i ushqej unë cullët e mij, a me cicat e Kardashit n’Amerik, a?!!

Ra nji heshtje. Gjoka na bani me u ul me kamë në tokë. Mandej ai e vijoi prap fjalën e tij , me nji za të butë , a thue se ishte tue mbajtë nonji përshpirtje në kishë.

- Njerzia janë tue vujt fort, - tha Gjoka - nuk kanë bukë me ngranë e na këtu qesim dokrra në hi për ngrofjen globale. E çka dimë na për ngrofjen globale? Nji mut, dimë. Na jemi si qorrat me dy sy myllë. Vjen ai anameni, Hila i Gjetës qi ka shkue n’Birmingam refugjat, na thotë nganji përrallë për vrimën e ozonit dhe na kujtojmë se ai asht kshilltar i Mretit n’Angli. Nji mut asht, shtiret me u duk sojli ktu n’Klub t’Milotit.

- Nuk ma dhae përgjigjen, a të polli lopa a jo, - iu drejtova unë përsëri Gjokës.

- Po, - tha Gjoka dhe i qeshën sytë.

- A ta marrim edhe nga nji teke tjetër raki? Paguj unë, - thashë.

- Po, - tha Zeka, dhe shtoi me nji përvujtni të madhe, - Pash Zotin a thue ka damtue naj koc Presidenti i Amerikës kur a rrxue dje?

- Zekë, - thashë unë, - nuk kam nigjue gja se nuk kena pas hiç drita na në lagjen tonë ka nja tre ditë...

- Jo mor po deshta me dijtë, - se a na vjen ne naj dam i madh, se si po thonë jena ba si nji fshat globnor e, mirë asht me dijtë për të parin e katundit...

- Po, Po. - tha Gjoka - Mirë asht me dijtë për t’parin e katundit, por edhe ma mirë asht me dijte me çka me ushqye unë lopën time e cullët e mi.

- Ti je hero komtar, - i thashë unë Gjokës tue tokë gotat e rakisë.

Zemrija, banakierja e ngriti në kupë të qiellit zanin e radios.

Këndohej nji kangë me sharki për Tomën e Doshajve të malsisë. Jashtë klubit frynte nji erë e rreptë, murlani i famshëm i Milotit. Dhe bashkë me erën fluturonin grykës së Matit verdhushkat e Tomës për fakirat e Milotit...

© Sami Milloshi