Klubi i Bostonit - Tregim nga Sami Milloshi
Kaiherë, për t'shtunë a të diel, më merr malli me u taku me miq shqiptarë këtu në Boston. I hyp trenit dhe për gjys ore jam te kafja jonë e preferueme me emën italian “Mia Ragazza”.
Kur piqemi të tanë, kafja merr nji nur tjetër. Bahet nji ishull shqiptar, a thue se nuk jemi n'mjedis Bostonit, por dikund kah Ishull Lezha a kah Shkami i Kavajës.
Çka bisedojmë na? Po hiç mor burrë: kodra mas bregut. Ky tha kshtu, ai tha ashtu, kurse ai tjetri tha edhe kshtu edhe ashtu. Me nji fjalë, me djegë mallin, na mundohena me e rrokë gjithqysh Atdheun qi kemi lanë pas. Por asht e pamundun...
Si e shofim qi asht e pamundun, kthehemi kah vetja.
E vetja na duket me fat, demek shyqyr qi nuk jemi n'Atdhe, ku nuk e merr vesht qeni t'zotin...
Kur mrrijmë tek pika qi i gzohemi fatit tonë, zakonisht ka kalue nji orë. Kena marue punë me kafet.
Hila i ban nji za kamarierit.
M'thotë mue:
- Profesor ti na ban përkthimin. Jem ka e marrim ka i dopjo raki me pak meze...
- Hilë, - i gjegjem unë - ta kam thanë njiqind herë, nuk shërbejnë raki ktu, po ty hala t'duket se je n'Ishull Lezhë... Po t'dush marrim ka nji dopjo uiski me akull.
- Mirë. - bindet Hila.
Si na vjen uiski, për çudi nrron edhe kahja e bisedës, si me thanë, bahet pak ma amerikane, se si thotë edhe Hila, simas vendit bahet edhe kuvendi.
- Kishte dekë Tina, a muert vesh? - na pyeti Nusreti.
- Cila Tinë more? - u habit Hila.
- Tina, more, ajo kangtarja zezake, ajo qi knon rokenroll. - tha Nusreti.
- T'i rrojnë fmija e i pastë shku parajsës. - thotë Hila.
- Pat vujt mjaft. - shtova unë - I jepte dru natë për natë i shoqi.
Nji ditë krisi e iku. I tha burrit t'vet: “Merri edhe tanë paret qi kam fitu, nuk ta du asnji cent. Janë e shkumja jonë. Veç më len rehat, due me fitue t'ardhmen time”.
- E mandej ku shkoi? - pyeti Hila.
- U ngul në Zvicër. - thashë unë.
- Paska pshtue. - tha Hila me nji ton të përvujtun.
Bash kur na po tirrshim muhabetin e Tinës ia befin në portë të kafes Selamiu me nji burrë tjetër krejt i panjoftun për ne.
- Njatjeta he burra! - tha Selamiu - Çish jeni tue ba?
- Jena t'u ba gjurët truc. - thashë unë, por Hila u kacavjerr me m'korrigju.
- Jo mor, besa gjurë truc nuk jena tue ba. Jena tue u integru n'jetën amerikane. A pak të duket ty qi jena tue folë ka gjys ore për Tinën që diq n'Zvicër, a?!!
- Pak nuk asht, - tha Nusreti - po edhe shumë nuk asht. Po t'jetë puna se integrim a si po i thoni ju, qanka veç me ba llaka llaka për shalët e Tinës, vajmedet për ne...
- Po a na e hape vetë muhabetin e Tinës, tash pse ban dredha? Se mos na hape noj muhabet për inteligjiencën artificiale e nuk i futëm dushk muhabetit... - thashë unë. Ndërhyu Selamiu:
- Të njifemi, ky zotnia asht Nebi Fejzua. Asht fringo i ri si emigrant. Nuk ka veç nja tre katër ditë qi ka ardhë.
Ia dhamë dorën Nebiut, po Nebiu dukej si kubik akulli gati me hollue uiskin qi kishim para në tavolinë.
- Mirsenakeardhë! - e uroi Hila. A mujte me ardhë, bre, a u lodhe?
- Jo, mor jo nuk u lodha. Po kam hequr keq atje në Tiranë. Presione të mbëdhaja. Jo firmos këtu, jo firmos atje, me kokë në satër, me dy fjalë, nuk rrihej më...
- Ta paskan qitë për hunësh qumshtin e nanës. - tha Hila.
- Po. - tha Nebiu - Prandaj i kam kopsitur të gjitha të fitoj azil. Janë bërë të padurueshëm oligarkët...
- A din Anglisht? - pyeta unë.
- Di. - tha Nebiu.
- Ky qanka për integrim pasha Zotin! - tha Hila.
- Jo, mo kshu për integrim unë nuk e kam problem fare se edhe atje me integrim jam marrë. - tha Nebiu.
- Çka po don me pi? - pyeti Nusreti.
- Një xhin tonik. - tha Nebiu.
- Po çka integrojshe atje n'Shqipni mor zotni? - tha Hila.
- Unë jesha drejtor në zyrën e digjitalizimit të ideve për turizmin rural, etnografik, muzikor dhe koreografik... - tha Nebiu jo pa nji fije mburrje.
- Po pse nuk thu mor burrë ti paske qenë bos. A e shef mor profesor sa me fat qi jena. Atje janë tue vujt edhe zengjinat si ky zotnia, e jo ma kallamkusuri qi e marrin bukën me listë. - tha Hila, tue mu drejtue mue.
- Jo mo, zengjin nuk jam, po them se do integrohem...
- Ktu qi ta dish ti mor zotni Nebi, n'daç integrohu, n'daç mos, punët e spiunave, a si quhen kto punët digjitale, i majnë për vete Amerikanët. Nuk t'kanë prit ty si shpëtimtar. - tha Hila.Dhe shtoi - Dhe qi ta dish mirë integrimi ktu fillon tue pastrue haletë. Tash ti zgjidh e merr, ja fillo e pastro haletë e Bostonit, ja kthehu nga ke ardhë e merru me turizmin e katunit...
Nebiu kroi hundën dhe heshti. Përballë kishte Hilën me nji çerek shekulli integrim n'Amerikë...
Kamarieri pruni porosinë e Nebiut.
- T'shkoftë marë! - tha Nusreti tue tokë gotën me Nebiun.
- Faleminderit zotrisë tuaj! - tha Nebiu.
- Po çka pune don me ba zotnia juej ktu? - pyeti Hila.
- Fillimisht më duhet një avokat të kopsis punën e azilit. - tha Nebiu.
- Avokati kushton sa qimet e kresë. - thashë unë.
- Po ta provojmë bre një herë- tha Nebiu dhe kroi prap birën e hunës.
- Paj për çka don me e kërku azilin or zotni? - pyeti Hila.
- Jam duke e menduar, - tha Nebiu - po kështu në përgjithesi, për shkelje të të drejtave të njeriut.
- E shef o profesor, - m'u drejtue mu Hila - ky qanka tamam për integrim, jo si na qi erdhëm si derri n'thes e ka çerek shekulli qi jem me krye n'qefin tue ndrrue tjegllat e çatijave t'dynjasë. Po, axhaba, cila asht ajo e drejtë qi t'paskan shkelë tye?
- Këtë do t'ia them avokatit. - tha Nebiu solemnisht.
- Po mirë, more mirë, as qi m'hyn n'punë mue hiç, - tha Hila - ti ban çka t'dojë kokrra e qefit. Veç nji gja mos e harro se integrimi, mor lum miku, siç ta thashë, fillon kah pastrimi i haleve...
- Tash Hilë, mos na e përshesh muhabetin krejt, se ka edhe do qi janë integrue nryshe. Mos ia baj skëterrë zotni Nebiut qi sapo ka shkelë n'Amerikë. - tha Selamiu.
- Jo, more qe besa nuk po due me ia ba ferr, - tha Hila - kti zotnisë i priftë e mara jarabi. Po allahile, për radaken time, tham se asht e vshtir me gjet avokat qi t'mbron ty pse t'qankan dhunue t'drejtat e njerit. Apo jo profesor? Un e dij qi Shqipnia asht shtet demokratik...
- Demokratik leshi. - tha Nusreti.
- Lene qi asht ba puna ma mut edhe ktu. - tha Hila.
- Hilë - thashe unë- mos na nxij realitetin se ma t'lirë se Shqipni jena.
Hila qeshi. Qeshën edhe të tjerët. Vetëm Nebiu uli sytë përdhe dhe diç u përhumb.
- A ta marrim edhe ka nji dopjo uiski? - tha Selamiu.
- Po more, pse jo? - u hodh Hila.
E kështu deri n'pesë të masdites kemi pi uiski me kikirikë n'klubin tonë tue tjerrë muhabet rrotull dynjasë.
Nebiun e morëm me të mira me e integrue. Po a integrohet a jo, nji zot e di. Se kanë ardhë edhe nja kater milionë meksikanë qi kane hy kah jugu me kufinin e shqyem krejt, e, edhe ata duem me u integrue. A integrohet Nebiu me avokat, Nebiu qi ka ardhë me avion, a integrohen meksikanet qi kanë ardhë me kambë para Nebiut, unë kët nuk e dij.
Dhe c'asht ma e keqja, kët nuk e din as Hila.Ai asht ma gjakftofti ndër ne qi marrim zjarr kur shkoqisim çashtje t'randsishme n'klubin e Bostonit tue pi uiski me kikirikë...
© Sami Milloshi - Boston



