Qeni i hamallit - Tregim nga Ilir Gjini
Shumë vite të jetës i kaloi duke bërë jetë qeni. Madje edhe baraka prej druri ku banonte, dukej si kolibe qeni. Qe ndërtuar që në kohën e Italisë fashiste dhe shërbente si magazinë veglash për punëtorët që ndërtonin rrugën. Llamarinat e çatisë qenë ndryshkur nga vitet. Kur frynte erë e fortë, ato vibronin një melodi vajtimi, si angullima të trishta qeni. Qëllonte që topi ynë i llastikut të binte në këto llamarina të ndryshkura, kur ne luanin te lëndina e vogël pranë barakës dhe xha Temja ulurinte: “do më lini pa çati o shejtanër”! Bërtitjes së tij i shtoheshin edhe lehjet e forta të qenit. Një kafshë-roje shpuzë, kështu e quanin të gjithë ata që u binte rruga andej.
- “Lidh qenin se do na shqyejë!”, - i thonin.
- “Mos u tremb se nuk të nget qeni!”, - përgjigjej xha Temja.
Mjaftonte një shikim i xha Temes dhe qeni qetësohej. Për qenin xha Temja kish berë një kolibe prej llamarine. Dukej sikur baraka e drunjtë kishte pjellë edhe koliben e qenit. Si një fëmijë bastard i lindur nga një marrëdhënie ilegale që e braktisin sapo del në dritën e diellit, që askush mos ta mësojë të vërtetën.
Ata, sikur flisnin me njëri-tjetrin. Qeni vinte shtatgjatë e i fuqishëm, kurse xha Temja i shkurtër e i fortë si arrë gungë. I shkurtër dhe i heshtur saqë nuk binte në sy fare. Madje kur u përballa një herë në një rrugicë të qytetit, mu duk se po shikoja një mrekulli. Sikur shihja ndonjë shfaqje prestigjatori. Një bufe e stërmadhe e atyre kohërave me dy pasqyra drejtkëndëshe, po lëvizte në rrugën e kalldrëmtë dhe unë nuk po kuptoja se si?!
Dukej sikur bufeja kishte lëshuar këmbë të drunjta!? Vetëm kur u afrua, dallova në fund të saj një trup të vogël, të përkulur dhe një kokë që gati po prekte tokën. Nga qeni që e ndiqte pas, kuptova që ishte xha Temja. E ndoqa për të parë sa do rezistonte me këtë peshë të rëndë në kurriz, po për çudinë time, pa asnjë ndalesë, ai ecte duke u tundur në rrugicat e ngushta deri sa e uli në avllinë e vogël të një shtëpie përdhese. Kur u çlirua nga barra e rëndë, drejtoi trupin e shkurtër dhe hoqi nga krahët samarin, si një kërmill që lirohet nga masa shtërnguese e guackës së vet dhe fshiu me dorë djersët mbi ballë.
Lau kokën e vogël me ujin e një muslluku teneqeje dhe pasi futi në një gji një 25 lekëshe të zhubrosur, falenderoi të zotin e shtëpisë. Herën tjetër e pashë teksa shkarkonte disa fuçi të rënda të tejmbushura me birrë. Po prisja në radhë bashkë me disa burra që i jepnin kurajo me fjalë, që t’i shkarkonte sa më shpejt. Por kulmin e fuqisë e tregoi kur duhej të ngarkonte mbrapsht në makinë, një fuçi plot me birrë. Birra qe thartuar ngaqë fuçia e drunjtë kish marrë erë.
E ngjiste duke e rrokullisur lart ngadalë mbi një dërrasë të pjerrët dhe me shumë vështirësi e hodhi mbi spondin e hapur të makinës. “Mua më doli vuxhuti duke e parë”, - tha njëri nga burrat, që me sy të shqyer shikonte Temen. Kaq shumë më habiste ky burrë i vogël, saqë kur më pyeti mësuesja se kush ishte qënia e gjallë që tërhiqte peshën më të rëndë, unë menjëherë u përgjigja: - “Xha Temja mësuese”. Të gjithë qeshën, vetëm mësuesja jo. Më nguli sytë dhe më vështroi gjatë.
Disa vite më vonë, u bëra gjiton me xha Temen. Plaka Sano që banonte përbri shtëpisë sonë, i dha plevicën e shtëpisë së saj. Në vend të qerasë, xha Temja e kompensonte duke çarë e stivosur drutë, apo punë të tjera të rënda që plaka Sano nuk i bënte dot. Plevica e plakës ishte ku e ku më mirë se baraka e drunjtë, por ai dukej i trishtuar. Plaka Sano nuk e lejoi ta merrte edhe qenin, kështu që xha Temja shkonte çdo ditë dhe e ushqente.
Shpenzonte disa orë me mikun e tij të vetëm para se të binte nata. Kur plakës Sano i ra dambllaja teksa pinte kafenë e mëngjesit, xha Temja e hodhi në kurriz dhe e çoi në spital. Teksa po zbriste me plakën në kurriz, ndeshi ambulancën që po e shtynin dy shokët e tij hamej, ngaqë nuk ndizej. Plaka shpëtoi paq, vetëm se i mbahej ca goja. Bënte lutje pas lutjesh që vajza e vetme që kishte, të transferohej nga një fshat i largët i Veriut ku punonte si mësuese, por askush nuk ia vinte veshin. Edhe pse i shpëtoi jetën, plaka Sano sërisht nuk i dëgjoi lutjet e tij për qenin. - “Mua më ngrihet tensioni edhe nga zhurmat e vogla, e jo më nga të lehurat e qenit’’, - ia priste shkurt ajo.
Mbasditeve xha Temja hidhte krahëve samarin e tij të kashtës dhe vinte në brez një gjalmë të bërë top që i shërbente për të lidhur barrën. Samar unë kisha parë se u bëhej vetëm kuajve dhe gomerëve, por samarët që mbanin hamejtë e qytetit, i bënte vetëm xha Fania, samarxhiu më me emër. Ata vinin të sheshtë te krahët dhe me një gungë që qëndronte mbi kërbisht, që pesha e barrës mos prekte fundshpinën. Hamejtë e qytetit tonë qenë burra disi të shkurtër e të fuqishëm. Ata qendronin të ulur në pezulet e gurta të Pazarit të vjetër dhe samarin e hedhur në njërin sup. Kjo pamje më sillte ndërmend një tablo të piktorit Rjepin, “Burllakovët”, apo tërheqësit e anijeve, ku paraqiten disa burra të fortë që tërheqin litarët e anijes për ta ankoruar në skelën e portit.
Xha Temja qëndronte në pezulin pranë dyqanit të mobiljeve. Nuk këmbente fjalë me njeri. Kur shkëmbeheshin në avlli me plakën Sano, ajo i lexonte më zë të lartë letrën e radhës: - “Ju lutem shumë, vini dorën në zemër. Bilën e vetme e kam larg. Unë u dambllosa nga dambllaja e s’ka kush të më shërbejë. Bilën e kam flori, po aty ku është degdisur as kallaj nuk duket. Amani se më mbeti dhe pa u martuar, ma bini këtu iu bëfsha kurban’’.
- “Nuk marr vesh unë nga këto”, - ia priste xha Temja. – “Më mirë lutju të madhit, se ti e ke njohur që të vogël!”
Dhe plaka e ndoqi këshillën e tij. Mirëpo kur iu aprovua transferimi, ajo u martua me një kolegun e saj mësues dhe u vendos në një qytet të largët në Veri. Plaka Sano mbeti vetëm dhe xha Temja u bë si nikoqiri i shtëpisë. Punoi të gjithë bahçenë, madje bleu edhe disa pula. I ushqente e luante si të ishin fëmijët e tij. Kaq shumë u lidh me to, saqë kur plaka Sano i kërkoi të therte njërën, ai nuk pati zemër ta bënte dhe iu lut tim ati. Ky burrë i qetë që rrallë i dëgjohej zëri, një mëngjes më zgjoi me ulurimat e tij…- “Do ta mbys, do ta vras. Më grabitën fëmijët e mi”.
Dikush i kishte vjedhur pulat. Në ato kohëra vjedhjet më të “mëdha” që bëheshin në qytetin tonë, qenë vjedhjet e pulave. Për ditë me radhë kjo vjedhje ishte kryefjala e bisedave në radhët e gjata para dyqanit të bulmetit. Edhe plaka Sano tani u dorëzua. Xha Temja dukej i lumtur. Si dy vëllezër binjakë të ndarë që takohen pas shumë vitesh, u bashkua sërish me mikun e tij të vetëm.
Kur dremiste pas punës në bahçe, qeni i afrohej dhe i lëpinte duart, ndonjëherë edhe faqet. Duket se jeta po i vinte mbarazi. Nuk flinte më në plevicë, po në odën e miqve. Madje plaka Sano dha e mori derisa i gjeti një nuse nga një fshat i largët. Nusja vinte gati dyfish më e gjatë, por atij aq i bënte. Ndihej shumë i lumtur. Madje nga i ndrojtur e fjalëpak, pas martesës i përshendeste e bisedonte me gaz me gjithë banorët e mëhallës. Pasditeve e shihja të ulur në pezulet e Pazarit të vjetër bashkë me disa hamej të tjerë, me samarët e hedhur në kurriz, në pritje të ndonjë ngarkese. Pothuaj gjithë kohën e kalonte në pritje, por kur po priste lajmin e gëzuar se do të bëhej baba, ndodhi më e papritura. Angullimat e trishta të qenit tromaksën gjithë mëhallën. Xha Temja vajtonte pa zë. Qe mekur së qari. Gruaja vdiq gjatë lindjes bashkë me fëmijën.
Mjekët thanë se qe një lindje e vështirë dhe ajo si grua në moshë mbi të 40-tat, nuk ia doli dot. Pas vdekjes së gruas vdiq edhe plaka Sano. Fatkeqësitë i erdhën njëra pas tjetrës dhe ai nuk shkoi më pasditeve në Pazarin e vjetër. Pezuli ku ulej, mbeti bosh. Pothuaj gjithë ditën e shpenzonte me mikun e tij të vetëm. Nuk donte të fliste me asnjë njeri, vetëm mikut të tij katërkëmbësh i pëshpëriste diçka. Dukej si një tokë djerrë e braktisur nga uji.
Një vit pas vdekjes së të shoqes vdiq edhe xha Temja. Miku i tij angulliu gjatë gjithë natës. Të nesërmen e gjetën të vdekur. Pothuaj gjithë jetën e kaloi duke berë jetë qeni, por edhe vdekja nuk pati ndryshim. Vendosa ta marr qenin e tij, por megjithëse e ushqeva mirë dhe i kushtova vëmendje, pas dy ditësh më iku. E kërkova për gati një javë, po nuk dukej gjëkundi. Këmbët më çuan te baraka e drunjtë ku e kisha ndeshur dikur dhe për habinë time, aty e gjeta. Qe ulur para kolibes dhe qëndronte pa lëvizur. Përkëdheljet e mia i priti ftohtë. Angulliu vajtueshëm dhe më pas filloi të lëpinte një xhaketë të vjetër që ndodhej brenda kolibes së vogël. Ishte xhaketa e vjetër e xha Temes.
© Ilir Gjini



