Krijimtari

Këshillat e Tomës - Tregim nga Sami Milloshi

Isha tue kqyrë kopshtin mas shpie ku kam mjellë do perime, kur ia beh te gardhi Toma. Ashtu i gjatë, veshun shik me pantolla prej Londret e qylaf prej Stamollit, me ba be se tanë Bota rrotullohet prej Tomës.

Qyshkur ia dhanë nji dekoratë si qytetar neri, Toma nuk përmahet ma, i pret shpata sa majtas djathtas mbi cilindo qi i del përpara. Burrë nane qi e nal nuk ka. Me ia kthye kush llafin Tomës, Toma të ban horë me t'shame, e ka për borxh me i mledhë tana fjalët ma t'nyta qi kanë gojdhanat, more edhe prej Shekspirit e Dantes.

Unë për vete menoj qi Tomën e muer n'qafë Prenga, kryeplaku i katunit tonë.

Prenga asht burrë qi ka dhimsuni të madhe për njerzit, e na jo ma kot e kemi zgjedhun si kryeplak t’katunit.

Prenga tue pa se njerzit janë tue vujt fort e nuk ka takat me i nihmue, i shkoi n'men me dhanë do dekorata. Tha, ta fillojmë me Tomën, si ma i dijshmi. Ia dha dekoratën “Qytetar neri”. Na ç'asht e vërteta as qytet nuk jemi hala, na nji katun i vocërr jem. Po Prenga tha ani, ani, se kushedi me dekoratën e Tomës, na vjen e mara e nuk zhytemi ma thellë n'dishprim...

- Puna e marë - m'tha Toma. - A mujte?

- T'marë paç, - ia ktheva.

- Po t'shkojkan djersët çurg, - tha Toma.

- Po për veten e për cullët e mij e kam or Tomë.

- Nalu pak, he burrë e ta bajmë nji dorë muhabet, - tha Toma.

Çka me ba, deshta s'deshta, u nala për hatër të Tomës. I thashë grues me na pru nji mashtrape me dhallë e me na ba ka i kafe.

Si na i pruni grueja kafet, filloi Toma tue ligjru. E suell muhabetin rrotull dynjasë, ia vuni nji damkë kryeministrit t'Burundit, demek si “sharlatan” e mandej e maroi fjalimin me Norën e Hilës, qi dashka me u ba nuse te shpia e Varoshajve.

- Po çka po t'duhet ty mor Tomë se ku bahet nuse Nora?

- Po si more nuk m'duhet? A prap t'i shkojë xherime jeta Norës a? A u da prej Dedës qi ia pruni n'majë t'hunës, e ti kujton se ka me gjetë ma mirë te Varoshajt a?

- Po asht puna e saj mor Tomë, nuk asht puna jote me u përzie hiç. E si e din ti qi Deda ia paska nxi jetën Norës, a u ke majt pishën a? Lene mor cucën e huej t'baj si t'i don e bardha zemër, lene mor burrë t'i shnoshet plaga qi ka marrë nji herë, e mandej ban çka don vetë. A asht tue t'pyt ty kush për kshilla a si asht puna?

- Jo more mue nuk m'ka pyet, po a kot jam unë qytetar neri a?

- Po ti qofsh me ner mor burrë, se nuk jam tue ta hjek unë dekoratën qi t'ka dhanë Prenga. Por, kjo nuk don me thanë qi ti ke le me na kqyrë nerin tonë si katun...

Toma e maroi mashtrapen me dhallë, e piu edhe kafen me fund, si me qenë gotë rakie e krisi e iku me ftyrë t’mazume.

E unë prap iu ktheva punve t'kopshtit tim tue pa Tomën qi ngarente si kalë për kah lagja e Varoshajve. Noshta edhe atje po shkon me dhanë kshilla se si nuk duhet me e pranue për nuse Norën zemërplagueme...

Mos t'raftë me u ba për me iu dhims Tomës, qytetarit t’nerit t’katunit tonë. Se pasha t'madhin Zot, Toma turret me hir a me pahir, me t'dhanë kshilla qi nuk i hyjnë n'punë as dreqit...

© Sami Milloshi