Krijimtari

Vajza me çantë - Tregim Nga Flurans Ilia

Hyj në rangun e njerëzve me huqe të cilët rruhen me brisk çdo mëngjes. Këtë e bëj për dy arsye. E para e kam të futur në gjak nga babai që është ushtarak. E dyta për arsye etike. Rregulla profesionale. Paraqitje. Personalitet. Ja kështu gjërash që kanë lidhje me mënyrën se si e nxjerr lekun. Jam xhepist. Çdo ditë dalë nëpër stacionet e autobusëve të kryeqytetit dhe vjedh kuleta, celularë, varëse floriri, para të thata, ç’të mundem me një fjalë. Prej dhjetë vitesh nuk më kanë kapur asnjëherë. Nuk kam përfunduar asnjë herë të vetme në birucë. Kjo falë talentit, paraqitjes, por edhe disiplinës time. Kam edhe disa veti natyrore, si për shembull, jam sprinter i lindur në dyqind metra stil i lirë, përfshi edhe vrapimin me pengesa. Që të ushtrosh profesionin e xhepistit duhet të kesh gishta të hollë. Ekziston një kod i brendshëm i pashkruar midis xhepistëve dhe kategorive të tjera të hajdutëve. Kur dy hajdutë të panjohur takohen dhe prezantohen, i drejtohen njëri tjetrit :

- Çfarë vegle muzikore i bie ti?

- Pianos, - përgjigjet xhepisti - Po ti?

- Unë i bie klarinetës, - i thotë tjetri që është shqyes bravash dhe me klarinetën nënkupton levën e hekurit.

Njerëzit në përgjithësi i përçmojnë hajdutët si të pashpirt. Por ne kemi ndjesitë dhe kualitetet tona shpirtërore. Për shembull, “klarinetistët” janë të pasionuar me gjeometrinë. Idhulli i tyre është Arkimedi. Ndërsa “pianistët” janë të pasionuar me Shopenin. Idhulli ynë është Shopenhaueri.

Autobusi është i mbushur dingas me pasagjerë në orët e para të mëngjesit. Shenjë e mirë e cila tregon se do të ketë volum pune. Por nga ana tjetër ndihem i plogësht sot. Ngjeshur përpara meje qëndron një vajzë paksa e kaluar nga mosha. E kam zhytur hundën pas flokëve të saj dhe nuhas një parfum me pigment prej trëndafili. Në dorë vajza mban një çantë të purpurt. Pranë çantës aviten gishtat e mi si nokturnet e Shopenit. Përpiqem të hap buzën e çantës brenda së cilës ndiej diçka jo të zakontë, por e kam teje të vështirë ta përcaktoj saktësisht se çfarë është në realitet ajo “gjë e pazakontë”? Çanta është e puthitur me ziper.

Në stacionin e radhës vajza lëviz drejt daljes dhe në ato të qindta nën-ndarje të sekondës më shkund si një rrymë elektrike së brendshmi ajo thënia e Shopenhauerit: “Talenti godet tabelën që askush tjetër nuk mund ta godasë. Gjeniu shënon objektin që askush tjetër nuk ka sy ta shohë.” I mëdyshur nëse duhet të ndjek vajzën me çantë apo të qëndroj në “territorin tim” në autobus, në pritje të ndonjë viktime tjetër, zgjedh të parën. Zbres dhe i qepem nga pas vajzës e cila ecën përpara meje duke u drejtuar drejt tregut kinez të çikërrimave te Medreseja. Instinkti më thotë se ka për të qenë një “gjueti” e vështirë. Pas një avitje të lodhshme midis tezgave të mbushura me mallra kinkaleri, vajza ble një transformator të vogël te një shitës kinez i cili flet shqip. Kuletën e ka në xhep dhe jo në çantë. “Kuletën e ka në xhep dhe jo në çantë. Kuleta është në xhepin e saj dhe jo në xhepin e kësaj çante. Pa shih se çfarë po më kalon në mendje këtë çast mëdyshjeje të elektrizuar në pikëpyetje?” Për të parën herë në këto dhjetë vite si hajdut xhepash, nuk po synoj paratë por një çantë për të cilin as që e kam idenë se çfarë mbart brenda saj? Më duhet të sqaroj edhe diçka tjetër. Ne xhepistët jemi hajdutët më elegantë dhe më inteligjentë ndër kategoritë e ndryshme të hajdutllikut. Kur vjedhim çanta ua hapim buzët dhe vjedhim me delikatesë çfarë ndodhet brenda tyre pa i lënduar viktimat fizikisht. Ne nuk rrëmbejmë çanta nga duart e njerëzve. Kjo hyn te grabitësit dhe konsiderohet si vjedhje e dhunshme për ne “pianistët”. Me pak fjalë, çanta është kufiri ndarës midis xhepistit dhe grabitësit. Ne nuk konfrontojmë njeri dhe jemi kundra dhunës, por kjo dreq hapësire midis meje dhe kësaj çante është shumë e rrezikshme. Mund të bie në sy kollaj fare nga çasti në çast dhe në krye të tregut ka përherë një makinë policie.

Vendos të jem i duruar dhe të pres çastin e duhur.

Vajza merr udhën drejt Spitalit Nënë Tereza. Sërish mëdyshas nëse duhet ta ndjek apo ta lë fare këtë lloj trajektore, vë re se këmbët nuk më binden më. Është hera e parë që më ndodh kjo. Këmbët ndjekin vajzën me çantë.

Te hyrja e kirurgjisë e humbas nga sytë.

“Nuk ka dalje të dytë dhe sido që të jetë ajo do të dalë sërish po prej kësaj porte.” Mendoj në pritje.

Një ankth pezull mbi kokë më përkund si një gjethe e porsa këputur nga kërcelli. Te një cep, ndez fshehurazi një bisht hashashi që më ka ngelur në xhep qysh nga nata e shkuar. Tërheq aq sa duhet, dy pompa janë mjaftueshëm për të më shkëputur pak nga ky realitet. Ndihem i çlirët dhe po i marr gjërat ashtu si të vijnë. Një vogëlush bri portës së spitalit mbanë në duar një balonë të kuqe. Po kruaj gishtat i kapur pas kohës së pritjes të cilën nuk mund ta përkufizoj saktësisht, kur vajza del nga salla e kirurgjisë. Në dorë mban çantën ngjyrë vjollcë. Ajo ecën trotuarit që të shpie për në Kinostudio. Jam duke ndjekur hapat e saj dhe, mendoj se është koha t’ju rrëfej në ecje e sipër se, e kam lënë përgjysmë liceun ku studioja për piano. Arsye ekonomike qysh nga koha kur babai më ka dëbuar nga shtëpia. Nga ajo kohë kam përqafuar këtë huq për të jetuar dhe nuk kam brerje ndërgjegjeje. Jo se nuk kisha talent për të bërë diçka tjetër, jam i bindur se po ta bëja do të isha po aq i mirë edhe në atë punë, por ngaqë e gjithë qenia jonë është e projektuar diku qysh më parë dhe çdo shmangie prej saj është fatale, një përpjekje e kotë për të qenë dikush tjetër. Babi donte që unë të bëhesha pianist. Ndërsa njerka ime i thoshte tim eti në syrin tim: “Po përse nuk e bën ushtarak si veten?!” Po bëhem nervoz dhe vazhdoj me ngulm të kruaj gishtat. “Gjuetia” po zgjat më gjatë nga sa e kisha menduar. Dielli të pjek si saç. Vendos pa u menduar ta rrëmbej këtë çantë që po më torturon dhe nuk e di përse po zgjedh këtë formë që më nxjerr jashtë karakterit tim edhe më bën një grabitës mediokër ndërsa nuk jam i tillë. Kjo është grabitja ime e parë.

I afrohem viktimës aty ku rruga e Kinostudios kryqëzohet me rrugën e “Oxhakut”. Si në një film aksion, me hap të shpejtë, vërsulem dhe ia rrëmbej çantën. Me çantën në dorë shaloj një sprint çmendurak që më kujton çastin e startimit në dyqind metra. Dëgjoj zërin e alarmuar dhe të përlotur të vajzës që thërret për ndihmë ndërkohë që vrapoj përmes rrugicash të pashkelura që nuk i kam hasur më parë. Në krye të njërës prej tyre ndeshem ballë makinës së policisë. Kryej me vrik një 360-gradë kthim pas dhe me çantën në dorë bëhem pré e përndjekjes së policëve që më janë qepur këmba këmbës. Sa më tepër afrohen dhe thërrasin që të ndalem, aq më të shpejta bëhen këmbët e mia. Përvidhem sipër një muri që më nxjerr në pjesën e pasme të një gardhi pas të cilit shtrihet një fushë e braktisur futbolli. Duhet ta përshkoj mespërmes atë fushë që të mundem të futem përmes pallateve ku me siguri do t’i humbas nga sytë-këmbët policët. Një ndjesi e pakuptimtë rend paralelisht me mua. Duke vrapuar ndijoj se gjendem në kohën e duhur - në hapësirën e duhur – i fiksuar te syri i policit në thepin e pistoletës shënjuar pas shpinës time. Dëgjohet një krismë që vjen nga mezi i asaj fushe pa spektatorë dhe po brenda kohës së dëgjimit të asaj krisme, si një ushtri insektesh, një sëmbim thumbon pulpën time tej e tej gjer në kockë. Shembem brenda zonës së rreptësisë. Dielli vazhdon të godasë te pika e penalltisë ballin tim të djersitur ...

I ndiej buzët e thara dhe u kërkoj pak ujë policëve që po më vënë prangat ndërkohë. Çalë-çalë më tërheqin zvarrë drejt makinës së policisë ku në sytë e mi e hapin çantën për të verifikuar identitetin e viktimës. Kam dhimbje të forta. Këmba kullon gjak. Nuk i shqis sytë nga çanta. Policët shqyejnë sytë nga habia kur e hapin. Të them të drejtën edhe unë u habita së bashku me ta duke i harruar për një çast dhimbjet e mia. Brenda çantës ndodhet një zemër e vogël ngjyrë blu ende e parritur. Asnjë kartë identifikimi. Asnjë kartë bankare apo krediti. Asnjë send me vlerë.

© Flurans Ilia, shkurt, 2022