Përjetësi kontradiktore - Nga Vangjush Ziko
* * *
Më zgjuat, zogj, pa gdhirë,
pa lindur dielli,
isha në një ëndërr të keqe,
sa mirë,
ma fshitë,
s'di ç'ëndrra shihni
në gjumin tuaj me pupla,
ëndrrat e njerëzve nuk i kuptoni,
nuk janë aspak si tuajat,
zëri ynë i ashpër
ndërron sipas alfabetit,
nuk merremi vesh
pa një përkthyes të mençur,
mësomani gjuhën tuaj
të shoh në ëndërr lule,
mos trembem në gjumë
nga britmat dhe fyerjet,
mësomani fyellin tuaj,
pizgën e blertë të blirit,
ta zbut nepërkën e helmët
strukur në shpellën tonë
të shpirtit.
* * *
Pas bubullimës
gjithnjë ka heshtje,
heshtje dhe shi,
shuan rrufenë përvëluese,
bie paqja mbi pellgjet,
era kreh krifën e qullur të barit,
than sytë e përlotur të luleve,
qielli i zemëruar platitet,
toka bëhet memece,
drurët
(dëshmitarët e stinëve
dhe përjetësisë kontradiktore)
thithin dhimbjen e kulluar të dheut
dhe temjanin e rrufesë së shuar,
rrënjët e jetës
dhe mushkëritë e përjetshme frymojnë.
© Vangjush Ziko



