Fluturimi i fundit - Tregim nga Ilir Gjini
Ishte prag Krishtlindje dhe atmosfera në qytetin ku kalova shumë vite të jetës shfaqej magjike. Dritat qenë ndezur kudo dhe larmia e ngjyrave kish ngjyrosur me një fllad fotonesh mistike edhe shpirtrat e ngurtë të njerëzve.
Qyteti dukej si një gravurë e gurtë mesjetare e stolisur me gjerdanë ndriçues. E megjithëse në rrugicat e tij kisha shumë kujtime të bukura, e prita me gëzim ditën e ikjes. U ndodh të gjithë emigrantëve që kthehen pas vitesh në atdhe.
Asgjë nuk është më si më parë. Ka ndryshuar jo vetëm pamja, por edhe interesat, miqtë e marrëdhëniet mes tyre. Ndihesh i huaj edhe pse je në vendin tënd. U nisa drejt Athinës ku duhej të merrja avionin për kthim. Ndenjësja ime ishte pranë krahëve të avionit dhe dritares së vogël si frëngji. Pranë meje u ul një burrë i thinjur afër të 80-ve, por gjithë energji. Bisedonte me zë të lartë me stjuardesën dhe pasi rregulloi bagazhet u ngjesh në sediljen e tij. Pas afro një ore fluturim, filloi një shi i rrëmbyeshëm që përplasej me furi në xhamin e vogël nga ku shihja prej lart botën.
Avioni ynë vocrrak që udhëtonte drejt Londrës, po shkundej si një lavjerës ore. Vumë rrypat e sigurisë dhe askush nuk po pipëtinte. Pas 10 minutash që mu dukën si dhjetë orë, dëgjuam zërin e pilotit që na kthehu sërish qetësinë. Plaku i çliruar u kthye nga unë dhe me një anglishte të çalë më tha gjithë gaz:
- Iu luta Zotit të pushonte furtuna dhe më dëgjoi. Thuaj që s’ka Zot…
- Duhet të ketë. Edhe unë që nuk besoj, kur filloi furtuna Zotit iu luta, - iu përgjigja.
Çudi, megjithëse nuk e kam besuar egzistencën e Zotit kur avioni filloi të dridhej nga stuhia, iu luta të “Gjithëfuqishmit”. Aty ku ndihemi të pafuqishëm dhe as njerëzit e as shkenca nuk na ndihmojnë dot, kërkojmë ndihmë nga një forcë e mbinatyrshme. Bisedoja herë pas here në greqisht me plakun bri meje, për të larguar monotoninë e një pejzazhi gri ku nuk shihej asgjë nga bota.
Më hyri në zemër ky i panjohur me flokë të thinjur e zemër të bardhë. Kish punuar gjithë jetën mermerin e kristaltë të Kretës duke gdhendur pragje dyersh e dritaresh, oxhakë që si duhanxhinj të thekur tymosnin dimrit, e luanë me krifë në vend të çezmave që e nxjerrin ujin nga goja. Kish parë ditë të lumtura e të hidhura në rrugëtimin e tij. Kuvendimi me të qe i këndshëm dhe si pa kuptuar po porosisnim pije pas pijesh që vajza e shërbimit i binte me të shpejtë. Anglezët janë qeflinj pijesh dhe në linjat e tyre ajrore alkoli është pa limit.
Kur po i afroheshim Londrës një mjegull e dëndur veshi gjithë qiellin dhe një erë e fortë përplasej në krahët e avionit. “Më duket sikur po përmbyset bota. Ose është dehur piloti, ose jam dehur unë”, - pëshpëriti plaku. Dëgjova trokitjen e rrotës së majtë të avionit që ciku tokën, një sekondë më pas e djathta, por rrota parë nuk mundi dhe sërish u ngritëm në ajër. Krahët e avionit po dridheshin e kërcisnin nga stuhia, si të pastrehët që kërcasin dhëmbët nga të ftohtët në metronë e Torontos. Piloti provoi të ulej për herë të dytë, po sërish dështoi. Avioni ynë i vogël dukej se ishte në pushtetin e stuhisë dhe lëkundej si gjethet e vjeshtës që i përfshin në vorbullën e saj era.
Shikoja rreth meje portrete të frikësuar që bënin kryqin dhe luteshin. Një nënë e re mbështolli me krahë fëmijën, ndërsa plaku bri meje po lutej me sytë e zgurdulluar drejt qiellit dhe pëshpëriste… Mari, Mari. Era e fortë dukej sikur do ta ndante avionin më dysh. Pas dështimit edhe në tentativën e tretë, dëgjova në altoparlant zërin e pilotit që na njoftonte se për shkak të stuhisë se fortë, do provonim të uleshim në një aeroport ushtarak afër qytetit Manchester në veri. Stuhia sa vinte e egërsohej dhe po më pushtonte paniku.
Vështroja nga xhami i dritares copëza pejsazhesh dhe më dukej sikur nuk do ta preknim më tokën. Pas minutash të tëra ankthi, me vështirësi u ulëm në një aerodrom të vogël ushtarak. Kur avioni ndaloi në tokë, plaku që tashmë qe bërë me krahë më tha:
- Zoti na uli shëndoshë në tokë.
- Zoti apo piloti? - ia ktheva
- Zoti, se pa Zotin as piloti nuk bën dot gjë. Qielli është i Zotit, toka është për njerëzit. Ne duam të fluturojmë në qiell që është shtëpia e Zotit.
-Po pse pate frikë nga vdekja? I luteshe Shën Marisë.
- Jo, nuk u tremba nga vdekja. U tremba nëse nuk do t’a shihja Marian time. Dua ta shoh edhe një herë para vdekjes, - ma ktheu plaku.
Udhëtimi ynë drejt Torontos qe shtyrë në mëngjesin e së nesërmes. Qëndruam në një hotel të vogël në periferi të Manchester-it. Plaku më ftoi për darkë dhe me taksi shkuam në një lokal të qetë me emrin e çuditshëm Mamucium. “Dua të të tregoj të fshehtën time”, - më tha ai.
Sytë e tij morën një shkëlqim të çuditshëm.
“E kam dashur shumë Marian time. Isha tepër i ri kur e njoha. Ajo ishte si një magnet që më tërhoqi fort, që kur e pashë për herë të parë në një dasëm fshati. Kur e putha për të parën herë, preka parajsën. Nga buzët e saj rridhte gjithë nektari i ëmbël i dashurisë.
Dashuria jonë qe e bukur dhe e pamatë, si deti i thellë i Kretës. Pas dy viteve të lumtura, shkova ushtar dhe nuk e pashë më Marian. Familja e saj emigroi në Australi. Ajo më dërgonte letra dhe më ftonte t’i shkoja pas. Vendosa të emigroja sapo të fitoja disa të holla, mirëpo sëmundja e nënës m’i prishi planet. Si fëmija i vetëm, pasi babai, dy vëllezër dhe motra vdiqën nga ethet, më duhej të kujdesesha për nënën. Nuk mund ta braktisja.
Pas disa vitesh Maria shkoi në Kanada. Aty, vite më pas u martua, megjithatë ajo vazhdoi të më shkruante letra. Nuk lindi fëmijë dhe para një viti i vdiq bashkëshorti.
- Po ju, nuk u martuat? - e pyeta.
- Jo. Kujtimi i Marias më ndiqte pas, sikundër apostujt ndoqën pas Jezusin edhe kur u largua nga jeta tokësore. Kam plot 65 vjet që e pres këtë takim. E megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë, më duket se kanë kaluar vetën disa orë nga takimi ynë i fundit.
Udhëtimi ynë drejt Kanadasë ishte i qetë. Sa më shumë i afroheshim Torontos, aq më i shqetësuar ndihej ai.
Përplaste gjunjët në ndenjësen përballë nga padurimi.
Teksa e shihja këtë burrë të vjetër që belbëzonte si një djalosh që vrapon në takimin e dashurisë së parë, pyesja veten: a mund të dashurojë njeriu në moshën 80-vjeçare me të njëjtin pasion si në rini?
Në aeroport isha dëshmitar i një takimi të pazakontë, pas 65 vitesh pritje. Të dy dridheshin nga emocioni. Sytë e kaltër të Marias u lëngëzuan nga lotët. Nxorra telefonin dhe shkrepa disa foto nga ky përqafim i dy shpirtrave të humbur, që e gjetën sërish njëri-tjetrin pas 65 vitesh.
© Ilir Gjini



