Kafshë shtëpiake - Tregim nga Flurans Ilia
Shqiponja vuan trishtimin e një shiu vetullhollë që bie butë mbi dritare. Shqipja ka shumë dritare dhe jeton e vetme. Përse-të i ka të shumta si pikat e shiut të papritur mbi xham. Kjo kullë dikur ka qenë një mulli që pat bluar gjatë. Koha e shkuar rrotullohet me një bosht të ndryshëm nga koha e ardhme. Është një pasqyrë ku vajza kreh ditët dhe netët e saj aromëmira të së tashmes. Shqipen gjithmonë e kanë mahnitur gjarpërinjtë. Ata monstruozët. Gjarpërinjtë e arratisur nga mitologjia. Ngase njerëzit e rëndomtë i janë venitur si vemjet, si monotonia e mullirit të vjetër, si vija buzëhollë e kroit që rrjedh prej kushedi se prej cilës kohë nën themele të shtëpisë. Ëndrra e saj është ëndrra e një hapësire krejt tjetër që rrjedh si Nili, Amazona, Misisipi apo Drini.
Nuk i bie në mendje se, prej cilit çasti, e kishte marrë atë vendim? Vendimin që të fuste dhe birësonte një gjarpër në shtëpi. Thuhet se gjarpri i shtëpisë sjell fat. Krijesa e saj nga ata paqësorët e heshtur dhe babëlokë, që njerëzia i mbajnë në akuariume pa ujë - ranorë dhe prej qelqi - dikur ishte si të thuash fati i kështjellave të gurta të qytetërimeve dhe totemi i kësaj toke.
Një herë në dy-tre javë e ushqen totemin e saj me ndonjë gjallesë të vogël e të njomë të cilën, Ylli (kështu e ka pagëzuar zvarranikun) e ka të mjaftueshëm për kaloritë e tij. Si edhe dy herë në javë e merr në shtrat. Nevoja për praninë e njëri-tjetrit është shndërruar në një domosdoshmëri natyrore duke i shmangur përse-të e panevojshme. Lëvizjet e tij në trup të saj janë si ai shtegu i yjeve në përkatësinë e një bote të panjohur atje sipër. Kjo e ngazëllen Shqipen. Sepse njeriu mundet të mbijetojë me fare pak gjë, por kurrsesi pa kureshtje.
U bë kohë që të dy flenë në të njëjtin shtrat. Prania e njërit për tjetrin është bërë domosdoshmëri nga ato që thjesht i marrim si përditësim të ditëve tona.
Qysh kur kanë filluar të flenë bashkë, Shqipja vë re me kureshtje se Ylli e ka prerë ushqimin. Kundërshton me kryeneçësi. Është bërë i gjithi lëkurë, sepse për gjarprin nuk ekziston shprehja “është bërë kockë e lëkurë”. Ai qëndron i mbledhur kutullaç si brumi i një buke që pret të vijë. Nuk bënë asnjë lëvizje drejt presë që i është taksur. Vetëm sa e lëpin me gjuhën që e shfaq me përtesë e moskokëçarës duke parë jashtë mureve të qelqta të ranishtës së vetë drejt e te shtrati. Kur ndodhen të dy në të, Ylli rrëshqet nga kofshët nëpër barkun e Shqipes, mbi kërthizë, nëpër gjunjë dhe pulpa. E lëpin butë nga gishtat e këmbëve gjer në ballë gjersa qetësohet dhe mblidhet grumbull si universi në gjoksin e saj të përgjumur ku gjarpëron ankthi i ëndrrave.
Kushedi se çfarë mendon ajo krijesë në atë rreshtim orësh përmes shtegtimit mbi torsin femëror. Por jam i sigurt se veç aty mbi atë trup, gjarpri ndihet totem i kësaj toke. Shqipja zgjohet me makth. Vendos të shkojë te Ziguri, veterineri. Diskuton e shqetësuar me të faktin se: “Ylli ka plot 6 muaj që nuk vë gjë në gojë!” Një tjetër përse në përse-të e saj të pafundme. Sepse përse-të janë motiv i vetë ekzistencës së vajzës. Ziguri fillon dhe e pyet imtësisht mbi sjelljet e kafshës. Kërkon detaje që Shqipes i duken të çuditshme pa lidhje me anoreksinë e gjarprit. Kjo krijesë e butë dhe e ndjeshme pa praninë e së cilës netët e ish-mullirit që sot është banesa e saj do të ishin një vijë hollake dhe e shtershme mes një kënge nën themel. Ziguri e dëgjon. Më shumë dëgjon dhe e pyet me pyetje si piketime hartash të panjohura ku fshihet e vërteta e një shifre. 6-ës. Gjashta ngjason me një vijë ujore të bërë kruspull. Ziguri është veteriner profesionist dhe askush tjetër më mirë se ai nuk e njeh natyrën e vërtetë të kafshëve. Si të jetë përmendur edhe ai vetë nga një përgjumje sfilitëse, në formë S-je a C-je, në formën e numrave 6 a 9, i ngreh sytë drejt shqetësimit të saj dhe i thotë:
- Shqipe, dëgjomë me vëmendje. Kafsha e shtëpisë tënde refuzon të ushqehet qëllimisht. Gjarpri yt e ka futur veten në një dietë spartane me të cilën mat përmasat e trupit të vet në raport me trupin tënd. Ai është duke përgatitur qysh prej gjashtë muajsh skenën kur do të kollofisë të tërën në gjumë në muajin e nëntë. Tre muaj i mungojnë nga akti final.
Shqipja e vështron veterinerin e murrëtyer dhe shpërthen në lotët e verenikur. Lotët e irnuar për vendimin që duhet të marrë tashti e tutje. Asnjëherë nuk e kishte shkuar në mendje se një ditë do ta vinte përjetësisht në gjumë, në një gjumë legjitim sipas të gjitha rregullave dhe ligjit të mbrojtjes së kafshëve totemin e shtëpisë.
Kjo rrëfenjë përngjan me një mulli që ka bluar gjatë. Koha brenda saj rrotullohet me një bosht të ndryshëm nga koha. E shkuara është e ardhme dhe e ardhmja bëhet e shkuar. Kjo rrëfenjë i ngjan pasqyrës ku Shqiponja kreh ditët e saj aromëmira. Netëve, si në fjalinë përmbyllëse të gojëdhënave, diku aty thellë themeleve në terrinë, dëgjohet kënga e kroit buzëhollë.
© Flurans Ilia - 2019



